Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer kontrolle në një kompleks luksoz në jug të vendit, në Palasë.

Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi, bëjnë të ditur se kontrollet janë kryer në tre banesa me vendim të Gjykatës së Posaçme, dy prej të cilave të Ergys Agasit. Ndërsa banesa e tretë ende nuk dihet se kujt i përket.

Ndërkohë mësohet se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë marrë materiale dhe pajisje nga vilat, të cilat mund të jenë të vlefshme për hetimet.

Agasi, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë.

Biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj janë të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe 'manipulim me tenderët' e ASHKI-t.

Ata vijojnë ende të jenë në kërkim, ndërkohë që lidhur me këtë çështje, GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj.

Po ashtu, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj ndodhet në “arrest shtëpie”, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në ‘detyrim paraqitje’ për shkak të shtatzënisë.

Agasi dhe Beqiraj, të cilët dyshohet se e kanë lënë vendin, akuzohen se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.