TIRANE-Partia Demokratike i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku i kërkon që të shkarkohen nga detyra dhe të ndiqen penalisht Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ne letrën dërguar Ruçit, Edi Paloka akuzon Xhafajn se ka penguar punën e Komisionit Hetimor që u ngrit nga opozita me qëllim hetimin nëse ishte përfshirë qeveria në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Ai thotë në letër se pengimi i komisionit ka qëllim fshehjen e gjurmëve të lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar.

Letra e dërguar 

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk i kanë vënë në dispozicion për 5 muaj asnjë dokument Komisionit Hetimor. Ministri i Brendshëm dhe kreu i policisë akuzohen nga PD për pengim të qëllimshëm të komisionit hetimor “Tahiri”. Pengimi i komisionit ka qëllim fshehjen e gjurmëve të lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar”.

Komisioni hetimor nuk ka dhënë asnjë rezultat, ndërsa Paloka kërkon zgjatjen e tij edhe me tre muaj. “Mandati i Komisionit Hetimor përfundoi sot pa asnjë rezultat për shkak të pengimit të qëllimshëm të punës nga qeveria. Pengimi i Komisionit Hetimor nga Qeveria është dhunim i Kushtetutës dhe asgjësim i Parlamentit. PD kërkon shtyrjen e Komisionit Hetimor “Tahiri” me 3 muaj dhe qëndrim të prerë nga Kuvendi për përgjegjësit”.

Gjithashtu, PD akuzon ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për asgjësim provash në mbrojtje të vëllait, që opozita e akuzon si trafikant, por edhe të ish-ministrit Tahiri, Ballës, por  edhe deputetit Çyrbja. Çështja e komisionit hetimor, e nisur nga sesioni i kaluar duket se do të vijojë që të jetë një nga kauzat e opozitës edhe për sesionin e ri që ka nisur në datë 3 shtator, por opozita e bojkotoi seancën e parë, ndërsa të njëjtin qëndrim ka paralajmëruar edhe për të dytën nesër.