Albana Hana, vajza e ish-prokurorit të ndjerë Xhevat Hana do të jetë kandidate për deputete e Partisë Socialiste në zonën e Rrajcës dhe Prrenjasit për zgjedhjet e 25 prillit.

Ishte kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla, i cili është edhe drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Elbasanit, që prezantoi sot Albana Hanën para qytetarëve, ku vlerësoi figurën e saj .

“Është nder për Partinë Socialiste që përfaqësuesin e vet për këtë zonë ta ketë Albanën. Është vajza e mikut të të gjithë Rrajcës, Xhevat Hanës.Për ata që nuk e dinë, Rrajca ka prodhuar burra e gra të shkëlqyera. Rrajca njihet për njerëz me reputacion të shkëlqyer dhe Xhevati ishte një nga ata njerëz që luftoi për drejtësinë e vërtetë në Shqipëri. Albana do të jetë pjesë e listës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit. Ka ardhur në bazë të një procesi që ne kemi nisur duke hapur dyert e PS, jo vetëm për njerëz që militojnë Brenda partisë, por edhe për njerëz me kontribute jashtë. Në kuadër të procesit “Deputeti që duam” u krijua një derë për të dhënë kontribute, djem e vajza, burra e gra në fusha të caktuara, qofshin mjekë, mësues, sipërmarrës apo fermerë e jurist të shkëlqyer si Albana.Albana ka punuar në Ministrinë e Integrimit Europian deri kur Saliu e hoqi nga puna si vajza e Xhevat Hanës.”-tha Balla.

Për të çuar para emrin e babait të saj, mes emocionesh Albana Hana, me profesion juriste, tha se ato duhet të punojnë së bashku për të çuar para projektet.

Në fjalën e saj  Hana tha se nuk është e fushës së politikës, por se është marrë më shumë me projekte të Bashkimit Europian dhe se për zbatimin e projekteve i duhet besimi i të gjithë qytetarëve.

‘Unë jam vajzë e kësaj zonës dhe megjithëse kam shumë vite që nuk kam ardhur, këtu ka ndodhur një ndryshim kozmik, mund të them në këtë zonë. Unë nuk jam e fushës së politikës unë jam e fushës së projekteve, unë jam marrë për shumë vite më projekte të BE-së, për këtë dua besimin tuaj. Gjërat duhet të bëhen bashkë, janë sfida, por gjërat duhet të bëhen bashkë. Do të punojmë bashkë për të gjitha projektet. E bëj për tim atë, dua që emri i tij të jetë i nderuar dhe ta çoj më tutje. Nuk dua që puna dhe sakrifica e tij të harrohet.’- tha Hana.

Albana Hana ka studiuar Shkenca Sociale dhe Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës dhe mban gradën Master në fushën e Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut në Evropën Juglindore nga Universiteti i Sarajevës dhe Bolonjës.

Ish prokurori i ndjerë Xhevat Hana ishte i vetmi që arriti të dërgojë para gjyqit dhe të kërkojë burg për 4 oficerët e SHISH, të akuzuar për rrembimin dhe zhdukjen e veprimtarit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në Kune Vain Lezhës.