Hileja me xhaminë, leja pretekst
për ndërtime gradaçelash

Hileja me xhaminë, leja pretekst<br />për ndërtime gradaçelash
TIRANE - Xhamia e Tiranës do të ndërtohet mbi një qendër biznesi. Deklarata është bërë nga ambientalistët, por nuk kundërshtohet as nga vetë Komuniteti Mysliman. Agron Hoxha, zëdhënësi i Komunitet Mysliman të Shqipërisë, thotë se ata nuk kanë deklaruar asnjëherë se do të ndërtohet vetëm xhami, por do të ndërtohet kompleksi i Namazgjasë.

Ambientalistët shpjegojnë se në këtë zonë do të bëhet “nami” dhe vetë xhamia është vetëm preteksi për ta kthyer këtë zonë të mbrojtur në shesh ndërtimi gradacelash.

Kështu të paktën shprehen në nëj forum të “Shqiptarja.com” ambientalistët Sazan Guri, Artan Shkreli dhe Artan Lame, të cilët thonë se vetë xhamia do të jetë e futur në kurth, ajo nuk do të jetë më e madhe se xhamia e Et’hem Beut, nuk do të ketë vend as për lulishte dhe as për hapsirë publike para saj dhe do të jetë e rrethuar nga qendra biznesi.

Ndërsa nëse do të ishte respektuar projekti i Ramës, për ndërtimin e saj pas Pallatit të Kulturës, të gjithë do të ishin më të fituar. Përfshi edhe vetë myslimanët.

ARTAN SHKRELI

Aty do të bëhet “nami”. Vetë xhamia do të ngrihet mbi një qendër biznesi. Kjo zonë të mbushet plot me ndërtime. Kjo thuhet qartë edhe në rregulloren e planit urbanistik që e ka kthyer këtë zonë në shesh ndërtimi. Ndërkohë që po sipas kësaj rregulloreje, do të zhduken të gjitha shtëpitë e vjetra të Tiranës dhe do të kthehen në sheshe ndërtimi e pallate shumëkatëshe.

Do t’i zihet fryma Tiranës, ndaj të gjithë duhet të reagojnë. Nuk do të kemi më asnjë hapsirë të gjelbërt dhe kjo është një gjë që na prek të gjithëve, ndaj duhet të reagojmë.

SAZAN GURI

Në atë zonë nuk do të ndërtohet vetëm xhamia, por ndërtimi i saj i hap dritën jeshile edhe ndërtimit të dy godinave 15-katëshe. Si të thuash, vetë xhamia e re do të jetë e futur në kurth. Nga njëra anë do të ketë godinën e parlamentit, ndërsa nga ana tjetër do të ketë këto dy gradacela. Madje ajo nuk do të jetë shumë më e madhe se sa xhamia ekzistuese e Et’hem Beut që ndodhet në qendër të Tiranës.

Kjo pasi vetë komuniteti ka vetëm 2000 mijë metra katrorë tokë, ndërsa 3 mijë metra i janë dhuruar. Por personat që i kanë dhuruar do të përfitojnë nga kjo gjë, sepse nëse ajo zonë mbetet lulishte e gjelbër, as ata nuk mund të nisin ndërtime, por nëse mbi tokën e tyre do të nisë të ndërtohet xhamia, atëherë u lind e drejta që në pjesën tjetër edhe ata të nisin ndërtimet.

Dhe kështu do të ndodhë. Xhamia e re, jo vetëm që s’do të zgjidhë kërkesat e myslimanëve, por ajo nuk do të ketë as lulishte e as ambient për vete. Ndërsa nëse kjo xhami do të ndërtohej pas Pallatit të Kulturës, ku edhe ishte projekti i parë do të ishte shumë më mirë.

Kjo pasi: së pari duke u ndërtuar xhamia në këtë zonë, nuk do të ndërtohej një pallat 35-katësh që është parashikuar të ngrihet në këtë vend. Gjithashtu nëse xhamia nuk do të ndërtohej te lulishtja e Namazgjasë, nuk do të mund të ndërtohen as dy gradacelat që do të ngrihen shumë shpejt anash saj, si dhe lulishtja mbetej hapsirë e gjelbër.

Gjithashtu nuk janë respektuar as hapat e duhura ligjorë për të nisur ndërtimet në një zonë të tillë, e cila është monument kulture. Pas hartimit të planit urbanistik, duhej të ishte hartuar plani i detajuar vendor që përcakton intesitetin e ndërtimeve dhe çfarë do të ndodhë në këtë zonë.

Pas këtij plani të detajuar për çdo ndërtim duhet të hartohet studimi i ndikimit në mjedis dhe më pas duhej të ishte konsultuar me komunitetin përreth a janë dakord apo jo që kjo zonë e mbrojtur të kthehet në shesh ndërtimi. Vetëm pas kësaj duhet të nisin ndërtimet, por asnjë nga këto hallka nuk është respektuar dhe punimet kanë nisur pa pasur ende projektin gati.

ARTAN LAME

Plani i ri rregullues i Tiranës, nuk është një plan rregullues pasi e vetmja gjë që ka bërë ai ka hequr pengesat për zonat ku ishte e ndaluar të ndërtosh. E tillë ishte edhe lulishtja e Namazgjasë. E theksoj edhe njëherë se e vetmja gjë që ka bërë ky plan është se ka hequr kufijtë.

Nëse në të gjithë botën plani rregullues vendos kufinj dhe kritere ku do të ndërtohet, ky plan ka hequr limitet. Kështu në rregulloren që shoqëron këtë plan rregullues të Tiranës, përcaktohet se kjo zonë kthehet në zonë ndërtimi për pallate 9-katëshe. Ky është kulmi dhe të gjithë duhet të reagojnë që të mos na preken hapsirat e gjelbërta.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.con)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

E konfirmojnë në Kosovë, Ilir Daja largohet nga FC Ballkani! Gati rikthimi te Dinamo në Superligë

E konfirmojnë në Kosovë, Ilir Daja largohet nga FC Ballkani! Gati rikthimi te Dinamo në Superligë