HIMARE- Katër fëmijë të moshës nga 4 deri në 8 vjeç janë helmuar në Himarë pasi dyshohet se kanë konsumuar biskota te blera në një furrë buke, por që tregonte edhe mallra industrialë. Fëmijët janë dërguar mbrëmjen e djeshme në spitalin rajonal të Vlorës, dhe gjendja e njërit prej tyre është e rëndë, ndërsa tre të tjerët kanë dalë nga rreziku.
 
Fëmijët janë paraqitur fillimisht në spitalin e Himarës me simptomat e helmimit por ky spital i ka dërguar për ndihmë të specializuar në Vlorë. Sipas familjarëve fëmijët kanë konsumuar ushqime të gatshme të blera në një furrë buke.
 
Drejtoria e Shëndetit Publik dhe AKU e Himarës kanë ngritur një grup pune duke marrë mostrat e gjithë produkteve të subjektit ku dyshohet se u helmuan fëmijët. Priten rezultatet e analizave për zbardhjen e shkaqeve të helmimit të fëmijëve. Subjekti është mbyllur nga AKU deri në zbardhjen e ngjarjes.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)