Dy të rinj, 19 dhe 24 vjeç, janë marrë në hetim në Korçë pasi u kapën duke u shtirur si inspektorë të Tatimeve. Ata përdornin një tabelë me mbishkrimin “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Kontrolli Tatimor” për t’u bërë shenjë automjeteve që kalonin në bulevardin ‘Republika’ të ndalonin. Ngjarja u konstatua në rrugë nga policia, e cila ndërhyri dhe u sekuestroi tabelën si provë materiale. Dy të rinjtë, R. V., 19 vjeç nga Tirana, dhe H. F., 24 vjeç nga Korça, dyshohet se përvetësuan titullin apo detyrën shtetërore, ndërsa ndaj tyre ka nisur hetimi penal.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale "Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore" për shtetasit R. V., 19 vjeç, banues në Tiranë dhe H. F., 24 vjeç, banues në Korçë. Në bulevardin "Republika", Korçë, këta shtetas janë konstatuar në rrugë duke iu bërë shenjë automjeteve të ndalonin, me një tabelë me mbishkrimin "Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Kontrolli Tatimor", e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale"
Komente












