TIRANE - Dy delviniotët Martin Buzheri (në foto) dhe Elton Zhupa (Ruçi) janë vënë nën akuzë dhe dërguar në gjykatë si të pandehur për akuzën e «Trafikimit të miturve» për qëllime prostitucioni. Sipas prokurorisë e 17 vjeçaria me inicialet F.K, është lidhur në një marrëdhënie dashurore me shtetasin Martin Buzheri. Për disa kohë me radhë e dëmtuara ka mbajtur lidhje me shtetasin Martin Buzheri duke u shoqëruar dhe duke dalë me të. Gjatë kohës që e dëmtuara ka qënë e lidhur me të pandehurin Martin Buzheri, ky i fundit i ka propozuar për të shkuar në Greqi, me qëlllim të jetonin aty për një jetesë më të mirë.

I pandehuri Martin Buzheri i kishte treguar të dëmtuarës se për lëvizjen në drejtim të Greqisë do i ndihmonte shoku i tij i quajtur Elton Zhupa. Udhëtimi për në drejtim të Greqisë është bërë më datë 03.07.2013, dhe udhëtimi është planifikuar të realizohet nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit në Kakavijë. E dëmtuara ka qënë duke udhëtuar me makinën e të pandehurit Elton Zhupa dhe në praninë e të pandehurit Martin Buzheri. Në momentin që kanë mbërritur në Greqi e dëmtuara është strehuar në një banesë, e cila ishte marrë me qera nga i pandehuri Elton Zhupa, banesë në të cilën jetonte dhe nje vajzë tjetër, e cila sipas të dëmtuarës ushtronte prostitucion në Greqi për llogari të Elton Zhupës.

Me t’u vendosur në këtë banesë e dëmtuara është përballur me propozimin që duhej të punonte si prostitutë, për të realizuar përfitime për të pandehurit Martin dhe Elton, propozim ky i cili i është bërë edhe nga i pandehuri Martin Buzheri dhe nga i pandehuri Elton Zhupa. Nga ana tjetër e dëmtuara është vendosur në kushtet e trysnisë psikologjike dhe fizike duke qënë se është dhunuar fizikisht dhe seksualisht nga i pandehuri Elton Zhupa. Pasi ka qëndruar për pak kohë në banesën e të pandehurit Elton Zhupa, e dëmtuara ka mundur të largohet fshehurazi nga banesa e tij, duke i marrë këtij të fundit dhe telefonin.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)