Historia e Fotografisë Shqiptare në 150 vite, studiuesi: Nga shkrepjet e para tek imazhet e dy Luftërave Botërore dhe fotot e diktatorëve

Dy dekada e gjysmë, pasi bota kishte njohur 1839-ën, si vitin zyrtar të shpikjes së imazhit e francezin Louis Daguerre si krijues të saj... në Shqipëri nis të prodhohen fotografitë e para .  Ndodhi në Shkodër në studion e italianit Pietro Marubi...  të cilit po nga ajo dhomë e errët i trashëgohet në fotografitë e kohës një ‘Autoportret’...  Më tej zbulohet imazhi i konsullit italian në Shkodrën e viteve ’80, veshur me veshje tradicionale, e një sërë shkrepjesh që sjellin atmosferën orientale të qytetit nën pushtimin Osman... Studiuesi Ermir Hoxha udhëton përmes imazhit e të dhënave që prej vitit 1865, për të sjellë “Historinë e fotografisë shqiptare”. Portrete, peizazhe, etnografi, momente që rrëfejnë Shqipërinë në një shekull e gjysmë përmes imazhit dëshmohen në 234 faqe studime të ilustruara.

Në kopertinë dy sy të çelët e një portret joshës, ku shikimi depërton tej bardhë e zisë. Është imazhi i një gruaje moderne që thekson elegancën femërore me një buzëkuq, beretë a shallin që lidhet me finesë me dekoltenë... Të tilla foto, që të duken gati të shkëputura nga realiteti shqiptar, ka me dhjetëra... në tri periudhat e trajtuara nga studiuesi..

Edhe në 35-vjeçarin e parë të fotografisë, arkiva e Marubëve dëshmon elegancën femërore në një portret vajze a gruaje. Hasim deri edhe  elemente të erosit si  tek fotografia e njohur e “Grues me qyrk”. Krahas aspekteve sociale si varfëria, trimnisë e traditës malësore, studiuesi sjell edhe momente të ceremonive të kohës.

Siç rrëfen Hoxha, të parat fotografi në studion Marubi, realizoheshin në natyrë në hije, ndërsa aparatet e parë ishin gjermanë a francezë në përmasat 30 cm me 40 cm. Ndonëse subjektet e para i takonin shtresave të larta e asaj çka zgjonte interes tek fotografët, magjia e ndalje së në kohë të një imazhi a momenti po i tundonte në atë periudhë të gjithë... Fotografia me nuancat e saj herë orientale e herë të tjera perëndimore po sfidonte portretet e autoportret në pikturë...

 Krahas veriut, fotografitë më të kahershme dëshmohen në Shqipërinë Juglindore, për tu përhapur më tej në të gjitha qytetet e vendit. Fotografitë e fund viteve ‘800 sjellin edhe imazhe kolektive si “Shkolla e vajzave”,  “Shkolla e parë shqipe” apo personazhe historikë si Çerçiz Topulli.

Përpos të parëve fotografë shqiptarë, imazhet e të cilëve ruajnë autorësinë, Hoxha sjell përmes studimit të tij mjaft shkrepje anonime. Të tjera, realizohen prej  fotografëve të huaj që vizituan vendin në shekullin XIX-të. Shumë syresh fiksuan Shqipërinë me elementë të spikatur të arkitekturës, peizazhit a arkeologjisë. Ndërsa të importuara, vijnë në këtë album disa prej portreteve të Ismail Qemalit të realizuara përtej kufijve.

Shekulli i XX-të, që i përket periudhës së dytë në studim, çelet me portretin sensual të fejuarës së fotografit Kristaq Sotiri. Fryma perëndimore e këtij imazhi paralajmëron se jemi në kapërcyell të periudhës osmane, kur pas Pavarësisë studiot fotografike në vend siç shpjegon studiuesi, do të kujdeseshin edhe në krijimin e një identiteti shqiptar, duke u përpjekur të shkarkonin edhe imazhin nga ndikimet orientale.

Fotografia merr hov, duke fiksuar shumë aspekte jetësore, rite, por edhe artistike. Imazhet historike  si ai i “Azem e Shote Galicas” shkrepur në 1920-ën nga Kel Marubi, apo  fotografia e mbretit Zog në ‘28-ën, mbeten padyshim me vlera të rralla historike. Natyra zë një hapësirë të lakmueshme në fotografinë e çirakut që u bë fotograf në gjirin e Marubëve, Shan Picit. Ndërsa Kristaq Sotiri, që Hoxha e konsideron si zërin ndryshe në fotografi nga Amerika, sjell f otografi gati piktorike, mes të cilave imazhe personalitetesh të njohur si Tefta Tashko, Sabiha Kasimati, Marie Avrami Frashëri etj.

Mes dy fotografëve më të njohur të periudhës së dytë që mbyllet në vitin 1945, hasen tipare dalluese që i bëjnë unike imazhet e tyre.

Studio Marubi, u shndërrua në gjysmën e parë të shekullit XX në një shkollë fotografie, e prej saj mori shtysë çelja e disa studiove të tjera në Shkodër. Ndërkaq po dokumentoheshin edhe qytetet e tjera e në vitet ‘30-40 fotografinë e gjejmë në periodikë e kartolina. Albanologë, diplomatë, reporterë  e të tjerë, udhëtarët e huaj, siç rrëfen Hoxha edhe përgjatë kësaj periudhe jetësonin impresionet e tyre në imazhe.

Identifikohen lehtazi fotografitë post vitit 1944, jo thjesht nga ngjyrat por nga përdorimi i dukshëm i imazhit, si mjet për të imponuar ideologjinë komuniste.

E megjithatë janë të shumta imazhet që i shpëtojnë skematizimit të kohës. Përmes një peizazhi, portreti melankolik të gruas me veshje tradicionale a urimi, Jani Ristani si dhe emra të tjerë të fotografisë si Besim Fusha, ia dalin të shkëpusin me finesë  fotografinë e tyre nga kornizat e propagandës. Konkurset e fotografisë artistike u japin një dorë, në këtë kontekst, duke arritur të trashëgojnë edhe prej diktaturës fotografi që nuk mbartin ideologjinë e kohës.

Nga udhëheqësit, Enver Hoxha, është në qendër të liderëve komunist e Petrit Kumi, është një nga dokumentuesit protagonist, që madje ka realizuar edhe fotografinë e fundit të tij. Procesi i fotografimit të Hoxhës, por edhe të zyrtarëve të tjerë të kohës, mbart me vete histori të fotografëve në ankth për të kapur momentin e duhur, por edhe për të shmangur çka do të ishte e tepërt për kohën.

Nga ana tjetër fotografia ishte një nga mediumet më të fuqishëm të kohës për të kamufluar realitetin, përmes imazheve që reklamonin zhvillim në të gjitha sektorët. Nga kinematografia deri tek punët e krahut, fotografitë njësoj si portretet njerëzore i bënin makijazh varfërisë të ulur këmbëkryq.

Ndoshta përcaktimi apo më saktë kufizimi i detyrave, ishte një shkaqet që fotografët të mos ishin, mes emrave të etiketuar për tu përndjekur a dënuar, siç ndodhi me shumë prej artistëve...

Në këto rrethana  lirinë e të shprehurit, fotografët do ta gjenin të plotë vetëm pas rrëzimit të diktaturës.  Emra si Leon Çika, Albes Fusha, Feliks Bilani, Roland Tasho, Alqi Golloshi, Fahredin Spahija nga Kosova e të tjerë japin një kontribut të rëndësishëm.

Me hapjen e degës së Fotografisë në Universitetin e Arteve, ku do të shërbejë si literaturë edhe ky botim trashëgimia e këtij profesioni fisnik bëhet më e sigurt... Në këtë formë, mund të ushqehen në mënyrë profesionale tipare autentike të imazhit, asaj çka mungoi në dekadat e para të zhvillimit të fotografisë në vend, por edhe t’i bëhet rezistencë teknologjisë, që shpesh sfumon magjinë e një imazhi të ndalur në letër...

G.MO/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre