SHKODER- Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër u çel ekspozita “Olbania”, një projekt i kuratoreve italiane të kolektivit artistik Alterazioni Video.
Ekspozita fotografike “Olbania” vjen si një eksplorim artistik i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, duke sjellë imazhe të marra nga interneti që kanë ndikuar në krijimin e perceptimeve dhe stereotipeve mbi Shqipërinë.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, theksoi rëndësinë e ekspozitave bashkëkohore si pjesë e pandashme e identitetit të muzeut.
Kuratorja Sara Dolfi Agostini u shpreh se “Olbania” ndërton një realitet paralel, të lindur në hapësirën virtuale, ku imazhet dhe mitologjitë për Shqipërinë janë krijuar nga përdoruesit e internetit gjatë viteve 2009–2010.
“Olbania paraqet një Shqipëri tjetër; një Shqipëri që populli i internetit e ka shpikur në një periudhë tranzicioni teknologjik, kur u kalua drejt përdorimit masiv të platformave digjitale. Ekspozita fokusohet te mitologjitë dhe stereotipet ballkanike”, tha ajo.
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri, Alessandro Ruggera, e cilësoi ekspozitën si një urë komunikimi artistik mes dy kulturave.
“Kjo ekspozitë është një komunikim mes Italisë dhe Shqipërisë në planin artistik, të imazhit dhe të rishikimit të historisë së njëri-tjetrit”, u shpreh ai.
Ekspozita “Olbania” do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Muzeun “Marubi” deri në fillim të vitit 2026, duke ftuar publikun në një reflektim mbi imazhin, kujtesën dhe identitetin në epokën digjitale.
Komente









