Historia e panjohur e legjendës së sportit shkodran, që Berluskoni i dhuroi orën e dorës: Për t’i shpëtuar luftës së klasave, shkoi në Tropojë e në Lushnje, ku stërviti volejbollisten Lenka Çuko

Historia e panjohur e legjendës së sportit shkodran, që Berluskoni i dhuroi orën e dorës: Për t’i shpëtuar luftës së klasave, shkoi në Tropojë e në Lushnje, ku stërviti volejbollisten Lenka Çuko

Berlusconi

Personazhi i këtij shkrimi, është një nga figurat më të spikatura në fushën e sportit, ku nëpërmjet ushtrimit të disa llojeve sporti, i bëri ballë një persekutimi të gjatë, duke ndjerë mbi supe luftën e klasave që në moshën 15-16 vjeçare. Skënder Bushati, i njohur në faqet e shtypit sportiv në vitet e diktaturës komuniste, me mbiemrin Fusha, është një nga pinjollët e fisit të njohur në qytetin e Shkodrës, një fis me tradita nga më vyerat në Veriun e Shqipërisë, fisit Bushati. I njohur, jo vetëm në Shkodër, e në Shqipëri, por deri ne portat e Sulltanëve të Turqisë dhe të Kancelarive Europiane.

Të parët e fisit të Skënder Bushatit, i takojnë atij krahu që i’u kundërvue komunizmit, pa u instalue në Shqipëri, dhe si nipi i ish-kryeministrit Maliq Bushati, i pushkatuar nga diktatura komuniste në vitin 1946, për një gjysmë shekulli, do ta ndiqte kjo “njollë” në biografi, pasi babai i tij, Fadil Bushati, e axha Haki Bushati, burgosen si vëllezërit i Maliq Bushatit. Deri në fillimin e viteve ’90-të, pra të shembjes së regjimit enverian, dhe triumfit të Demokracisë, edhe pse kishte lindur në Shkodër në një familje me vlera patriotike, historike e qytetare, jo vetëm nga trashëgimia e fisit Bushatlli, por edhe nga trashëgimia e nënës, Ixhlalit, nuk qëndronte inferiore, përball Bushatllinjëve.

Një lidhje me familjen Kopliku, Dr. Bahri Kopliku, i vetmi kardiolog në qytetin verior, i njohur në Shkodër si mjeku më dashamirës i shkodranëve dhe me Bashkim Koplikun (Zv/Kryeministër që në qeverinë e parë Demokratike), po aq i afërt me vëllezërit Hoti, historianin, Burhan Hoti, sportistët Sadetin e Surri Hoti, e mjekun kirurg, Ferit Hoti, dhe me të njëjtën linjë me Dizdarët, specialistin e mirënjohur të shkencave veterinare, Petrit Dizdari, dhe gazetarin e afirmuar sportiv, Besnik Dizdari, si dhe me dy vëllezërit Alush e Agron Mehmeti (Ulqinaku), (Alushi ing. Elektrik, kurse Agroni, violinist dhe basketbollist i talentuar), e familje e persekutuar.

Skënderi ishte larguar nga qyteti i lindjes që në moshën 16 vjeçare, duke lënë pas kujtimet e fëmijërisë që lidheshin që me ankthin e luftës së klasave dhe me sportin, ku në moshën 14 vjeçare do të aktivizohej me ekipet e të rinjve të “Vllaznisë”, në atletikë, ku trajnerët e mirënjohur, Ibrahim e Feti Dizdari, kishin piketuar një të ardhme shumë premtuese, për atletikën shqiptare.

NË TROPOJË, PËR TË SIGURUAR TE ARDHMEN…!

Me mbështetjen e njerëzve të tij të afërt, sidomos të Burhan Hotit, që kryente detyrën e inspektorit të Arsimit në skajin verior të Shqipërisë, Skënderi, filloi karrierën e mësuesisë në fshatin Kërnaj, duke gjetur dhe një mjedis të shkodranizuar, pasi shumë mësues dhe mësuese, që i ishin në shënjestër të luftës së klasave, kishin lënë familjet, për të siguruar mbijetesën. Por nuk mungonte dhe zemërgjerësia e familjeve tropojane, që u bënte më të lehtë ndarjen nga qyteti i vendlindjes, Shkodra, nga prindërit dhe të afërmit me shtrirje të gjerë në lagjet shkodrane dhe nga ato shokët që kishte piketuar, për të nis miqësinë e shoqërinë rinore.

Dhe për më shumë dhe ndarjen nga sporti, atletika, që ëndërronte se do të ishte një personazh me vlera, për “Vllazninë” e Shkodrës. Për të mos humbur freskinë fizike, ne veriun e Tropojës, iu qep grykave e majave të malit te Jezercës, ku nuk i mungon guximi për t’u ngjitur në kuotën 2.300 m. Pas katër viteve, pasi ka fituar dhe përvojën e një mësuesi të kualifikuar, zbret nga Veriu i Shqipërisë, ne mesin e saj, në Lushnje, me bindjen e plotë se; Alpet e Veriut, e kanë favorizuar për të ushtrue sportin e atletikës dhe të volejbollit.

17 VITE NË FSHATRAT E LUSHNJES

Edhe pse larg hienave të angazhuara që nxiste dhe aktivizonte Sigurimi i Shtetit në qytetin e lindjes, Skënderi, e ndjente se, si familje antikomuniste, që gëzonte një respekt e nderim në qytetarinë shkodrane, se përndiqej e përgjohej nga nomenklatura komuniste. Nuk mungonin letrat anonime, që e shikonin si të pa motivuar, qenien e tij në frontin e edukimit të rinisë, pra si mësues. Nuk ishte mbiemri Fusha, që mbronte nga sinjalizimet e letrat anonime, pse jo nga Shkodra edhe me firmën e ndonjë komuniste të veshur me pushtet, por qëndrimi i tij me një formim të parakohshëm si intelektual, me një dashamirësi shembullore, për banorët e Krutjes dhe fëmijëve të tyre, që i besuan pa hezitim edukimin e tyre.

Ashtu si në Tropojë edhe ne fshatrat e Myzeqesë, Skënderi do të respektohej e nderohej, për komunikimin e sinqertë, për aftësitë e tij në mësimdhënie dhe për atë që i dhuroj Krutjes, afirmimin në rang kombëtar, me sportin. Ato vite, edhe pse larg vendlindjes, Skënderi i kujton me  nostalgji, pasi jo vetëm e sheh veten se talenti i tij, nuk mungon te prezantohet edhe me ekipe kooperativiste. Ngre ekipin e volejbollit, aktivizohet edhe si trajner e shuter kryesor në ekip, ku Krutja, do të bëhej e njohur, jo vetëm në Lushnje, por edhe në shkallë kombëtare. Ekipi i Krutjes, në Spartakiadat Kombëtare të Kooperativave Bujqësore, do të nderohej me vende nderi në podiumin e fituesit. Dhe nuk vonoj që, jehona e sukseseve të këtij ekipi, të kalonte kufijtë e Lushnjes, kur Krutja me në krye Skënderin, do të fitonte edhe ndaj ekipit të ‘Apolonisë’ së Fierit.

Pa asnjë mëdyshje, drejtuesit e Klubit Sportiv “Traktori”, do t’i bënin vend në ekipin e qytetit, ku nga viti 1960, për 13 vite radhazi, do jetë pjesëtar i saj, si gjithnjë ne rolin e shuterit potent. Nuk mungoj që, “Traktori”, të ishte protagonist dhe fitues si kampion në kategorinë e dytë, por dhe të ndjejë gëzimin, duke luajtur në kategorinë e parë, të kampionatit kombëtar të volejbollit, përballë “Dinamos”, “Partizanit”, “Vllaznisë”, etj. Një tjetër afirmim si sportist klasi, Skënderi e demonstrojë në sportin atletikës, ku përsëri në Lushnje, në shtytjen e gjyles dhe kërcim trehapësh. Rezultati në shtytjen e gjyles, në kufirin e 13 m., do të sillte një kthesë të pa pritur, në jetën e tij dhe aq më shumë, në drejtim të sportit.

USHTAR NË EKIPIN E NJOHUR TË KRYEQYTETIT “PARTIZANIN” E MINISTRISË SË MBROJTJES.

Largimi nga Lushnja, pra nga profesioni i mësuesit dhe sporti, ku pas 20 viteve i akordohet nga klubi sportiv Traktori titulli “Mjeshtër Sporti”, ka një arsye objektive. Mosha për të kryer shërbimin ushtarak kishte prekur kufijtë maksimal pra atë të zyrtarizuar me ligj, moshën 27 vjeçare. Vetëm kësaj, kryerjes së shërbimit ushtarak, nuk mund t’i shpëtonte cilido qytetar, pavarësisht arsyeve familjare e, kushteve politike. Emri i Skënderit, ishte bërë prezent edhe në Klubin Sportiv “Partizani”, ku trajner e specialist të “Partizanit”, ishin njohur me rezultatet e tij, në atletikë. Aq më tepër, shumë bashkëqytetarë të Skënderit, nga Shkodra, sportist të njohur, si në futboll, basketboll, volejboll, atletikë, etj., të cilët kishin kredi pranë drejtuesve të “Partizanit”, kishin dhënë rekomandimet e tyre, se Skënderi, do të ishte një sportist i gjithanshëm, në nivele të larta.

“Rezultati i shtytjes së gjyles në 13 m. ishte garanci e padiskutueshme. Nuk ishte e lehtë të për mua, duke ditur se biografia ime në Shkodër, diskutohej sa herë përmendej emri në shtypin sportiv. Por, në këtë Klub, pavarësisht se përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes dhe ishte nën patronazhin e gjeneralëve të njohur, si rasti im, ‘me njolla në biografi’, kishte mjaftë sportist të nivelit ndërkombëtar, që trajtoheshin pa diferenca me sportistët me biografi të mirë”, – kujton Skënderi. Por, ai nuk mundi të përfaqësojë ngjyrat e këtij Klubi më shumë se një vit, pasi, ngjarjet politike, në të cilat u përfshi Shqipëria në vitet 1966-‘67, ashpërsimi në maksimum i luftës së klasave, forcimi i diktaturës komuniste, detyruan largimin e shumë sportistëve me “njolla në biografi”, dhe në mes të listës së te larguarve, ishte edhe emri i Skënderit.

Një episod që Skënderi e ka të fiksuar në kujtesën e tij gjatë qëndrimit tek “Partizani” dhe që do ta bëjë të njohur në intervistat që ka dhënë në vite, është pjesëmarrja e tij në kampionatin kombëtare të atletikës në Shkodër, ku trajnerët e federojnë në garën më të vështirë, atë të 10 garëshit. Ndonëse nuk kishte specializim e stërvitje për këtë garë, Skënderi i sfidon kundërshtarët, duke realizuar vetëm 9 gara.

Garën e dhjetë, atë të kërcimit me shkop, nuk mund ta realizojë, pasi nuk e kishte provuar një gjë të tillë, asnjëherë në stërvitje. Megjithëkëtë, arrin të klasifikohet i katërti. Përveç garës së shtytjes së gjyles, që ishte profili i tij edhe tetë disiplinat e tjera, të 10 garëshit, i provon përherë të parë. Në kërcimin së gjati, fikson shifrat 6.42 m., kur rekordi kombëtar i bashkëqytetarit të tij, mjeshtrit të mirënjohur, Hysni Bebeziqi, ishte 6.99. m. Në këtë kampionat kombëtar, Skënderi tërhoqi jo vetëm vëmendjen e trajnerëve shqiptar, por edhe të trajnerit ekipit kinez, që kishin ardhur në një takim miqësor në vendin tonë. Përgatitja e lartë fizike, ishte kurorëzimi me sukses i kësaj gare, çka e angazhoi edhe trajnerin kinez, të kronometronte garën e 400 m.

RIKTHIMI PËRSËRI NË LUSHNJE

Lushnja u bë qyteti i dytë, pas Shkodrës, për sportistin e talentuar Skënder Bushati. Ishte ambientuar me jetën e shoqërinë në këtë qytet, ku nuk i mungonin edhe shkodranët që punonin si specialist të bujqësisë, në Institutin Veterinar të këtij qyteti.
Afrohet pa mëdyshje, si lojtar kryesor në ekipin e volejbollit, ku roli i shyterit, me gjithë vitet që mbante në shpine, nuk e zbeh aq lehtë, forcën e tij fizike e teknike. Aktivizohet si lojtar kryesor, deri në moshën 33 vjeçare dhe largimi i tij, është përshëndetur e vlerësua nga lushnjarët, nga drejtuesit e sportit dhe të pushtetit lokal. Çka do thoshte se; shkodrani i persekutuar nga biografia ,nuk ishte thjeshtë një jabanxhi, por një qytetar i respektuar dhe i vlerësuar edhe për intelektin e tij.

Dhe për kur bahet fjalë për sportin, Skënderi tregon vlerat e tij, tek angazhohet si trajner i ekipit të femrave, ku në fshatin Krutje, organizon ekipin e femrave, që do të përfaqësojnë Lushnjen me shumë sukses, në Spartakiadën Kombëtare të Kooperativave Bujqësore. Ndonëse Skënderi, nuk ka shfaqur asnjëherë si një meritë të tijën, tek afirmon në ketë ekip vajza që do të bëheshin të njohura në Shqipëri, si politikane, duke arritur deri ne forumet më të larta të Partisë së Punës, deri në Byron Politike, madje si sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, siç ishte rasti i Lenka Çukos. Kanë qenë gazetarët ata, që këtë fakt, e kanë shfrytëzuar për të rritur kredencialet e një intelektuali të persekutuar, por Skënderi, nuk është mburrur asnjëherë, se ka një meritë, ne rrugëtimin e një brigadiere, përgjegjëse sektori, kryetare e kooperative bujqësore, deri në hierarkinë më të lartë të Partisë – Shtet.

DHE MË NË FUND NË SHKODËR

Rikthehet në qytetin e tij të lindjes, pranë nënës Ixhlalit dhe vëllait të tij Gencit, me të drejtat e një qytetari autokton shkodran, por i padëshiruar për të vazhduar profesionin e tij, si mësues. Edhe Skënderi u përfshi në vorbullën e një përshkallëzimi ekstrem të luftës së klasave, që diktatura komuniste, do ta zbatonte në të gjithë Shqipërinë, duke vënë në shënjestër, armatën më të respektuar, atë të arsimtarëve.

Ngjarjet politike të vitit 1976, u shoqëruan edhe me këtë “reformë” antihumane, duke gjetur se, tek shtresa e arsimtarëve me biografi të keqe, ishte një armik që rrezikonte mbijetesën e diktaturës komuniste. Dhe Shkodra, ishte më në shënjestër se çdo rreth tjetër të Shqipërisë, në zbatimin e direktivave të Byrosë Politike, për luftën klasore, ku ndiqeshin, jo vetëm ato që punonin nëpër fshatra, (nga Velipoja ne Dukagjin e Vermosh), por edhe ata arsimtarë që, për të mbijetuar, kishin sakrifikuar, për të punuar në: Tropojë, Kukës, Mirditë, Pukë dhe si rasti i Skënderit, deri në fshatrat e Myzeqesë.

Edhe pse në moshën afro 40-vjeçare, Skënderi, nuk i’u nënshtrua këtij persekutimi. Me karakterin burrëror që e kishte karakterizua që në moshën 16 vjeçare, ku sporti i kishte blatue energji, vullnet dhe pse jo dhe intelekt, ai sfidoi dhe punën e një punëtori të bujqësisë, tek punoi në Fermën e Bushatit, duke i bë një favor, pasi përsëri, merr përsipër organizimin e aktiviteteve sportive. Aty gjenë dhe një tjetër basketbollist, që kish bë emër si “Mjeshtër i Merituar Sporti”, jo vetëm te “Vllaznia”, ish – “17 Nëntori” i Tiranes, por edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, Filip Guraziun, edhe ai jo vetëm i larguar nga arsimi, por edhe nga sporti. Edhe këtu në Bushat, ai do të linte gjurmë dhe të mos harrohej nga amatorët e sportit të kësaj zone, kur në Spartakiadën Kombëtare, të Ndërmarrjeve Bujqësore, zë vendin e parë në volejboll, ku gjithnjë ai, luan me pasion, edhe si shuter edhe si trajner.

NJË DRITË NË FUND TË TUNELIT…!

Nuk do të kishte një mbyllje të karrierës sportive, duke kujtuar ato vite sakrifice, në përballjen me reprezaljet e sistemit komunist. Por edhe të viteve të punës, për të siguruar jetesën ne moshën e tretë. Përmbysje e diktaturës komuniste dhe fitorja e Demokracisë, ishte drita që i rikthente atij dinjitetin dhe krenarinë, për të mbajtur të gjallë trashëgimin familjare, që historia për pesë dekada, ia kishte mohuar. Nuk kërkoj që të përfitonte nëpërmjet biografisë, ofiqe e detyra partiake, por vetë personaliteti i tij, ku modestia ishte ajo që e karakterizoj deri në daljen në pension. Shkodra, i kishte borxhe kësaj familje qytetare e me tradita, ndaj një karrige, ishte minimumi për “rehabilitimin”, e një pinjolli të Bushatllinjëve.

Dhe përsëri Skënderi, preferojë të mos ndahet nga sporti.

Në Bashki, ku kryetar u zgjodh z. Filip Guraziu, Skënderit iu afrua posti i Presidentit Olimpik për rajonin e Shkodrës. Në riorganizimin e sportit, përveç Klubit “Vllaznia”, zyra e sportit pranë Bashkisë, do të kishte një rol të madh në zhvillimin  mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive, duke mos harruar rivlerësimin e figurave sportive shkodrane, që ishin lënë nën pluhurin e harresës, nga sistemi diktatorial, që kishin dhënë një kontribut te çmuar, që nga themelimi i Shoqërisë Sportive “Vllaznia”, e para shoqëri në vendin tonë (shkurt 1919), në kampionatet kombëtare, në vitet e Monarkisë së Zogut e, ne vitet e pas mbarimit të Luftës, disa nga këta sportistë të burgosur, të pushkatuar, të internuar dhe jo pak prej tyre, të arratisur jashtë vendit.

Aty në zyrën e sportit, së bashku me inspektorin e sporteve, të ndjerin Mehdi Milla, një figurë sportive shumë e nderuar në Shkodër, u afruan edhe gazetarët sportiv të persekutuar, si Rifat Uruçi dhe historianë për të përgatitur historinë e vërtetë sportive të këtij  qyteti, me një histori të shkëlqyer, përveç artit e kulturës, edhe në  sport. Përkujtimi i përvjetorëve të tillë, si 70 vjetori i rrethit të parë çiklistik në Shqipëri (1925-1995), ku u ftuan pjesëmarrës edhe nga diaspora shqiptare, aktivitet për të cilin kishin shkruar edhe shtypi ballkanik e evropian.

Apo 100 vjetori i garës së parë kombëtare të hipizmit në Shkodër, çka hapi rrugë, organizimit të aktiviteteve të hipizmit, në shkallë kombëtare, apo rikthimi i festave ujit në Shirokë, me pjesëmarrjen e notarëve veteranë, nga të gjithë klubet sportive. Por vetë Skënderi, do të vazhdonte të ishte një sportist në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, me veteranët e atletikës. Në kampionatin Ballkanik të veteranëve, në Sofje, në vitin 1994, për moshat 50-55 vjeç, zuri vendin e parë, në shtytjen e gjyles, po këtë sukses, e arrin edhe në Kampionatin Botëror të atletikës, në vitin 1995, në SHBA-ës.

TAKIMI ME PRESIDENTIN E KOMITETIT OLIMPIK NDËRKOMBËTAR, JUAN ANTONIO SAMARANCH DHE LETËRKËMBIMI ME ISH-KRYEMINISTRIN ITALIAN, E PRESIDENTI I ‘MILANIT’, SILVIO BERLUSCONI.

Vizita e parë një Presidenti të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Shqipëri, (me ftesë të ish-Presidentit z. Sali Berisha) ngjalli shumë interes dhe në takimet që ishin programuar, z. JUAN ANTONIO SAMARANCH, do t’i rezervonte dhe një pritje delegacionit të Komitetit Olimpik Rajonal të Shkodrës, që kryesohej nga z. Skënder Bushati. Më 29 mars 1995. z. Samaranch, ishte i pranishëm në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ku zhvillohej ndeshja në  mes kombëtares së Shqipërisë dhe kombëtares Moldavisë, i shoqëruar nga ish-Presidenti Sali Berisha.

Pas përfundimit të pjesës së parë, në një nga e ambientet stadiumit, z. Skënder Bushati, i dhuroj z. Samaranch, albumin me fotografi e fakte, të rrethit të parë çiklistik të Shqipërisë, zhvillue në vitin 1925, nën organizimin e Palok Nikës, një personalitet i sportit shqiptar.

Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe z. Besnik Dizdari, ish-kryeredaktor i gazetës “Sporti Shqiptar”, i cili i beri jehonë këtij aktiviteti, i pari për amator në Ballkan, në revistën prestigjioze “Le monde, de cyclist”, me kërkesën e zv/Presidentit të FIAC-ujt, Agostino Omini. Z. Sanmaranch, e vlerësoj shumë këtë dhuratë dhe falenderoi z. Skënder Bushati, për kujdesjen dhe angazhimin, si Komitet Olimpik rajonal, në organizimin e të tilla veprimtarive sportive përkujtimore, që diktatura komuniste i kishte lënë në harresë.

Për kohën që Skënderi punoi në këtë detyrë, mbetet si një relike dhe letër-këmbimi me z. SILVIO BERLUSCONI, ish-Kryeministër i Italisë dhe ish-President i Klubit te Futbollit. “Milan”.
Gazeta sportive, “Vllaznimi Sportiv”, që u botue disa numra nga gazetarët sportiv të Shkodrës, si: Rifat Uruçi, Namik Mehmeti, Gaspër Marku, etj., në vitin 1992, në një nga numrat e saj, botonte dhe një letër të Skënder Bushatit, që i drejtohej z. Berlusconi, nëpërmjet z. Mark Berisha, një ish-futbollist i “Vllaznisë” në vitet e para të pasluftës dhe që jetonte në diasporë, një mik i kryeministrit italian dhe i z. Sali Berisha.

Skënderi, në emër të Komitetit Olimpik Rajonal, të Shkodrës, i uronte dhe përgëzonte për sukseset që kish arritur Klubi i Futbollit “Milan” në Itali dhe në Europë, ku në Shkodër, “Milani”, kishte shumë simpatizues. Në rikthimin e tij në Shkodër, z. Mark Berisha, i solli Skënderit falenderime të posaçme nëpërmjet kësaj letre.

Presidenti Komitetit Olimpik Shkodër, Shqipëri

Ju falënderoj për letrën e bukur që më keni dërgue ditët e fundit, nëpërmjet z. Mark Berisha, si dhe për urimet për “Milanin”, kampion i Italisë. Po kaq, ju uroj edhe unë, për “Vllazninë”, kampione e Shqipërisë

E di mirë, çka janë vështirësitë e kushtet aktuale të popullit shqiptar dhe sa i vuan këto edhe shpirti shqiptar. Por, me fitimin e lirisë, gjithçka shumë shpejt, do të përmirësohet, në se do të ketë vullnet dhe shpirt optimizmi, siç e uroj me gjithë zemër.

Besoj edhe unë ashtu si ju, për një zhvillim të lidhjeve midis “Milanit” e “Vllaznisë”, për më tepër, midis Shqipërisë dhe Italisë, jam i sigurt që, e ardhmja do të krijoj më tepër raste takimesh dhe bashkëpunimi’.

Me përshëndetjet më të përzemërta

SILVIO BERLUSCONI

Milano, 14 tetor 1992.

Kjo letër përshëndetjeje, iu dorëzua Skënderit, nga vete Z. Mark Berisha, në një ceremoni që organizoi z. Filip Guraziu, ish- kryetar i Bashkisë, në prezencën e futbollistëve e drejtuesve të ekipeve të futbollit të Klubit Sportiv “Vllaznia”. Por letra e z. Berluskoni, për Skënderin, ishte e shoqëruar dhe me një dhuratë simbolike: “orë dore, për miqtë e  Milanit”.

Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë