Një nga pronat më të njohura dhe më të përfolura të Silvio Berluskonit ka ndërruar pronar.
Villa Certosa, rezidenca luksoze e ish-kryeministrit italian në Sardenjë, është blerë nga ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Katarit, Hamad bin Jasim bin Xhabr Al Thani, për 350 milionë euro.
Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja italiane La Repubblica, e cila raportoi se marrëveshja u finalizua rreth një vit pasi familja e Berluskonit vendosi ta nxirrte pronën në treg.
E vendosur përballë Gjirit të Marinelës në Sardenjë, Villa Certosa nuk ishte thjesht një shtëpi pushimi për Berluskonin. Gjatë viteve kur ai drejtoi qeverinë italiane, vila u kthye në një lloj rezidence jozyrtare verore, ku priteshin figura të politikës ndërkombëtare, biznesmenë dhe të ftuar të shumtë.
Megjithatë, emri i saj u lidh ngushtë me festat e famshme “bunga-bunga”, që e bënë pronën të njohur në mbarë botën. Këto mbrëmje u kthyen më pas në qendër të hetimeve që përfshinë Berluskonin dhe rrethin e tij të afërt.
Proceset gjyqësore lidhen me akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa në fokus të çështjes ishin edhe pretendimet për përfshirjen e vajzave të reja në këto aktivitete. Berluskoni u shpall i pafajshëm, por çështja mbeti një nga episodet më të diskutuara të karrierës së tij politike.
Në artikullin e La Repubblica përmendet edhe Nicole Minetti, ish-higjieniste dentare dhe personazh televiziv, e cila u dënua për rolin e saj në sigurimin e grave për këto evente. Emri i saj u rikthye në vëmendje edhe së fundmi në Itali.
Sipas raportimeve, blerja e Villa Certosa është realizuar përmes një kompanie investimi me bazë në Luksemburg, e lidhur me familjen Al Thani. Kjo familje sundon Katarin prej më shumë se 150 vitesh dhe ka zgjeruar ndjeshëm investimet e saj në Itali, veçanërisht në Sardenjë.
Përveç investimeve në turizmin luksoz, familja Al Thani ka interesa edhe në sektorin e shëndetësisë, përfshirë spitalin Mater Olbia, një nga projektet më të njohura në ishull.
Shitja e vilës konsiderohet edhe një tjetër hap në mbylljen e çështjeve financiare të trashëgimisë së Silvio Berluskonit, i cili ndërroi jetë në vitin 2023. Që prej asaj kohe, trashëgimtarët e tij po zbatojnë testamentin dhe po menaxhojnë pasuritë e krijuara gjatë dekadave të aktivitetit në media, biznes dhe politikë.
Mes përfituesve më të mëdhenj të testamentit janë ish-partnerja e tij Marta Façina dhe vëllai Paolo Berluskoni, të cilët kanë përfituar nga 100 milionë euro secili. Shitja e Villa Certosa mbyll kështu një kapitull të lidhur ngushtë me figurën e Berluskonit dhe një prej pronave më simbolike të karrierës së tij politike.
Komente






