“Gjyshi më mori përdore dhe u drejtuam në një nga tre farmacitë që ndodheshin në atë kohë në qendër të qytetit, ku unë pata fatin e madh të mësoja një fakt që edhe sot ka mbetur i pazbardhur dhe që lidhet me zemrën e balsamosur të Avni Rustemit”, nis tregimin e tij Hametaj.
Duke risjellë në kujtesë ato momente, Agimi thotë se, spicieri(kështu quheshin farmacistët e asaj kohe, që nuk kishin mbaruar të plotë arsimin përkatës, por kishin përvojën), u kishte treguar edhe objektin e rrallë në një kënd të farmacisë, ku gjendej një vazo, brenda të cilës ishte vendosur zemra e balsamosur e Avni Rustemit.
“Farmacisti Thanasko, një nga më të njohurit e asaj kohe, pa shkollë, por me përvojë të madhe në profesion, me kërkesën e gjyshit tim që e kishte mik, na tregoi vazon, brenda të cilës, dallonte një masë të çuditshme, që më thanë se ishte zemra e Avni Rustemit”, vijon më tej tregimin e tij, studiuesi vlonjat.
Ai kujton se, gjyshi e kishte porositur të mos eharronte atë që pa në ato momente, sepse brenda asaj vazoje, me përmasa të konsiderueshme ndodhej zemra e atij që ishte shndërruar në zemrën e djalërisë shqiptare.
“Për Avniun kisha mësuar në shkollë dhe ajo që pashë atë ditë më emocionoi mjaft, saqë spicierin(farmacistin) e njohur Thanasko e shihja si një hero të veçantë, ndërkohë që gjyshin, si idhullin tim që më dha mundësinë për këtë gjë”, shprehet Agimi. Prej tyre ai mësoi edhe historinë e pranisë së atij “objekti” të rrallë në atë farmaci, që Agimi pranon të bëjë publike për herë të parë, përmes ATSH-së.
-Historia e zemrës së heroit të djalërisë shqiptare-
Pas vrasjes së Avniut në Tiranë nga Isuf Reçi, që e qëlloi me dy plumba në ije, si hakmarrje ndaj vrasjes së Esat Toptanit, dr. Zyma i nxorri zemrën dhe e balsamosi atë. Me këtë zemër në vazo, djalëria e asaj kohe u përfshi në revoltat që çuan në Revolucionin Demokratik të Qershorit të vitit 1924. Më pas, zemra, bashkë me trupin u transportuan me anije në Vlorë, ku ajo u ribalsamos nga mjeku i njohur i asaj kohe, dr. Shezai Çomo, drejtori i parë i spitalit të Vlorës dhe njëkohësisht daja i Avni Rustemit. Por, trupi dhe zemra e balsamosur e heroit të djalërisë vlonjate, patën një fat të ndryshëm. Trupi pa jetë i Avniut(i balsamosur) u varros në një nga mjediset publike të qytetit, aty ku do të zbulohej 60 vjet më vonë dhe ku ndodhet edhe sot, pranë godinës së Teatrit “Petro Marko”.
Ndërkohë që për zemrën e tij u vendos ndryshe. Me një komision zyrtar, sipas studiuesit Hametaj, zemra iu dorëzua farmacistit të njohur të asaj kohe në Vlorë, Nasho Qirko, i cili e mbajti atë në farmacinë e vet me numër 1, që ndodhej në qendër të qytetit, pranë vendit të emërtuar “Kapelja”.
“Në këtë farmaci, që vlonjatët e moshuar e mbajnë mend mjaft mirë, unë pata fatin e madh ta shihja nga afër zemrën e Avniut, të cilën e kujtoj ashtu turbull, ashtu sikundër ishte edhe solucioni brenda të cilës ndodhej ajo”, thotë Agimi.
Ai tregon se, zemra e balsamosur e Avni Rustemit ka qëndruar në mjediset e asaj farmacie deri në vitin 1963. Më pas…., nuk dihet se ku ka përfunduar.
“Jam interesuar për fatin e atij objekti të rrallë që qëndroi për pothuajse 40 vjet në mjediset e një prej farmacive të njohura të qytetit, por nuk kam mësuar asgjë”, shprehet 59 vjeçari nga Vlora.
Si shumë histori të tjera edhe fati i saj, mund të ketë mbetur në kulisat zyrtare të kohës, ndoshta për shkak të një synimi të caktuar, apo të paditurisë së ndonjë funksionari lokal.
Përkundër kësaj, eshtrat e Avni Rustemit prehen në vendin ku u vendos 88 vjet më parë. Mbi të, një statujë prej bronzi, evokon figurën e një prej atdhetarëve më të njohur të shekullit të kaluar.
(marre nga atsh/shqiptarja.com)