Historia e vënies në skenë të një
drame kushtuar Nënë Terezës 

Historia e vënies në skenë të një<br />drame kushtuar Nënë Terezës 
TIRANE- Duke e përmendur gjithnjë vetëm me emrin Nënë Tereza, jo vetëm të huajt e mbarë botës, por edhe ne,  shqiptarët anë e kënd trojeve tona, si edhe nëpër glob, ku prej dekadash dhe shekujsh formojmë diasporë, bëjmë të na dalë nga mendja një karakteristikë shumë e veçantë e saj.

Quhet Konxhe. Si të jetë bulëzim luleje, kjo bashkëkombëse me famë globale shpreh më mirë se me çdo fjalë tjetër kuptimin e jetës së vet, misionin e veprës që kreu dhe me të cilën hyri madhështisht në historinë e krejt njerëzimit.

Kjo ishte arsyeja (pra, që të mos e harrojmë këtë emër të bukur kombëtar) përse, kur pas përpjekjesh këmbëngulëse, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa u derdh në bronc një shtatore e Nënë Terezës për t’u vendosur në Sarajevë, që në Tiranë, në shkritoren “Fonderi Arti”, në rripin e ngushtë të bazamentit të saj, ndërsa në një anë do të vendosej emri i skulptorit, në tjetrën u gdhendën fjalët Konxhe Bojaxhiu.

Do ta tregojmë të gjithë këtë histori statujëvendosjeje për vetë domethënien e saj, por më së pari na duket i vyer një episod pararendës, edhe ky i ndodhur në Sarajevë. Në kryeqytetin boshnjak u vu në skenë një pjesë teatrore për të. Quhej “Shenjtorja e errësirës” (“Svetica Tame”). Ishte shkruar nga maqedonasi Venko Andonovski dhe regjisor kishte kroatin Gradimir Gojer. Titulli i pjesës prej vendasve nënkuptohej si shenjtorja që i nxjerr njerëzit nga terri.

Në “Svetica Tame” Nënë Tereza luhet prej aktores me origjinë maqedonase Kostandinka Velkovska. Ajo jeton në Zagreb dhe punon në Teatrin Kombëtar të Kroacisë. Interpretues të tjerë qenë boshnjaket Irena Mulamuhiç dhe Aida Bukva, serbi Dushan Bugarin, boshnjakët Muharem Osmiç, Ahmet Duvnjak dhe Alija Aljoviç, kroati Tibor Oreç. 

Mes tyre në dy role kryesore luajti edhe aktori shqiptar Ilir Tafa, i shumënjohur në trojet e ish-Jugosllavisë për shkëlqimin profesional në serialin zbavitës dhe vetëqortues për të gjithë popujt që përbënin federatën e dikurshme, “Lud, zbunjen, normalan” (“I çmendur, i trëmbur dhe normal”). Deri tani ky serial përfshin pothuaj dyqind pjesë. “Lud, zbunjen, normalan” është një nga krijesat artistike më mbresëlënëse të gadishullit pas rënies së Murit të Berlinit.
 
Shkup, projekti Gruevski: 5,1 milion euro për një shtatore të Nënë Terezës 35 metra të lartë
 
Depërtimi në Ballkan i simboleve shqiptare bën prej shekujsh një rrugëtim të vështirë, siç edhe ndodh e anasjella nga fqinjët. Siujdhesa jonë nuk vetëmbyllet aq shumë prej maleve se sa nga fodullëku lokal, veçanërisht prej krekosjes etnike.

Në trojet shqipfolëse nuk gjen të ngulitur ndonjë emër personaliteti serb, përveç për keq car Dushanin e shtatë shekujve më parë. Nuk ndodhet i mirseardhur asnjë malazez. As edhe ndonjë boshnjak, madje. Dyerhapët simpatia shqiptare mbetet vetëm për kroatin Milan Shuflaj, albanolog që dha jetën për ne.

Ndërkaq prej maqedonasve citohet rregullisht dhe pa ndonjë pezm Aleksandri i Madh. Kjo nuk ngjan patjetër sepse nëna i vinte prej viseve të ilirëve parashqiptarë. Depërtimi i prestigjit të tij brenda trojeve tona nuk na ka ardhur nga kufiri i ngushtë i shtetit fqinj, por prej hapësirave të gjëra të botës, në historinë e të cilës ai ka zenë një vend epror.

Shqiptarët deri në fillim të këtij dymijëvjeçari kanë mundur të kenë me forcë imazhi të përbotshëm vetëm dy figura të tyre: Gjergj Kastriotin dhe Nënë Terezën. I pari ka pesë shekuj që nuk është zbehur dhe nëpër popuj të tjerë legjenda për të qarkullon ende herë pas here. Kulmin e përhapjes e ka pasur në kontinentin evropian për sa kohë për të ekzistonte dhe përbënte rrezik Perandoria Osmane. Me dobësimin e saj fama e tij erdhi dhe u mblodh brenda shqiptarëve, duke u bërë me këtë rast edhe jo vetëm personifikimi i tyre, por edhe koraca e atdhetarizmit.

Figurë përfaqësuese e luftës për liri, Skënderbeu pëlqehet të citohet nëpër mesazhet përshëndetëse të qeverive të huaja dashamirëse apo të shtypet në Tiranë nëpër medalje të Presidencës, të zërë vende qendrore në disa seli të tjera të Shtetit Shqiptar. Ndodhet në të gjitha shenjat njohëse të shkresave administrative, të uniformave ushtarake gjithashtu. Këtë nderim shtetëror Gjergj Kastrioti e ka edhe tek Republika e Kosovës.

Ndoshta për shkak të të gjitha këtyre karakteristikeve Skënderbeu nuk shtrihet dot në tërë Ballkanin, sidomos në pjesën sllave. Me emrin e tij ka vetëm një rrugë dytësore në Beograd, por asnjë bust gjithandej Serbisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës. Një i tillë ndodhet në Ulqin, por si vetëm nismë e shqiptarëve.

Në Malin e Zi madje e mbajnë fshehur lidhjen e gjakut që dera e tyre mbretërore e ka pasur, nëpërmjet një motre të Skënderbeut, me familjen princërore të Kastriotëve. Një monument i lartë i tij ndodhet në Maqedoni, saktësisht në Dibër të Madhe, por aspak si dëshirë e popullsisë sllave të vendit. Një i dytë ngrihet në mes të Prishtinës. Një shfaqje e tretë e tij gjendet në Preshevë, por edhe këtu për hir të shqiptarëve.

Duke qenë tepër shqiptar, imazhi i Skënderbeut hapi udhë për Nënë Terezën, botëroren. Konxhe Bojaxhiu i ka të gjithë treguesit e një figure të pranuar dhe të dëshiruar ndërkombëtarisht. Sa më shumë që e duan atë shqiptarët, aq më tepër ajo vijon përhapjen e saj në glob. Mburren me të edhe maqedonasit, por edhe në rastin e tyre ndodh e njëjta gjë: imazhi i Nënë Terezës nëpër kontinentet e botës vetëm shumohet.

Në Ballkan për këtë veprimtare të shenjtë katolike ka një rivalitet midis shqiptarëve dhe sllavëve të shtetit fqinj me kryeqendër Shkupin. Konxhe Bojaxhiu, e cila tashmë i takon tërë njerëzimit, ka dy atdhe. Edhe pse vetë ajo e ka mbyllur çështjen e përkatësisë së saj etnike, sidoqoftë për ta bërë sa më shumë “maqedonase” kohët e fundit qeveria Gruevski ka miratuar për zbatim një projekt: Nënë Terezës do t’i ngrihet në Shkup një monument 35 metra i lartë. Ai do të kushtojë plot 5 milion e njëqind mijë euro.
 
“Svetica Tame”
 Duke qenë se Skënderbeu është figurë përfaqësuese e shqiptarëve dhe Nënë Tereza jo (sepse është globale), në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, ndodhën njëra pas tjetrës dy ngjarje që lidhen me përhapjen e imazhit të saj në Ballkan.

Humanistja e përbotshme, duke qenë se është bijë e trojeve me shumicë myslimane (territori gjeografik Kosovë-Maqedoni), prej besimtarëve të kësaj feje ka dashamirësi. Në rast se për shkak të këtyre cilësive një pjesë teatrore apo një bust a shtatore e Nënë Terezës është sipërmarrje më e lehtë në Kroacinë apo Slloveninë katolike, nuk është e tillë as në Beograd, por as edhe në Sarajevë.
Sidoqoftë brenda disa muajve ndodhi një gjë gëzueshëm befasuese.

Në kryeqytetin e shtetit të pleksur etnikisht më së shumti mes boshnjakëve dhe serbëve, një diplomat shqiptar u bë protagonist në shfaqjen e një pjese teatrore për Nënë Terezën.
Por edhe në vendosjen e një shtatoreje të saj.

Ky qe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë në periudhën 2009-2014: Flamur Gashi. Çdo vit në Sarajevë organizohet Java e Teatrit, një festival, i cili tërheq shumë vëmendje ndërkombëtare. Regjisori kroat Gradimir Gojer, dikur ministër i kulturës së Bosnjë-Hercegovinës si edhe për disa kohë nënkryetar i bashkisë së Sarajevës, i tha një ditë diplomatit shqiptar se kishte në dorë një projekt, realizimin e të cilit e dëshironte me gjithë shpirt: Në javën teatrore sarajevase me dukshmëri të lartë për mediat dhe opinionin publik, dëshironte të shfaqte pjesën “Svetica Tame”.

I shpjegoi ambasadorit shqiptar se ndërkohë ajo ishte luajtur për publikun në Maqedoni. Nismëtar i saj qe një sllav maqedonas, Venko Andonovski, i cili kishte thurur tekstin dramaturgjik. Edhe pse prej autorit qe hartuar me gjuhën e vendit të vet, Gojer saktësoi se tashmë e kishte edhe një variant të tekstit në serbo-kroatisht, me pak fjalë në gjuhën e përbashkët të dikurshme të ish-Jugosllavisë, e cila përdorej mirë në Bosnjë.

Flamur Gashi e njihte shumë mirë këtë gjuhë dhe i kërkoi lëndën e shkruar. Ai që në fillim nuk mëdyshoi për vlerën e asaj që propozonte Gojer.
Pjesa teatrore për Nënë Terezën në mes të festivalit të përvitshëm do të ishte një mundësi e madhe për ta futur shqiptaren Konxhe Bojaxhiu në mes të qytetit të Sarajevës dhe pak nga pak edhe nëpër qytete të tjera të Bosnjë-Hercegovinës.

Përse jo edhe në zemër të Republikës Serbska, në territorin e vështirë ku dashamirësia jo vetëm për boshnjakët, por edhe për shqiptarët, qe një ndjesi e lënë mënjanë. Gjatë bisedës, në të vërtetë, Gradimir Gojer e kishte paralajmëruar mundësinë që diplomati i Tiranës të gjente çdo arsye për ta anashkaluar bashkëpunimin me maqedonasit, pasi dihej që këta të fundit bënin çmos që Nënë Tereza të konsiderohej e tëra bijë e tyre. I tha Flamur Gashit se shfaqja e kësaj pjese teatrore me skenarist një maqedonas dhe ca më tepër me në rolin e Nënë Terezës një sllave maqedonase, mund të ishte një arsye dhe shkas që diplomati shqiptar të mos i afrohej kësaj nisme të tij.

“Unë dua që këtë pjesë të bukur ta bëj të shikueshme për botën serbo-kroate, tha Gradimir Gojer, Sarajeva dhe java e saj teatrore është vendi i duhur për këtë hyrje të saj”.
Dhe pyeti: “Mos na pengon ndonjë gjë?”

Gashi ia ktheu: “Që autori i dramës është maqedonas, që aktorja e cila luan Nënë Terezën është maqedonase dhe qe pjesa fillimisht është interpretuar në Maqedoni, nuk na pengon fare”.
Tjetri, jo pak i lehtësuar, i tha se tekstin e dramës e pati lexuar edhe kardinali Vinko Puljiç, hierarku më i lartë katolik i Bosnjë-Hercegovinës dhe kur ia kishte kthyer i pati pohuar se e kishte lexuar për tërë natën dhe se pati qarë. Fjalët e tij të fundit kishin qenë “Më ka tronditur kjo pjesë”.

Pastaj saktësoi se Puljiç jo vetëm qe dakord që “Svetica Tame” të shfaqej në festivalin teatror të Sarajevës për atë vit, pranverë 2014, por për ta shpejtuar këtë proces ishte gati edhe ai vetë të ndihmonte në një përshtatje të tekstit. Do të ishin ndërhyrje teknike. Duke qenë se Venko Andonovski ishte një i krishterë ortodoks në disa skena liturgjike të dramës i pati paraqitur ritet e kësaj feje pak të përputhshme me ato të praktikës katolike.

Flamur Gashi e mori tekstin për ta lexuar dhe në shenjë mirënjohje regjisorit kroat me jetesë dhe punë në Sarajevë, Gradimir Gojer, i dhuroi një kopje të albumit më të mirë që deri tani është bërë për Nënë Terezën: atë të dom Lush Gjergjit, kancelar i ipeshkëvisë së Kosovës.

Botimi i tij qe bërë me fonde të qeverisë së saj, kur president dhe përkujdesës kryesor për këtë nismë ishte Ibrahim Rugova.
Ambasadori Gashi e lexoi pjesën dhe e gjeti atë mjaft të baraspeshuar në paraqitjen e raporteve shqiptaro-maqedonase të lidhjes me jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Venko Andonovski e pati shkruar që në fillim se Nënë Tereza ishte e përkatësisë etnike shqiptare.
 
Beteja për sponsorizim, luftë flamujsh kombëtarë
Pas tre ditësh Flamur Gashi u ritakua me Gojer dhe i ktheu përgjigjen: qe plotësisht dakord që “Svetica Tame” të luhej në Javën Teatrore të Sarajevës. Gradimir iu përgjigj se kjo e gëzonte shumë dhe se vendimi i ambasadorit shqiptar do ta bënte shumë entuziast edhe kardinalin Vinko Puljiç.

Pasi e njoftoi katolikun e lartë brenda asaj dite procedura e nismës mbërriti në pikën e dytë: përballimi i shpenzimeve. Ajo do të kushtonte 18 mijë euro. Gjashtë mijë i pati premtuar Puljiç, gjashtë mijë të tjera shoqata kroate “Napredak”, e shumënjohura bashkësi që ndihmon në fushën e kulturës. “Napredak” (“Përparimi”), gjatë pesë viteve të rrethimit gjakatar serb të Sarajevës qëndroi në qytet, duke përgatitur çdo ditë për të uriturit e saj 2800 racione ushqimore. Drejtues i kësaj shoqate është një hero, monsinjor Franjo Topiç, ipeshkv, kroat katolik, person me një reputacion aq të mirë sa në çdo kohë mund ta zgjedhësh president të Bosnjë-Hercegovinës.

Kështu mbeti të zgjidhej sponsorizimi me gjashtë mijë eurot e treta. “Nuk  e di nëse ju, tha Gradimir Gojer, jeni të interesuar të jepni diçka?” “Patjetër”, iu përgjigj ambasadori Gashi. Ndërkaq saktësoi: “Shteti shqiptar do të japë 4000 euro, 2000 le të jenë kontribut i Shkupit”.

Sapo u ndanë ai i bëri shkresë Ministrisë së vet dhe priti përgjigjen. Kaluan tre javë dhe regjisori i “Svetica Tame”, që me sa duket e kuptoi se në ambasadën shqiptare nuk po ja dilnin dot të siguronin shumën e zotuar, iu paraqit Flamur Gashit dhe i tha: “Ju vë në dijeni se ambasada maqedonase më është ofruar t’i japë të gjitha gjashtë mijë eurot”.

“Në mënyrë absolute jo, ndërhyri diplomati shqiptar, do të japim edhe ne, madje pjesën më të madhe”. Tjetri e pa me mëdyshje. I shkoi në mend se raporti mes Tiranës dhe Shkupit mund të rregullohej edhe me 3.500 euro për të parën dhe 2.500 për të dytën. Ia shprehu këtë Gashit. Ky nuk e kundërshtoi. E kujtoi sërish Ministrinë e vet të mundësonte këtë financim.

Kishte plot arsye të këmbëngulte edhe njëherë tjetër në idenë e vet. Nënë Tereza ishte shqiptare dhe jo vetëm për hir të kësaj simbolike, pjesën më të madhe të gjashtë mijë eurove duhej ta paguante vendi i tij. Ndërkohë ky raport me ambasadën maqedonase në Sarajevë përcaktonte edhe radhën e shenjave me flamuj që do të vendoseshin në afishet nëpër mjediset publike dhe në media, si edhe nëpër ftesat kryesore të shfaqjes. Po të kontribuonte ambasada shqiptare me një shumë nën tremijë euro kuqeziu me shqiponjën e zezë do të rrinte në fund të sponsorizuesve, pas flamurit të Republikës së Maqedonisë.

Pritja e një përgjigjeje nga Tirana çdo ditë e më shumë bëhej e pashpresë. I rishpjegonin gjendjen e shtrëngimit të fondeve, pakicën e tyre, ambasadat e tjera që kërkonin për punë jo më pak të rëndësishme.  .
Kështu mbërriti dita e mbledhjes së parë të trupës, prej të cilit çast, në ditët vijuese, do të fillonte procesi i provave për shfaqje. Kjo periudhë, deri tek Java Teatrore, qe dy muaj.
Ambasadori Gashi mori pjesë në këtë takim solemn, i cili ishte njëkohësisht edhe konferencë për shtyp, por shpirtërisht ndihej mjaft keq.

E dalloi gjendjen e tij të turbulluar aktori Ilir Tafa dhe iu avit fare butë. Kur e gjeti rastin e pyeti përse qe ashtu, mos kishte ndonjë hall familjar. Flamur Gashi më në fund ia pohoi arsyen.
Tjetri vuri buzën në gaz: “2500 euro do t’i jap unë prej honorareve që marr nga filmi “Lud, zbunjen, normalan”.

Ilir Tafa erdhi pas një ore me paratë kesh. Ia dha në dorë: “Mos e thuaj kurrë se janë dhuratë e imja, por deklaro ballëlart se i ka vënë Ambasada e Republikës së Shqipërisë!”
Të nesërmen Flamur Gashit i erdhi nga Tirana fondi i pagës së tij mujore. Mori 1000 euro prej saj dhe i bashkoi me të parat.
Kështu u bënë 3.500 euro. Ia dorëzoi menjëherë Gradimir Gojerit.
skene

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Hapen 8 kutitë e para! Vangjel Tavo thellon diferencën! Ka marrë 1324 vota, Gjikuria 604

Hapen 8 kutitë e para! Vangjel Tavo thellon diferencën! Ka marrë 1324 vota, Gjikuria 604