KORÇË- Klijon Jazxhi është vetëm 7 vjeç. Ai ka ardhur në jetë nga dy prindër të cilët nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, por për fat të mirë Klijoni nuk i trashëgon kufizimet që kanë prindërit.
Klijon është i njohur nga të gjithë në zonën e tij, në fshatin Braçanaj të Devollit, për aftësinë e veçantë që ai zotëron……. gjuhën e shenjave.
Ishte fare i vogël, ende pa mbushur 5 vjeç, kur kuptoi se kjo gjuhë do të ishte e vetmja urë lidhëse përmes së cilës ai do të prekte dhe ndjente më nga afër fjalët e ngrohta të dashurisë prindërore, e ku do të shprehte dëshirat e do të merrte këshillat e tyre.
Përpjekjet e para për të mësuar këtë gjuhë ai i filloi kur ishte me duar ende të njoma, teksa mundohej të përcillte fjalët e babait tek edukatoret e tij. Me zgjuarsinë, që qartazi i lexohet ne sytë plot shkëlqim, Klijon tregon sesi filloi dhe arriti të flasë në mënyrë perfekte gjuhën e shenjave, gjuhën që ai e njeh si gjuhën e mamit dhe të babait.
Klijon: Ka qenë e vështirë kur isha 5 vjeç.
Gazetarja: Tani është e vështirë të merresh vesh me mamain dhe babin?
Klijon: Me gjuhën……me të folurin me gishta.
Gazetarja: Kur e ke mësuar?
Klijon:Qëkur isha 5 vjeç.
Gazetarja: Si e ke mësuar gjuhën e shenjave? Ke shkuar diku? Të ka mësuar një profesionist? Ke shkuar në shkollë?
Klijon:Kam parë kur llafoseshim mami me babin dhe e kam mësuar.
Gazetarja: E ke mësuar pas prindërve?
Klijon: Po.
Gazetarja: Ka qenë e vështirë ta mësosh këtë gjuhë?
Klijon: Ka qenë në fillim kur e fillova. Ishte pak e vështirë dhe pastaj e mësova me lehtësi.
Gazetarja: Tani arrin të komunikosh për të gjitha me prindërit?
Klijon: Po.
Gazetarja: I kupton të gjitha?
Klijon: Po.
Sfidën që e ktheu në aftësi, Klijoni tashmë ka filluar t’ia mësoje edhe vëllait të tij të vogël.
Klijon: Vëllai im është 4 vjeç.
Gazetarja: Po ja mëson edhe vëllait?
Klijon: Po ja mësoj. Ai ja bën i vogël i madh, kështu ja bën.
Gazetarja: Këto shenja vëllait ja ke mësuar ti?
Klijon: Edhe unë edhe mami edhe babi.
Gazetarja: Mendon se edhe ai do ta mësoje gjuhën e shenjave ashtu sikurse ti?
Klijon: Po ai do. Edhe unë e ndihmoj. Edhe Gabri nuk është aq i mirë kështu për të folurit me gishta. Belbëzon dhe thotë do vete në Bilisht. E ngatërron.
Gazetarja: T’i do i qëndrosh afër vëllait dhe do i mësosh këtë gjuhë?
Klijon: Po unë këtë dua që të t'ia mësoj.
Gjyshja e Klijonit, sot 78 vjeçe, shprehet se në familjen e tyre ai është zgjidhja e çdo barriere që sjell mungesa e dëgjimit dhe komunikimit të prindërve.
Gazetarja: Po kur mami me babin dalin në rrugë dhe kanë vështirësi të komunikojnë me njerëzit?
Klijon: Më marrin dhe mua. Llafos unë kur nuk e kuptojnë.
Gazetarja: Pra gjithmonë kur ata dalin ty duhet të të ken me vete?
Klijon: Po
Gjyshja: Zoti tani bëri mrekullira që ai u mësua edhe i vogëli dhe flet. Kur ata llafosen unë nuk i marr vesh. E merr fjalën djali dhe ma sqaron mua.
Gazetarja: Arrin që të komunikoje për gjithçka me prindërit?
Gjyshja: Për të tëra llafos.
Gazetarja: Merret vesh me to gjithmonë?
Gjyshja: Komplet për të gjitha fjalët.
Gjyshja: Klijoni është i mrekullueshëm. Edhe është pak trazovaç.
Me rrudhat e moshës ajo rrëfen edhe merakun që e gërryen çdo ditë. Si do të jetë e ardhmja e familjes së saj, e cila përveç problemeve shëndetësore duhet të përballet edhe me varfërinë.
Të ardhurat e tyre të vetme janë 196 mijë lekë të vjetra të cilat i përfitojnë nga pensioni i saj e kempi i babait të Klijonit, të pamjaftueshme për një familje si kjo ku vështirësitë janë të mëdha .
Gjyshja: Unë sot për sot jam. Por vitet po ikin. Do bëje punën e tijë zoti. Arrita 78 vjeç. Burri më vdiq nga 2 muaj. 10 mijë lek më merr djali. Unë marr 96 mijë lekë. Pension koperative. Mundohemi edhe me pak prodhime.
Gazetarja: Po nusja nuk merr kemp?
Gjyshja: Jo nuk merr. U mundova unë, por nuk e rregulluam. Meraku im më i madh është si do të jetojnë kur nuk do të jem unë me një të ardhur prej 100 mijë lekësh që merr djali. Sado të marrësh në fushë nuk dalin. Çfarë do të bëjë djali vetë me dy fëmijë të vegjël. Ju them mos u zini se jeni mirë. Babi po mundohet. Mami po me aq mundësi sa ka në shtëpi. I lan, i ndërron, i çon si më mirë në shkollë e kopsht.
Ne shkuam edhe tek shkolla ku ai mëson. Mësuesja e tij ndan me ne habinë e saj kur ka mësuar faktin se Klijon flet këtë gjuhë që jo të gjithë mund ta arrinë. Ajo tregon se komunikimi me prinderit e djaloshit bëhet mjaft i thjeshtë përmes tij.
"Klijoni është nxënësi im i klasës së parë. E kam marrë që më 16 shtatorë. Kam marrë informacione për prindërit e tij që flasin gjuhën e shenjave. Dhe mendova në fillim sesi do të komunikoja me prindërit sepse nuk e dija se edhe djali di gjuhën e shenjave. Më pas e mësova këtë fakt dhe për çdo gjë me prindërit komunikoj me anë të djalit. Gjë që më ka habitur shumë dhe më ka pëlqyer shumë zgjuarsia e tij. Dhe në mësim është nxënës shumë i shkathët. Futet tek nxënësit më ët mirë. Ka interes për mësimin. Vjen gjithmonë i përgatitur", u shpreh mësuesja Rusi.
Ndërsa drejtoresha e Shkollës, krenare për aftësitë dhe rezultatet e shkëlqyera të Klijonit në mësime, kujton njohjen e hershme me të dhe aftësinë e tij. Në fjalën e saj ajo përcjell edhe apel për ndihmë për familjen Jazxhi, mundësitë e së cilës janë të pakta.
"Klijonin e njoh që nga kopshti, pasi unë drejtoj këtë shkollë. Shkolla jonë e fillon ciklin që nga kopshti në të nëntën. Më bënte përshtypje kur ishte në kopsht që klijoni kaq i vogël ndihmonte babanë e tij që të komunikonte me edukatorët. Është në klasën e parë tani. Para disa ditës bëra një diktim dhe Klijoni doli i pari dhe më i sakti. Për pjesën e komunikimit me prindërit, zgjidhja jonë është Klijoni. Janë prindër të interesuar. Pavarësisht kushteve ekonomike jo të mira që ata kanë. Përpiqen që të ndihmojnë fëmijët, por ajo është shumë e vogël. Pavarësisht se ata i kanë marrë librat falas atyre ju duhen edhe gjëra të tjera. Nëse do të krijohej një mundësi që kjo familje do të ndihmohej ne do të ju ishim shumë mirënjohës. Jo vetëm ne si mësues por edhe pjesa e komunitetit", tha drejtoresha.
I pasur në shpirt, plot optimizëm, interes dhe kureshtje, i vogël, por i madh në mendime dhe aftësi…… ky është Klijon.
Zemer e vogel
Përgjigju