Historia/ Klementina: Për fëmijët
mbrojta dhunuesin e vajzës

Historia/ Klementina: Për fëmijët<br />mbrojta dhunuesin e vajzës
TIRANE - Ajo ka mbledhur plaçkat dhe po bëhet gati të shkojë diku gjetkë. Dy-tre qese me rroba, pak enë dhe disa foto. Kjo është e gjithë pasuria e Klementina.C dhe dy fëmijëve të saj. Jeta e saj ka kaluar mes brengash dhe vuajtjesh, me lotëve, talljeve dhe paragjykimit. Por veten e saj ajo edhe mund ta harrojë e ta lerë pas dore. Por jo vajzën e vogël. Vëllai i saj të zgjat me druajtje dy vizatime, është e motra dhe një ujk që mban në gojë një zog të vogël. Eshtë një nga historitë e shumta të dhimbshme që mbushin këtë vend, e që pak i marrin vesh, sepse të pambrojturit nuk i mbron njeri, e ligji i xhunglës  është shumë i fortë. Kjo është një histori e njerëzve pa ndjenja, e të egërve pa caqe. Një histori shqiptare, nën dritat e integrimit.
 
NË KRANE
 
Fshati Krane ndodhet përballë Mesopotamit, 11 kilometër larg Sarandës. Ndoshta do të vazhdonte të njihej vetëm nga pak qindra vetë që do të kishin të bënin me të, sikur të mos ndodhte një ngjarje në shtëpinë nga e cila Klementina ka hequr plaçkat dhe bëhet gati të ikë. Vajza e saj u dhunua seksualisht nga bashkëjetuesi i saj. Ky ishte denoncimi që kjo grua 34 vjeçare, e ndarë nga burri, por e padivorcuar, bëri në komisariatin e Policisë së Delvinës. Panajot Anagnosti, hyri menjëherë në listat e policisë. Pedofilia, sidomos në këto kushte, mund t’i shkaktonte një “martesë” të gjatë me hekurat e burgut.

Grupi hetimor ka kryer menjëherë veprimet dhe ekspertizën për të faktuar gjithçka. Mjekoligjorët vërtetuan kryerje të marrëdhënieve seksuale me vajzën, dhe menjëherë është marrë urdhër arresti, e pas kërkimeve kanë gjetur Panajotin, i cili ishte fshehur në fshatin Mesopotam. “Më kërcënuan”, thotë Klementina. Ajo përmend avokatin, deklaratat që i dhanë të nëshkruante; "kam firmosur aq shumë, pa ditur ça shkruhej, doja të mbaronte shpejt e shpejt.

"Më vunë nën presion se nëse nuk e mbroja Pandon do hyja dhe unë në burg, se fëmijët do m’i merrte shteti dhe kështu zgjodha atë që më thoshte avokati mbrojtës, madje u bëra më avokate se avokati. U habitën dhe në Tiranë kur te Avokati i Popullit ku më çoi avokati mbrojtës kërkova lehtësira për Pandon, askush s’më pyeti mua ku jetoja, si ishin fëmijët e mi, të gjithë merrnin ç’u jepte avokati dhe Kosta, babai i Panajotit", thotë ajo pa shumë zë.

Gruaja e vënë nën presion nga avokati i Panajotit  dhe nga familjarët e tij se duhet të hynte në burg për arsyer se nuk e kallëzoi krimin që në fillim, u përpëlit në rolin e një gruaje që mbronte një burrë pas hekurave, një burrë që fëmijët i detyronte t’i thërrisnin "babi", për tu dukur në sytë e gjytares..

Klementina thotë se ndihet e dobët dhe e sulmuar, po ajo nuk do të dorëzohet. “Panajoti më telefonon nga dhomat e paraburgimit dhe më shan. Do të më rrjepë thotë nëse po kërkoj sërish rihapjen e çështjes. Ka telefonuar sot katër herë”, thotë ajo dhe tregon celularin me numrin e dhomës së paraburgimit Sarandë, se ai ende nuk është trasferuar në burg. Ajo vazhdon punën në fabrikën e vajit në fshatin fqinjë dhe fëmijët kaluan ca ditë te prindërit e saj, e tani presin ndërrimin e banesës.
 
HISTORIA VAZHDON...
 
Klementina tregon për ditën “e zezë”. Kur kish hyrë në shtëpi e gjeti atë në shtrat të veshur me të brendshme dhe vajzën e mitur të përdorur,  nuk deshi të besonte. I kërkoi bashkëjetuesit të pohonte se s’kish ndodhur gjë...ai në shtratin të cilin e kish ndarë me të kaq kohë, me rrobat e zhveshura, kish bërtitur, kish fjetur e kish ikur pa folur nga shtëpia.

Më pas ajo shkoi në materintetin e Sarandës që të qetësohej për të vërtetën. Mjeku i kërkoi letrën nga komisariati. Ajo u riparaqit me vajzën dhe oficerin e komisaritit. L.C ju nënshtrua vizitës “si një grua e rritur”. “Mjeku futi gishtin në brendësi, aq e hapur ishte vajza”, kujton ajo. I njëjti shënim dhe nga eksperti ligjor në Gjirokastër. Panajoti u fsheh derisa sa policia e kapi. Por 3 ditë më pas presioni i avokatit mbrojtës dhe frika nga burgu se kish heshtur për deflorimin e hershëm, e bënë të ndryshonte thënie, "mbase s’e ka bërë". Përgjimi i përballjes me Panajotin, dhe ajo e  dinte dhe Panajoti se po përgjoheshin. "Ai fliste gjëra të ndryshuara unë të vërtetën e kapjes...nuk di ku përfundoi ai përgjim...", thotë ajo. Në vendimine gjykatëses ai është zhdukur. Kështu provat u rrëzuan me përjashtim të rrëfimit dhe trupit të vogëlushes.

Më pas, me ndërhyrjen e avokatit mbrojtës, dhe me ndihmën e gazetares Sh.D, gjetën si kontakt ekspertin Estref Shaqiri dhe motrën e  tij Blerinën, të cilët kryhen vizitën në një klinikë private para mjekësisë ligjore, tregon K.C, se ajo kish parë sesi deflorimi i vjetër i voglushes u shndërrua në “Virgjëri”, dhe ajo heshti, pasi ishte vonë për t’u kthyer pas, “më priste burgu dhe do t’i humbisja fëmijët, pasi po më akuzonin se e dija më parë që ai e përdorte vajzën time. Unë nuk kam aditur asgjë deri kur mbërrita në shtëpi dhe e gjeta situatën vetë”, thotë ajo e përlotur.
 
FËMIJËT
 
Po tragjedia e kësaj gruaje nuk mbaron këtu. Fëmijët, me një inteligjencë natyrale, qëndrojnë shumë të lidhur me nënën larg “babait Panajot”, por për ta askush nuk ka ofruar të paktën asistencë; ata s’mund ta kalojnë kaq lehtë traumën... Por kryetari i komunës Mesopotam, Themistokli Kaishi nuk e ka të qartë ligjin e ndihmës të njerëzve në nevojë, të drejtat e shtetasit shqiptar në nenin 1 të Kushtetutës. “Gruaja dhe dy fëmijëte saj nuk janë banorë të komunës, nuk kam pse ti ndihmojë. Ata nuk rezultojnë të jenë banorë të komunës, në Krane mbase punojnë 100 njerëz, ç’ punë kam unë me ta, komuna s’mund të jetë përgjegjëse. Psikologët le të merren me ta”, thotë ai dhe ndoshta. Si do rriten ata fëmijë?! Një Zot e di, sepse shteti nuk di gjë...
 
DASHURIA
 
Panajoti e takoi Klementinën teksa ajo shkonte në punë, në fabrikën e vajit. Për gruan ishte një histori pasioni, dhe ajo vendosi të hedhë pas krahëve martesën e dështuar me një burrë që e dhunonte, jo punëtor, që deri atëkohë vazhdoi pse ai ishte babai i dy fëmijëve. Ndoshta me Panajotin... ”Por nga shiu në breshër”, thotë ajo. Ledina dhe Leandi, fëmijët e saj, tashmë nuk shkojnë edhe aq mirë në shkollë, kanë një farë rënieje, vajza më shumë. Kjo kuptohet. Klementina psherëtin, psherëtin gjatë. Mbi supe i ka rënë një barrë e rëndë, barra e jetës, e fëmijëve. Zgjedhjet e saj dështuan, por gjithsesi ajo nuk është dorëzuar. “Do të luftoj për këta fëmijë”, thotë ajo e vendosur. Dhe punon çdo ditë.
 
HETIMET
 
Dëshmia e saj nuk u mor në mbrojtje. As viktima, vogëlushja e traumatizuar. Nën kthetrat e avokatit mbrojtës ato u bënë kavjet ku u eksperimentua me presion për të provuar se asgjë s’ka ndodhur. Madje në vendimin e ekspertëve në Tiranë voglushja shpallet "e virgjër". “Gjithçka, tregon ajo, kundrejt pagesës 50 mijë lekë për ekspertë të paguara në praninë time dhe avokatit mbrojtës të Panajotit. Raporti i ekspertëve në Tiranë u kërkua nga avokati mbrojtës. Si fillim nuk u pranua nga prokurori më pas po..." Vendimi i paapelueshëm i gjykatëses, ka një mori nxitimesh’ emrin e komisariatit, thëniet që justifikojnë Pandon dhe shumë pak vend përshkrimi i aktit kriminal nga vetë voglushja, një përshkrim i pandryshueshëm, i përshkruar në detaje dhe në fjalor të rrituri, pavarësisht kohës. Dënimi nënminimum u përfol nën zë, por tani është i paapelueshëm.

Para dy ditësh në Gjykatën e  Sarandës, Klementina u paraqit për të marr urdhër mbrojtjeje me qëllim që të afërmit e Panajotit të mos i bëjnë presion, tani që ajo nuk u duhet më, pasi vendimi u shpall në 5 korrik dhe afati i apelimit të vendimit të gjykatës ka përfunduar. Këtë herë të afërmit e Panajotit ishin në seancë, pala që kërkon largimin e saj nga fshati. “Në fakt në fletët e dosjes së kësaj historije mungojnë hetimet mbi arsimimin, martesat e bashkëjetesat e Panajotit. Hetimet janë rrotulluar mbi thëniet e ndryshueshme dhe raportin e ndryshuar të ekspertëve në Tiranë që lëshuan një fletë pa vizituar vajzën; thjesht një fletë mbi fletën e klinikës private në Tiranë”, kujton Klementina.
 
Gëzim Guga, oficeri i policisë gjyqësore që kreu hetimet e para thotë se “jetojmë në Shqipëri dhe jo në Zelandën e Re, dhe se ai kish bërë maksimumin e detyrës, madje kush e ndaloi gjyqtaren të kërkoj më shumë të dhëna, po prokurorin”...

Ajo që pohon oficeri përkon me shqetësimin e Klementinës. Ajo tregon se vetëm dëshmia e vajzës së mitur nuk u arrit të ndryshohej, ajo është dëshmia më tronditëse. Përpos që askush nuk hetoi mbi të shkuarën e të dyshuarit Panajot Anagnosti: vdekje me aksident e gruas së parë, martesa dhe bashkëjetesa me gra që kanë fëmijë të mitur...dhe çuditërisht hetimet e prokurorit Julian Çafka kornizohen vetëm në 24 orët e ngjarjes.
Ajo tregon se ai, Pando, insistoi në largimin e djalit të saj te prindërit dhe se gjatë 6 muajve të parë të vitit 2012 djali qëndroi në Lushnje te të afërmit e saj, dhe vajza e ajo me Panajotin në Krane. Madje pas kthimit të djalit kujton se ndodhte që Panajoti mbyllej me vajzën dhe djalin e linin jashtë.

K.C nuk ka harruar as paralajmërimet e ish bashkjetueses para saj, A.N e cila e kish larguar fëmijën vajzë e më pas ishte larguar dhe vetë nga Panajoti. Por në hetime asgjë nuk u përcoll, madje në rreshtat e shënuar ndihet tendenca e ikjes nga e vërteta. K.C u vu nën presion për të devijuar rrjedhën, u rrëzuan nga avokati mbrojtës akuza e përdhunimit të voglushes 9 vjeçare u zëvendësua me “Vepra të turpshme”, u harrua fjala e mitur dhe dënimi nën minimumin ligjor. Dhe ajo mbetet një grua që doli në mbrojtje të dhunuesit...

Por ajo nuk do të dorëzohet më,...”kam nevojë që shteti të më lërë t’i rris fëmijët e mi, dua të vërtetën ta rigjej, ajo që më bëri me vajzën është e rëndë, po më e rëndë është mbrojtja që doja, apo s’doja bëra për të mos i humbur fëmijët e mi”...
 
EPILOG

Kjo ishte historia e kësaj gruaje, fëmija e së cilës do të rritet tashmë me një traumë jo kollaj të shlyeshme. Të zhytur në atë padijen, frikën dhe turbullirën që shkakton pashkollimi, e ardhmja dhe fjalët e botës, shohin si shpëtim vetëm dy krahë të fortë burri, që edhe mund t’i rrahë, të pijë e të bëjë qejf. Por kjo është edhe historia e disa pjesëve të shtetit që ndoshta kanë harruar se çdo të thotë fëmijë dhe çdo të thotë të jesh human. Ky është realiteti I hidhur shqiptar, larg dritave të kryeqytetit dhe megabajtëve të internetit.
 
KOMUNIKATA E DËRGUAR NGA ZËDHËNËSI DIONIS DULAJ
 
Më datë 20.10.2012 në Komisariatin e Policisë Delvinë është paraqitur shtetasja me inicale K. C., e cila ka kallzuar faktin se para disa ditësh me vajzën e  saj e 8-vjecare është abuzuar seksualisht nga shtetasi: Panajot Anagnosti, vjec 47 banues në fshatin Krane, Delvinë, me të cilin kjo shtetase bashkëjetonte së bashku me dy fëmijët e saj, (vajzën dhe një djal). Menjëherë për këtë rast është ngritur një grup i posacëm hetimor i cili ka kryer të gjitha veprimet hetimore  dhe ekspertizën e nevojshme mjekoligjore nga e cila ka rezultuar se me vajzën e mitur  është kryer marrëdhënie seksuale.

Gjithashtu mbas disa orë kërkimesh intensive, rreth orës 02.00 të natës,  është bërë është e mundur gjetja në fshatin Mesopotam të Delvinës dhe  dhe arrestimi i shtetasit Panajot Anangnosti i cili ishte fshehur pas kryerjes së krimit.
Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për ndjekje të mëtejshme për veprën peanle “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100q1 i Kodit Penal.

Klementina me dy fëmijët e saj
(Në foto: Klementina me dy fëmijët e saj)

Panajot Anagnosti
(Në foto: Panajot Anagnosti​)

1- Faksimile e dëshmisë mjeko-ligjor në Tiranë, 2- Faksimile e raportit të parë në Sarandë, 3- Faksimile e vendimit të gjykatës Sarandës me logo
(Në foto: 1- Faksimile e dëshmisë mjeko-ligjor në Tiranë, 2- Faksimile e raportit të parë në Sarandë, 3- Faksimile e vendimit të gjykatës Sarandës)

Vizatim i vëllait të vajzës me logo
(Në foto: Vizatim i vëllait të vajzës)

Vizatim i vëllait të vajzës 2 me logo
(Në foto: Vizatim i vëllait të vajzës)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria pret samitin e NATO-s në 2027! Ministri Hasani: Aktiviteti në kalendarin e aleancës, kemi nisur përgatitjet! Drejtori e re në ministrinë e Jashtme për shqiptarët në rajon

Shqipëria pret samitin e NATO-s në 2027! Ministri Hasani: Aktiviteti në kalendarin e aleancës, kemi nisur përgatitjet! Drejtori e re në ministrinë e Jashtme për shqiptarët në rajon