Historia e shqiptarëve sipas
letërkëmbimeve shekullore

Historia e shqiptarëve sipas<br />letërkëmbimeve shekullore
Në botën shkencore, kërkimet dhe hulumtimet burimologjike arkivore janë themele të sigurta për rishikimin dhe rishkrimin e historisë për periudha të ndryshme kohore duke përmbyllur debate apo duke hapur të reja, për çështje të diskutuara të fushave të ndryshme. Dokumentet jo rrallëherë janë keqinterpretuar, kanë shkaktuar dyshime e rezerva, janë marrë si të dyshimta ose fallsifikate, sepse janë botuar nga autorë të papërgatitur profesionalisht, jo-specialistë të fushave përkatëse, duke iu shmangur herë me pa qëllim e herë me qëllim kritereve edituese shkencore dhe më kryesorja duke mos u botuar në mënyrë integrale, ashtu siç janë në origjinal, por duke bërë shkurtime ose ndërhyrje herë të paqëllimshme e herë të qëllimshme për të ‘ndrequr, saktësuar apo rregulluar’ një datë, një pohim apo ide përmbajtësore të burimit përkatës.

Botimet e dorëshkrimeve, dokumenteve e letërkëmbimeve janë një sfidë e madhe për studiuesit, sepse siç dihet, kërkohet përgatitje e lartë profesionale, njohje e thellë e gjuhëve të përdorura gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: frengjishtes, gjermanishtes, anglishtes, italishtes, greqishtes, sllavishtes, turqishtes, rumanishtes etj, por edhe për leximin e dorëshkrimeve dhe për transkriptimin e tyre (paleografi), pastaj krahasimet me burimet e tjera relevante të kohës (diplomatikë) dhe natyrisht studimet përcjellëse për historikun e dorëshkrimit, dokumentit, letrës si dhe kohën e krijimit të tij, rrethanat në të cilat është shkruar, autorin dhe në fund saktësinë e origjinalitetin. Për të qenë sa më afër të vërtetës, jo vetëm historike por edhe shkencore, kur ua lejojnë mundësitë financiare, shumë autorë i shoqërojnë botimet e tyre të dorëshkrimeve dhe dokumenteve me faksimile të origjinalit. Këto veprime, janë me interes të madh për studiuesit e fushave të ndryshme, sepse aty, ata, në pamundësi për të shkuar në vend ku ruhet origjinali i dorëshkrimit apo i dokumentit përkatës, kanë mundësi të shikojnë të gjitha elementet që ofron ai burim historik. Në anën tjetër autorët që botojnë një vepër të tillë në njërën anë kalojnë një “test” para kolegëve të fushës përkatëse, të cilët kanë mundësi të vënë nën “lupë” gjithë punën e tyre profesionale dhe në anën tjetër, vetë ata, largojnë dyshimet e mundshme, të cilat herë-herë janë të theksuara për vetë dorëshkrimin apo dokumentin.

Janë shumë të rralla rastet, kur një dokument burimologjik, botohet i shoqëruar më faksimilin e origjinalit, i transkriptuar ose i transliteruar, i përkthyer e i komentuar, i ballafaquar me burime të tjera relevante të kohës të drejtëpërdrejta ose të tërthorta për t’iu vënë në dispozicion studiuesve, historianëve dhe të interesuarve të tjerë, siç është rasti me veprën: “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” të autorëve Skender Blakaj e Ismail Ismaili.
Analizat e situatave historike, paraqitja e sfondit politiko-fetaro-kulturore, studimet e thelluara për figura e personalitete të Rilindjes Kombëtare, qëmtimet e kujdesshme deri në hollësi të informacioneve ekzistuese, shënimet plotësuese në referenca që janë me vlera të veçanta shkencore, që nuk janë vetëm ‘sqarime apo saktësime’ të rastit, por shpesh edhe debate e studime të thella shkencore, tregojnë për skrupulozitetin dhe seriozitetin me të cilin autorët i janë qasur punës për veprën e tyre, duke u futur thellë nëpër labirthet e historisë për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë historike prej 3151 vitesh, përkatësisht prej vitit 1238 para Krishtit e deri në vitin 1913! (Megjithatë, duhet të saktësojmë, se kjo periudhë është vazhduar në pjesën e fundit të librit e titulluar: “Në mbyllje. Letër Diasporës” f. 682-689, me tre letra të viteve 1991, 1995 e 2008, të autorit Skender Blakaj deri në vitin 2008, që dë do të thotë, se kohështrija e burimologjisë arkivore dokumentare nuk është 3151, por është 3246 vjet).

Edhe pse veprën e tyre autorët Skender Blakaj e Ismail Ismaili e kanë titulluar “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, ajo nuk u përmbahet rreptësisht kufijëve kohorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përkatësisht të viteve ’30 të shekullit XIX e deri në vitin 1913, por libri “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” me letra të rilindësve të shquar, dhe përtej tyre, deri në lashtësi, në hapsirën kohore midis vitit 1238 para Kr., me pjesën ‘Ilirët janë bijtë e pellazgut Herkul’, e deri më 28 nëntor 1913, në 296 letra, ngërthehen 3151 (3246, m.a.) vjet histori. Midis këtyre letrave të personaliteteve më të shquara të shqiptarëve, shkëlqen sigurisht frymëzimi ynë i përjetshëm, Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Brenda librit me shumë dokumente të reja, është po ashtu një arkiv faksimilesh nga letrat e autorëve të rëndësishëm, shkëmbyer me njëri-tjetrin, nga të pesë kontinentet, shpesh me mospajtime të ashpra, por angazhimi dhe shpirti i të cilëve e realizoi kthimin tonë në shtëpi, në Evropë, ku ishim më të parët, dhe e bëri Shqipërinë me Pavarësi në Vlorë dhe me Pavarësi në Prishinë” do shkruajë autori Skender Blakaj, duke sqaruar në këtë mënyrë kohështrirjen e burimeve historike të botuara.

Në veprën që kemi në dorë, të përbërë nga burimet dokumentare, përkatësisht nga 296 letra, pra nga epistolari i figurave më të shquara të kombit Shqiptar, dalin në dritë shumë fakte të panjohura për ngjarje të rëndësishme të kohës, për personalitete të mëdha të kulturës e të historisë sonë kombëtare që në disa raste, as sot e kësaj dite nuk e kanë vendin meritor që duhej t’u takonte në historinë tonë kombëtare. Lexuesi i apasionuar, historiani e studiuesi, duke pasur në duar këtë epistolar që vjen i shoqëruar për herë të parë në shumicën e rasteve edhe me faksimile të origjinalit, pas konsultimit të veprave të ndryshme, studimeve, monografive, revistave e gazetave, qofshin ato të kohës apo botimeve të fundit, që kanë bërë autorët, do ballafaqohet me një realitet të ri, me një mundësi të re për të gjykuar vetë për momente dramatike të historisë sonë kombëtare, për ato personalitete që në disa raste është menduar se çdo gjë është thënë e është shkruar, por që në fakt, nuk na del ashtu, sepse shumë nga ata nuk u mposhtën as para sfidave më të vështira, duke treguar se mbijetesën e kemi në gjak, nëpër shekuj, se e duam lirinë, se për të jemi të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë.

Një ide e tillë, se "është thënë gjithçka që duhet të thuhet për periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe personalitetet kryesore të saj” dhe se "ajo që do shkruhet tani e tutje nuk është gjë tjetër veçse përsëritje, kopjim apo vetëm harxhim kohe" është e gabuar, tendencioze, qëllimkeqe dhe e pavend. Duhet të kalojë edhe shumë kohë, të shpenzohet shumë mund, të sfidohen shumë burime, dorëshkrime, dokumente dhe literaturë tjetër, ndoshta edhe disa breza që të thuhet diçka e ngjashme, por, asnjëherë nuk do të ndodhë që "përfundimisht u tha dhe u shkrua gjithçka" për këtë periudhë shumë të rëndësishme të krijimit të kombit dhe identitetit shqiptar bashkëkohor.

Të gjitha letrat e këtij libri i lidh përkushtimi patriotik. Shumica e autorëve të tyre si personalitete të shquara të historisë së popullit shqiptar, kanë shkruar në gjuhë të ndryshme, si në frëngjisht (kjo pjesë u përkthye në gjuhën shqipe nga Ymer Jaka, Ismail Ismaili), gjermanisht, anglisht, italisht, rumanisht, greqisht, e sllavisht. Në përkthimin e tërë këtij korpusi, sipas shënimeve që gjenden në libër kanë marrë pjesë 19 përkthyes për gjuhët e cekura (këtu duhet shtuar edhe gjuhët latinisht e osmanisht, që kanë të bëjnë me periudhën para Rilindjes Kombëtare).
 
Struktura përmbajtësore e veprës “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”
Vepra “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” konceptualisht është e strukturuar sipas metodës kronologjike, por, jo gjithnjë strikte, duke pasur shmangie të lehta që impon vetë natyra e lëndës dokumentare - letrat – e trajtuar për një periudhë të gjatë kohore.
Libri hapet me një studim – koment hyrës të Skender Blakajt me titullin shumë domethënës: “Letërkëmbimi si jetëshkrim” (f. 7-30) për t’u pasuar nga Efthim Dodona me shkrimin “Dy fjalë për librin” (f. 31-34). Të dyja këto shkrime janë studime të mirëfillta shkencore që i paraprijnë letërkëmbimit të 296 letrave. S. Blakaj zbërthem me kujdes të veçantë idenë e qëllimin e veprës përmes një analize të hollë dhe shumë të qëlluar duke vënë në pah se: “letrat e pesonaliteve të shquara të historisë e të kulturës së një kombi bëhen aq shpesh mbështetje e rëndësishme për hartimin e  historive kombëtare. Kjo vlen edhe më shumë per ne shqiptarët, kur kemi mungesë të theksuar të dokumenteve e dëshmive arkivore, dëshmi të zhdukuara në rrebeshet e historisë” (f. 7). Ndërsa E. Dodona si reçensent i librit dhe njohës i fushës përkatëse shkruan: “Pjesa kryesore e librit përmban letërkëmbimet e katër veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: të Faik Konicës, Nikolla Naços, Dervish Himës, Princ Albert Gjikës. Më pak për nga numri, por aty janë edhe letra të shumë personaliteteve të tjera të periudhës së para-pavarësisë”. (f. 31).

Kapitulli i parë, edhepse nuk është i shënuar si tillë në vepër është “Letra të moçme” në f. 37-122, ku janë të botuara 25 letra (ne mendojmë burime dokumentare shumë të rëndësishe të antikitetit, mesjetës dhe të para-Rilindjes Kombëtare Shqiptare) që përfshijnë periudhën kohore nga viti 1238 p.e.s. deri në vitin 1860. Përzgjedhja e këtyre burimeve historike është bërë duke ruajtur qëllimin parësor të veprës – letërkëmbimet – të cilat janë përkthyer nga origjinali që ishte në gjuhët: latine, greqishte, italiane e sllave. Edhe pse të shkruara shumë kohë e në një hapësirë gjeografike shumë më të gjërë se ajo e krijuesve kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, këto letra u kanë shërbyer autorëve si një parahyrje për temën kryesore, duke zbërthyer të kaluarën tonë të lashtë, duke ndjekur hap pas hapi gjurmët e shkruara të një epistolari me autorësi të përzier, jo gjithherë shqiptare, por që tematikisht trajtojnë probleme dhe çështjen e trojeve etnike shqiptare (Ilire) të kohës. Është fakt i pamohuar se ka edhe shumë burime (letërkëmbime) të tjera të kësaj periudhe, por ato nuk janë futur në vepër për shkak të përcaktimeve fillimisht konceptuale të autoreve por, mendojmë se edhe për shkak të hapësirës së kufizuar, duke pasur parasysh idenë se këto të botuarat janë më reprezentativet, më përmbajtësoret dhe më të veçantat që logjikisht qëndrojnë më afër letërkëmbimit të Rilindasve tonë.

Në pjesën e dytë janë paraqitur pesë figura madhore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: Faik Konica (f. 122-284), Nikolla Naço (f. 285-338), Visar Dodani (f. 339-388), Dervish Hima (f. 389-415), dhe Princi Alber Gjika (f. 417-464), me gjithsej 148 letra. Këtu dominon letërkëmbimi i Faik Konicës, i cili është më i vëllimshmi, por më e rëndësishmja është se për herë të parë këtu botohen 27 letra autografë të Konicës. Kjo është një e dhënë e jashtëzakonshme, kur dihet se studimet dhe hulumtimet për F. Konicën ka shumë vite që kanë filluar. Sipas autorëve ende nuk është shterrues botimi i korrespodencës së Konicës.

Edhe të katër autorët e tjerë të cituar më lart kanë letërkëmbim që botohet për herë të parë.
Pjesa e tretë e librit mban titullin “Letra mbi shkollat e hershme shqipe” dhe është e ndarë në dy nënpjesë: a) Letra për shkollat e para shqipe në Shkodër e rrethinë (f. 465-480, 20 letra) dhe b) Letra për shkollat e para shqipe në Prizren e Pejë (f. 481-494, 9 letra). Në këtë pjesë në qendër të vëmendjes vihet rëndësia dhe roli i shkollës Shqipe në trojet etnike shqiptare, sfidat, problemet dhe çështje nga më të ndryshmet vrojtuar nga personalitete të rëndësishme të jetës politike, kulturore e fetare shqiptare.
Pjesa e katërt e librit mban titullin “Letra të tjera të kohës së Rilindjes Kombëtare” (f. 495-616, 63 letra). Në këtë pjesë kemi një letërkëmbim të shumtë mes figurave të ndryshme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare nga vitet 1865-1910 që janë të renditura sipas kriterit konologjik. Pjesa dërrmuese e këtij letërkëmbimi është në gjuhën shqipe (44 letra) ndërsa pjesa tjetër është e shkruar në gjuhët italiane, frënge, turke, sllave e greke.

Në pjesën e pestë me titull “Letra të ditëve të Shpalljes së Pavarësisë” (f. 616-667, 32 letra) pasqyrohen momentet para, gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe në këtë pjesë, pjesa më e madhe e letërkëmbimit është në gjuhën shqipe (20 letra), ndersa pjesa tjetër janë të shkruara në: anglisht, osmanisht, frengjisht, sllavisht, italisht e gjermanisht.
Autorët në pjesën e gjashtë të librit me titull: “Një libër i panjohur për Skenderbeun i vitit 1913” (f. 669-681) sjellin  studimin e Ymer Jakës me sqarimin se: “e para: është vepër e vitit 1913, vit në të cilin e vumë kufirin edhe për letrat që patëm në dorë, e dyta; se me ata kufij të cunguar por, është vit i njohjes ndërkombëtare të shteti shqiptar, e treta: se ky shkrim francez për Skënderbeun dhe Shqipërinë e tij e tonën, në mënyrë të dendësuar i ka brenda shumicën e temave që trajton letërkëmbimi i librit tonë, e katërta: se nuk gjejmë asgjë më mirë se Skenderbeu të jetë guri më i çmuar në kurorën e një libri, hartuar nga Rilindasit tanë të djegur për një Shqipëri të denjë për Gjergj Kastriotin, hartuar në letrat e tyre me plot zjarr atdhetarie, dhe e pesta: mundësia që ky shkrim të mbetet jashtë botimeve të këtilla” (f. 671, ref. 1). Mendojmë se autori S. Blakaj e ka sqaruar për mrekulli shkakun që pse ky material është në këtë vepër.

Ndërsa pjesa e fundit e librit, siç pohuam edhe në fillim të këtij shkrimi është titulluar: “Në mbyllje. Letër Diasporës” (f. 682-689) dhe janë tre letra të Skender Blakajt dërguar për Diasporën Shqiptare. Inkorporimi në këtë libër i këtyre tre dokumenteve është një vazhdimësi logjike e gjithë asaj që ka ndodhur deri në Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
E themi me plot përgjegjësi se botime të tilla me vlera të mëdha për historiografinë tonë kombëtare në përgjithësi dhe periudhën e Rilindjes Kombëatre në Shqipëri në veçanti, janë me shumë interes, janë të mirëseardhura për të gjithë të interesuarit, të cilët do të shërbejnë si shembull për botime të ngjashme, ku autorët S. Blakaj e I. Ismaili me korrektësi citojnë burimet nga i kanë vjelur informacionet, të dhënat apo nga ku kanë shkëputur pjesë të caktuara që ribotojnë, shënojnë autorët ose përkthyesit e dokumentit burimor, plotësojnë informacionet dhe njohuritë e deritanishme të dokumentit të caktuar me të dhëna referenciale në fund të faqes si dhe janë të saktë në transkriptimin e origjinalit, duke ruajtur kështu ortografinë origjinale autoriale, ndërsa në raste veçanta kanë bërë shpjegime të fjalëve më pak të njohura dhe që janë në përdorim të rrallë.

Përfundimet analitike të studiuesve S. Blakaj e I. Ismaili rrjedhin logjikshëm nëpër shekuj, duke u futur thellë në të gjitha ngjarjet më kryesore të ndodhura në Ballkan dhe rreth tij, si në kohën para, gjatë dhe pas Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për të mos lënë anash as gjykimet për ato ngjarje që ndodhin edhe në ditët e sotme.
Për ne, ishte shumë e vështirë të bëjmë një paraqitje të përgjithshme të librit: “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Prishtinë, 2014, /Arbi Ltd e Vatra-Neë-York, me autor Skënder Blakaj & Ismail Ismaili, për shkak se ishte e pamundur të kapen të gjitha ato momente, ato vlera, ato debate që me aq mjeshtëri kanë ngritur autorët, që nga fillimi e deri në fund, ngase natyra e gazetës nuk lejon thellime më të hollësishme, të cilat do t‘i bëjmë në disa nga shkrimet e ardhshme.


Letrat e Konicës
Nga letërkëmbimi i Faik Konicës janë botuar gjithsej 84 letra. Nga këto F. Konica kishte shkruar në gjuhën shqipe 7, ndërsa 77 të tjera në frëngjisht e gjuhë të tjera. Letërkëmbimi nga frengjishtja në shqip është përkthyer nga Ymer Jaka 42 letra, Ismail Ismaili 23, Kolec Çefa e Gjylektin Shehu nga një letër. Për herë të parë, botohen 27 letra të Faik Konicës.
 
Nikolla Naço
Nga letërkëmbimi i Nikolla Naços janë botuar 16 letra. Prej këtyre 8 letra janë të shkruara në origjinal në gjuhën shqipe, ndërsa 6 janë frëngjisht që i ka përkthyer Ismail Ismaili, një është në italisht e përkthyer nga Alban Bobrati dhe një në rumanisht përkthyer nga Dhimitër Polena.
 
Visar Dodani
Nga letërkëmbimi i Visar Dodanit, janë botuar 36 letra të shkruara në gjuhë të ndryshme me personalitete të ndryshme të Rilindjes Kombëtare në një hapësirë mjaft të gjërë gjeografike.
 
 
Dervish Hima
Nga letëkëmbimi i Dervish Himës janë botuar 9 letra, gjashtë nga këto të shkruara në frëngjisht janë përkthyer nga I. Ismaili
 
 
Shkolla shqipe
Letra mbi shkollat e hershme shqipe, a) Shkodër e rrethinë, 20 copë; b) në Prizren e Pejë, 9, nga këto dy ishin të shkruara në italisht dhe janë përkthyer në shqip nga I. Ismaili
 
Rilindja
Letra të tjera të kohës së Rilindjes Kombëtare, 63 letra, nga këto 6 ishin frengjisht, 6 italisht, 3 sllavisht, 3 turqisht dhe 1 greqisht, ndërsa të tjerat 44 copë ishin në gjuhën shqipe.
 
Pavarësia
Letra të ditëve të Shpalljes së Pavarësisë, 32 letra, nga këto 4 ishin në anglisht, 2 në osmanisht, 2 në sllavisht dhe një italisht e një në gjermanisht, ndërsa 20 të tjerat ishin në shqip.

Shkrimi u publikua sot (15.02.2015) në gazetën Shqiptarja.com(print)

Redaksia Online
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik