Historia tragjike e diktaturës, si e vranë juristin Ferit Hysenbegasi

Historia tragjike e diktaturës, si e vranë juristin Ferit Hysenbegasi

Katër vëllezër me mbiemrin Hysenbegasi, të vendosur në qytetin e Beratit bashkë me nënën e tyre Qanie gjatë gjysmëshekullit me regjim realkomunist, njëri shofer dhe mekanik (Ylviu), i dyti elektriçist (Fatosi), i treti mësues matematike dhe me talent piktorI (Bardhyli) dhe i fundit po ashtu mësues shumë i pasionuar (Tanushi), përjetonin përditshëm një dramë të madhe, e cila bëhej përherë dhe më torturuese, sepse duhej mbajtur e ndryrë thellë qenies së tyre. Ajo dramë nuk duhej të dilte jashtë pragut të shtëpisë, sepse ndryshe mbi ta do të binte një ndëshkim më i rëndë se vete përmbysja e tokës dhe e qielli.

I jati i katër djemve dhe bashkëshorti i Qanies, Feriti, me moshë 42 vjeçare, e kishte ndërprerë papritur jetën e tij në 17 shtator 1947 gjatë një procesi hetimor që po zgjaste prej pothuaj nëntë muajsh dhe ai tashmë ishte krejt i sfilitur. Më shumë se duke qenë në këmbë e kishin torturuar me trupin varur kokëposhtë. Pas kësaj çdo e dhenë, çdo shenjë e ekzistencës së tij humbi. Mbeti pa varr. Madje është ende pa varr të gjetur edhe tani, pas 72 vitesh. Rrezikon ta ketë këtë fat shumë të dhimbshëm edhe pas njëqind motesh, mbase edhe përtej këtij kufiri të padurueshëm.

Në historinë e Shqipërisë ka jo pak të vrarë tinëzisht apo edhe pabesisht e megjithatë nuk ka pasur pa varr ose varrzhdukur. Këtë dukuri demoniake e solli vetëm komunizmi enverist, duke e shtuar veçanërisht në disa nga momentet më të egra të ekzistencës së tij të dhunshme. 

Goditja në gjoks me majën e çizmes

I biri i Feritit, Bardhyli, tregon se “aty nga fillimi i viteve ‘70, një burrë nga një fshat i Korçës me një fëmijë të vogël të sëmurë për dore, nipin e tij, merr rrugën drejt Vlorës dhe troket në shtëpinë e doktor Isufit. Im ungj, human i pakursyer siç e njohën të gjithë, e viziton djalin me kujdes, teksa fshatarit po i rridhnin lotë nga sytë.

-“Ç‘ke, pse qan?-i thotë doktori, mos u shqetëso, do të ta shëroj djalin”. ... 
-“Jo, doktor, nuk qaj për djalin, por qaj se kam një peng e duhet ta rrëfej. Në ‘47-ën unë shërbeja si polic...”

-“Lëre atë fjalë, i thotë im ungj duke menduar se do t’i kujtonte burgun e tij, për mua është një kapitull i mbyllur”.

-“Jo për ty, doktor. E kam për vëllanë tënd. E kam peng që duhet ta rrëfej. Isha polic në Tiranë në ‘47-ën tek burgu ku mbanin të arrestuarit në dhomat e paraburgimit. Atje ishte edhe vëllai yt, Feriti. E torturonin vazhdimisht. Një ditë hetuesi po e merrte në pyetje e po e torturonte egërsisht, të varur me kokë poshtë. Kur hetuesi del nga qelia, Bedri Spahiu që po priste jashtë i thotë: “Hë mo, nxori gjë?” “Jo”, i përgjigjet ai. Atëhere Bedriu i tërbuar hyri vet në qeli dhe, duke bërtitur e sharë “Po fol,mor qen!”, e godet në gjoks me majën e çizmes fort...për vdekje. Kështu doktor, ti nuk e di, por vëllai yt iku nga kjo jetë me gropën që i la në trup çizmja e Bedri Spahiut”.

Tregon sërish Bardhyli: “Në vitin ‘91, në kuadër të reabilitimit të të përndjekurve politikë, u përpoqa të gjeja dokumente për statusin e babait tim, por në organet e shtetit nuk gjeta gjë. Atëhere, sipas fjalëve të dikujt, shkoj në Tiranë të takoj doktor Petraq Progrin. Ky zotni burrë, i moshuar, kur mori vesh se i biri i kujt isha, më futi në shtëpi. I thashë se më duhej të vërtetoja që im at kishte vdekur në burg e s‘po gjeja dokumente dhe se “kam dijeni që ju keni lëshuar një raport mjekësor”. 
-“Dëgjo, mor bir, është e vërtetë. Në atë kohë unë isha mjek ushtarak. Një mbasdite më thërret Mihallaq Ziçishti nga Ministria e Brendëshme e më thotë se kishin në burg një të burgosur të sëmurë që duhej ta vizitoja. Vete atje, hyj në qeli dhe ç‘të shoh? Feriti i vdekur, i degraduar nga torturat. Më detyruan të lëshoj një raport mjekësor ku të shënoja se ai kishte vdekur nga zemra”.

Doktor Progri më lëshoi një deklaratë ku vërtetonte se babai im kishte vdekur në hetuesi. Më tha gjithashtu se im at kishte qenë njeri i nderuar e me vlera, e kishte pasur të njohur e unë duhej të ndihesha krenar për të”. 

Ndërsa në messhtator vdiq në burg (u vra) Ferit Hysenbegasi, një muaj më parë, në 18 gusht 1947 i njëjti fat i ndodhi edhe Ali Begesë, patriot i njohur i Rilindjes dhe protagonist i ngjarjeve më të spikatura të saj e të pavarësimit, në motet 1922-1923 kryetar i bashkisë së Tiranës, gjatë periudhës zogiste me qëndrime liberale, gjatë Luftës së Dytë pa asnjë zell në pozicione kolaboracioniste dhe më shumë në profesionin e avokatit. Një nga djemtë e tij, Halimin, eksponent i rinisë nacionaliste, më pas balliste, Enver Hoxha e negativizoi me tendencë në të paktën dy nga librat e veta me kujtime.

Vdekja në burg gjatë procesit të hetimit, çfarë në 1947 donte të thoshte proces torturimi i rëndë, u justifikua me formulën tinzare, e cila qe bërë e njohur në të gjitha vendet e kampit socialist ato kohë në krijim, se “vdiq duke u hedhur nga dritarja”.

Kur ndërroi jetë prej dhunës Ferit Hysenbegasi, siç do ta tregonte shkrimtari Petro Marko, nën tortura të tmerrshme shumë të ngjashme, vdiq i vrarë gjeologu polak shumë i njohur botërisht dhe dashamirës i forcimit ekonomik të Shqipërisë, Stanislav Zuber.

Feriti është vrarë kur që nga çlirimi i vendit ndaj kundërshtarëve politikë apo thjesht mospajtuesve me regjimin stalinist, tortura fizike përditë e më shumë mori përmasa të mëdha, u bë mënyra e vetme e hetimit. Viti 1946 dhe sidomos ai i mëpasshëm kanë qenë kulmime të frikshme të kësaj përdhune të legjitimuar nga pushteti i ri, në thelb terror i dalë jashtë çdo vetkontrolli psiqik. Me këtë kurs kishte rënë dakord edhe Enver Hoxha, edhe pse pas motit 1948 e mohon, duke ja lënë barrë mbi shpinë zëvëndësit të tij të gjithëfuqishëm dhe barbar Xoxe.  Mbetet fakt që tërë udhëheqja e PKSH-së, prej të cilëve qëllonte të mos ishin në një mendjeje për shpejtësinë e shtetëzimit apo të kolektivizimit bujqësor, për përmasën e tokës që pas reformës agrare do t’u lihej ish-pronarëve, ndaj epërsisë së miqësisë me jugosllavët apo sovjetikët, por kurrkush për çështjen kriminale të pushkatimeve të shpeshta dhe të torturimeve ditënatë. Janë të gjithë në harmoni për këtë progrom ndaj kundërshtarëve politikë.

Sidoqoftë, duhet theksuar, njëri prej tyre qe vetëdijshëm më i egri ndaj nacionalistëve: Koçi Xoxe, ekzekutuesi numër një më i zellshëm i politikës shoviniste antishqiptare të grupit të Titos.

Në valën e dytë të terrorit ndaj bashkëpunëtorëve të pushtuesve fashistë si edhe “armiqve të klasës”, pjesa dërmuese aspak të fajshëm, 1946-1947 (dallga e parë përfshiu gjysmën e parë dhe të dytë të motit 1945), mes shumëve të konsideruar si filoamerikanë, u prangosën dhe iu shkatërrua jeta nëpër burgje edhe tërë deputetëve të opozitës. Riza Dani u arrestua në 26 shtator 1946, Shefqet Beja, Kolë Kuqali, Selaudin Toto, Enver Sazani, Faik Shehu, Ibrahim Karbunara, Kostandin Boshnjaku, Irfan Majuni dhe Islam Radovicka, u prangosën, u torturuan dhe u vranë gjatë gjysmës së parë të vitit 1947.

Dhuna fizike ndaj tyre përfshinte një arsenal të tërë, por më të pëlqyerat qenë goditja me dru, lënia në këmbë pa bukë, pa ujë dhe pa gjumë me ditë të tëra, korrenti elektrik deri sa u binte të fikët, ndukja e mishit me darë, kripa në gojë, futja kokëposhtë në një vozë me ujë. U përdor edhe tortura psikologjike, kjo madje vijoi dekada më vonë deri edhe kundër Kadri Hazbiut. Në 1946-1947, por më pak edhe më pas, u bë e zakonshme ta dërgonin një person apo grup deri edhe para skuadrës së pushkatimit dhe kur u drejtoheshin armët mbi trupat e tyre, në fakt ushtarët pas një pauze drithëruese i ngrinin tytat lart dhe shtinin në ajër. Po ashtu të vinin litarin në qafë, por kur afroheshin për ta goditur me shkelm karrigen mbajtëse të të dënuarit, e linin atë të pahequr.

 

Kur planifikohej bashkimi Shqipërisë me Jugosllavinë

 

Ferit Hysenbegasin e arrestuan në prag të vitit të ri 1947, dy ditë pasi i kishin hedhur prangat të vëllait të tij, mjekut Isuf. E ke shumë të vështirë tani, pas kaq shumë dekadash të kuptosh sadopak motivet që e shtynë regjimin e ri për veprime kaq të dhunshme dhe absurde. As arsyeja nuk të ndihmon për zbulim të shkaqeve të vërteta, por për t’i vendosur këto dy arrestime (si edhe mjaft të tjera) në një kontekst politik çfarë po kalonte Shqipëria në gjysmën e dytë të vitit 1946 dhe gjatë motit pasardhës, prej faqes së parë të gazetës “Bashkimi”, zëdhënësja kryesore e regjimit, po i paraqitim lexuesit një kronikë.

Në fund shtator 1946 reforma agrare po merrte fund në Gjirokastër dhe në Korçë, vijonte në qytetet e tjera. Në 7 tetor 1946 gazeta shkruante se “Fashistët grekë nuk heqin dorë nga provokacionet”. Në 14 tetor u bë mbledhja e dytë e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit. Ndërkaq në Lojrat Ballkanike Shqipëria doli kampione në futboll. Në 19 tetor kongresi i rinisë ishte në ditën e tretë të punimeve dhe një editorial i “Bashkimit” himnizonte përmbysjen e “prokurorisë së vjetër” dhe ngritjen e “prokurorisë së re”. Në ditët e mëpastajme qeveria shqiptare kërkon të hyjë në OKB dhe qeveria jugosllave jep 484 bursa specializimi për shqiptarët. Në 24 tetor ka mbaruar para afatit “Rruga e Rinisë”, rruga Kukës-Peshkopi. Ndërkohë gjeneral kolonel Enver Hoxha viziton zonat e dëmtuara nga shirat shumë të rrëmbyer të 22 dhe 23 tetorit, Fushë Krujën veçanërisht.

Në 29 tetor Hoxha proteston energjikisht para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për inkursionet provokuese të luftanijeve britanike dhe në 7 nëntor përkujtohet 29 vjetori i Revolucionit të Madh të Tetorit. Shkruhet për solidaritet dhe ndihma për përmbytjet, gjithashtu 35 vullnetarë të kthyer nga aksioni i rrugës Kukës-Peshkopi shpallin se do të punojnë për hapjen e rrugës Berat-Çorovodë.

Më 9 nëntor “filloi gjyqi kundër bandës së sabotatorëve”, ata sipas “Bashkimit” “kanë ngadalësuar punimet duke e bërë të paduruar jetesën dhe punën e mijra punëtorëve”. Në krye dhe në skajin e djathtë të faqes së parë bie në sy fraza: “Sabotimet e Maliqit duhet të na bëhen mësim i math për luftën kundër armiqve të rindërtimit dhe agjentëve e spiunëve të reaksionit të jashtëm”. 10 nëntor 1946 “Një vit marrëdhëniesh diplomatike me B.R.S.S. i treguan popullit shqipëtar vlerën e miqësisë me popujt sovjetikë”. Po ashtu: “Dalin fakte të reja mi sabotimet e mëdha të udhëzuara nga të huajt”, “Gjyqi kundër sabotatorëve të Maliqit”. Në 12 nëntor “Qeverija shqiptare i përgjigjet Shteteve të Bashkuara në lidhje me tërheqjen e Misionit”. Në 15 nëntor editoriali “Populli shqipëtar nuk ndalet nga presionet e vazhdueshme anglo-amerikane”. Në 16 nëntor pretencë e prokurorit kundër bandës së sabotatorëve të punimeve të Maliqit”, “Prokurori në emër të Popullit kërkoi të dënohen me litar Abdyl Shara dhe Kujtim Beqiri. Me vdekje Vasil Mano, Zyryka Mano, Eugenio Scatura dhe Pandeli Zografi. Me burgim të përjetshëm Mario Guarnieri, me 15 vjet burgim Mihal Stratoberdha, me pesë vjet Anastas Risto dhe Jani Vasili me një vit burgim me kondicionel”.

Në 12 dhjetor anijet jugosllave “Srbin”, “Hercegovina” e “Solim” shkarkojnë në portet Durrës, Vlorë dhe Sarandë mëse 28 mijë kv grurë. Më 19 dhjetor “në OKB përfaqësuesi shqiptar Hysni Kapo demaskon manevrat e provokatorit Caldaris”. Po ashtu një shkrim titullohet: “Në kuvendin e Françeskanëve në Shkodër u zbuluan armë, municione dhe dokumente tradhëtie”. Në 26 dhjetor flitet për konferencën me temë “Kongresi sllav dhe Jugosllavia”. Ka edhe një kryeartitull gëzues për ndihmën ekonomike nga Jugosllavia. Në 27 dhjetor “Qeveria Jugosllave jep 10 milionë dollarë për popullsitë e dëmtuara nga inondacionet”, “Sot Kuvendit Popullor i paraqitet për ratifikim Konvencjoni ekonomik me Jugosllavinë”, “Borba” mbron Shqipërinë nga  sulmi i (kryeministrit grek) Caldaris”, “Populli vazhdon të komentojë me kënaqësi Konventën Ekonomike me Jugosllavinë.

Në 27 dhjetor u arrestua Isuf Hysenbegasi dhe disa të tjerë “antiangloamerikanë”.

Në 28 dhjetor “Bashkimi” ka në faqen e parë një titull shumë germëmadh: “Kuvendi Popullor ratifikoi me aklamacion Traktatin e Kordinimit të Planeve Ekonomike, Bashkimin Doganor dhe barazimin e monedhave bashkë me protokollin përkatës edhe Marrëveshjen Ekonomike në mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”.  Në 29 dhjetor 1946: “Presidiumi i Asamblesë Popullore të Jugosllavisë ratifikoi me aklamacion Traktatin për Kordinimin e Planeve Ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin monetar midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”. Mbledhjen e kishte çelur Dr. Ivan Ribar, President i Presidiumit të Asamblesë. Pas tij Mozhe Pijade, nënpresident, kishte lexuar tekstin e traktatit të firmosur që një muaj më parë, në 27 nëntor.

Këtë ditë kur Shqipëria ndodhej në prag të tjetërsimit të saj si shtet që po i bashkohej sllavëve të jugut, u arrestua Ferit Hysenbegasi.

Në 3 janar 1947 në Beograd ishin “shkëmbyer instrumentate ratifikimit të Traktatit mbi Kordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe parifikimin e monedhës midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Por tashmë mbi dy vëllezërit Hysenbegasi kishte nisur hetuesia me tortura, pa pasur asnjë merak se dhuna e papërmbajtur mund t’u shkaktonte vdekjen para se të dilnin në gjyq, i cili edhe ai, po të bëhej, do të qe një dhunë tjetër falsifikimi.

Kur mësoi se i shoqi 42 vjeçar nuk ishte më në jetë, sepse një ditë kur shkoi në burg për t’i dhënë ushqim i thanë se bashkëshorti nuk qe më aty, Qania nisi protestën. Në zyrat e shtetit ku shkoi, këmbënguli se burrin, përderisa nuk i tregonin ku ndodhej, ia kishin vrarë. Tani përveç sqarimit përse ia kishin marrë jetën kur Feriti gjatë kohës së Zogut dhe në periudhën e luftës kishte bërë punën korrekte të gjyqtarit dhe ndonjëherë edhe të prokurorit pa u pleksur me veprime politike, sidomos me tendencë kundër lëvizjes partizane, kërkoi që të paktën t’i jepnin trupin e të shoqit ose t’i tregonin ku e patën varrosur. Prej përgjigjeve hileqare kuptoi se fatkeqësia e saj dhe e katër fëmijëve të vet ende të parritur e të mbetur tashmë jetimë, qe dyfish më e madhe. Feritit mund t’i kishin zhdukur trupin, mos lënë asnjë shenjë, pra edhe provë për çfarë i patën bërë. Dhe ky krim i llahtarshëm, zhdukja pa nam e nishan e trupit, bëhet në njëmijë mënyra.

Zbulimi i ngadaltë i të vërtetës 

Duke e kërkuar të vërtetën nëpër shkallët e pallatit të pushtetit komunist më në fund i erdhi radha të kërkonte Bedri Spahiun. Ky takim qe për Qanien si regëtimi  i fundit i shpresës. Mbase gjente tek Spahiu një shpirtmirë. Por Bedriu ishte njeriu më i pamundur dhe më i gabuar që mund ta ndihmonte. Vrasësi qe pikërisht ai. Patjetër edhe zhdukësi i trupit. Bedriu, për të larë sadopak ndërgjegjen, nuk sipërmori as edhe ndonjë lloj kujdesje formale për të paktën ndërprerë dëbimin nga qyteti i Tiranës, siç familjes së mbetur pa baba i pati ndodhur. Qanija nuk ishte një “çfarëdo”. Bashkëshortja e Ferit Hysenbegasit ishte e bija e Sulejman Cakranit dhe e Ballkëze Fugës. Sulejmani qe vëllai i Hajredin Cakranit, firmëtar i aktit të Pavarësisë, ndërruar jetë shumë kohë para se të niste Lufta e Dytë Botërore. Vërtet Qania kishte xhaxha Bektash Cakranin, eksponent i Ballit Kombëtar dhe që Lëvizjen Nacionalçlirimtare e kishte luftuar, por ishte motër e Jashar Cakranit, partizan dëshmor. Për të kishte thurrur një vjershë partizani tjetër beratas Jani Dodi dhe në njëvjetorin e rënies mbajtur një fjalim nderues intelektuali i shquar Vehxhi Buharaja.

Qania e kishte djalë tezeje aktorin që po spikaste si gjeni: Naim Frashërin. Nëna e saj, Ballkëzja, qe po ashtu motra e këngëtarëve popullorë të njohur beratas e kombëtarë, Shyqyri Fugës dhe Qerim Fugës.

Të vendosur më në fund në qytetin e Beratit, fillimisht tek kushuriri hoxhë Shefqet Doko dhe më vonë strehuar tek daja i vet Shyqyri Fuga, familja Hysenbegasi nuk hoqi dorë nga përpjekja për të gjetur trupin e Feritit, edhe pse kjo tashmë bëhej më me kujdes që të mos dukej si aksion për diskretitimin e pushtetit. Në fund të fundit u duhej të gjenin një formulë për ta shkruar këtë pikëllim nëpër biografitë e tyre. Kërkesat për to paraqiteshin në çdo punë që duhej të bëje. Siç doli më vonë, më 13 mars 1994 (dokument i lëshuar nga përgjegjësi i arkivit shtetëror të Beratit, Lumner Dollani), birit tjetër të Feritit, Tanushit, i shkruhej në biografi se ai dhe familja e tij qenë të shpronësuar nga reforma, të dëbuar nga fshati i lindjes (Starova e rrethit të Pogradecit). 

Sipas kësaj shkrese me vërtetësi të padyshimtë, “Në dosjen e titulluar “Materiale për elementin kulak e pa karta Fronti” të vitit 1966 ka një listë të emërtuar: “Lista e elementit me përbërje të keqe politike, të ardhur në qytetin e Beratit. Në këtë listë me Nr. 81 është emri i Z. Tanush Hysenbegasi për të cilin thuhet: është shtresë e pasur, babai i tij ka qenë Kapiten i parë dhe mbas çlirimit është pushkatuar, është prekur rëndë nga reforma, është shpronësuar dhe i dëbuar nga fshati i lindjes. Zoti Tanush sipas dokumenteve të këtij arkivi është i dëbuar sëbashku me të jëmën dhe vëllezërit e tij”.

Për një rastësi shpëtuese një mot më vonë, në 11 gusht 1967, kryesia e Frontit Demokratik të fshatit Cakran u lëshoi një vërtetim sipas të cilit “shoqja Qanie Hysen Begasi (Cakran) është e bija e Sulo dhe Ballkëze Cakrani, është motra e Jashar Cakranit dëshmor i Luftës Nç. Çlirimtare. Familja e tyre ka mbajtur qëndrim të mirë gjat luftës”.

Në vitin 1972 djali i madh i Feritit dhe i Qanies, Ylviu, i cili punonte si mekanik në SMT, me që e ngacmonin vazhdimisht për biografinë, iu drejtua me një kërkesë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ato çaste qenë shtuar personat e njohur miq të familjes, të cilët e inkurajonin Ylviun të kërkonte të vërtetën, sepse për aq sa dinin babai i tij ishte i pafajshëm. Ai nuk qe i dënuar me gjyq dhe as i pushkatuar. Ministria e Brendshme, firmosur prej njërit nga drejtuesit e saj të lartë, Petrit Hakani, i ktheu Ylviut dhe tërë familjes Hysenbegasi përgjigjen (cinike) e megjithatë që më në fund çante mes për mes terrin e fshehjes dhe të falsifikimit të së vërtetës: “Sipas evidencave të kësaj Ministrie, nuk disponojmë dokumente që të përcaktojnë pozitën e babait tuaj”.

Kjo në një farë mënyre donte të thoshte se Ferit Hysenbegasi qe njeri i bardhë, pa asnjë njollë, ndryshe nuk do të ja kursenin edhe “mizën bërë buall”. Kjo u rikonfirmua në jo më pak se një vit më pas, kur djali tjetër, Bardhyli, duke qenë se ia ngacmonin edhe atij biografinë dhe mund ta largonin nga mësuesia, shkoi në  Elbasan, ku edhe i jati qe arrestuar, torturuar dhe zhdukur. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Nevzat Haznedari, i njohur si person me shpirt shumë kriminal, kur Bardhyli i tregoi shkresën e Ministrisë dhe i tha se në qytetin e tij donin megjithatë ta pushonin nga puna, e pa me kapadaillëk dhe egër shqiptoi: "Se si ishte babai yt e dimë ne. Edhe xhaxhain tënd, doktorin, unë e kam dënuar ...Tani ik se i them unë Pirros mos të të ngacmojnë... "  Pirro Gusho ishte sekretar i parë i partisë në Berat. Çfarë ka deklaruar katili i zi Nevzat Haznedari provon përfundimisht se burgosja ka qenë thjesht për tendencë politike, por në asnjë rast për arsye penale. Me pak fjalë thjesht sepse Hysenbegasit vëllezër Isuf dhe Petrit nuk ndonjë kishin simpati për komunizmin, por ndiheshin më afër Perëndimit dhe sidomos anglo-amerikanëve. Për këtë anësim shpirtëror nuk patën kryer asnjë veprim subversiv.

Kjo është koha kur tek doktor Isufi, siç treguam në fillim të këtij shkrimi, shkoi për vizitë dhe i rrëfeu të vërtetën e vrasjes së Feritit nga Bedri Spahiu ish-polici prej një fshati të Korçës. Në 1975 kryesia e Frontit Demokratik të Cakranit përsëriti dokumentin e saj lehtësues u përsërit në 1975. Ndërkaq më vonë, në 1984, një shkresë e marë prej familjes nga Gjykata e Lartë pranon se babai i tyre nuk figuronte në listën e të pushkatuarve. Kur në fund të viteve nëntëdhjetë funksionoi komisioni i drejtuar nga avokat Nazif Bezhani, ky e nxori faktin e vdekjes në hetuesi të Ferit Hysenbegasit nga procesverbalet e gjyqit të Koçi Xoxes. Më pas nga arkiva e Ministrisë së Brendëshme drejtori i arkivit të saj Kastriot Dervishi vërtetoi se në listën emërore të të ekzekutuarve pa gjyq dhe të vdekurve në burg, në numrin rendor 1874, rezultonte Ferit Jashar Hysenbegasi. Data e ekzekutimit qe 17 shtator 1947.

Për një paturpësi të  pashoqe në të gjitha karakteristikat që e shoqëronin krimin nuk thuhej asnjë fjalë për shkollimin e lartë të Feritit (dhe vëllait të tij). Asgjë që studjoi për mjek në Universitetin “La Sapienza” në Romë dhe u largua prej këtij profesioni, sepse qe shumë zemërbutë dhe nuk u bënte dot autopsi kufomave njerëzore, i binte të fikët. Kështu i jati e dërgoi për studime jurisprudence në Beograd, duke u rikthyer prej andej i kualifikuar në fillim të viteve tridhjetë

Ndërkaq babai i tyre, Jashar Hysenbegasi (Starova), kishte qenë një rilindas i vijës së parë dhe u deshën më shumë se një gjysmë shekulli që fotografia e tij bashkë me çetën e vet,  ekspozuar në Muzeun Kombëtar me deçiturë pa emrin e tij, ta fitonte këtë të drejtë. Iu ekspozua edhe një letërkëmbim me Mihal Gramenon, ku në njërën prej tyre ky i fundit e përgëzon Jashar beun për luftën që bëri me çetën e tij në Nikolicë kundër grekëve.

I vëllai, Isufi, shok shkolle i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës

Ndërkohë Isuf Hysenbegasi, i cili pas burgimit u punësua si mjek në spitalin e Vlorës dhe që për disa vite me rradhë çdo muaj i dërgonte ndihmë në të holla familjes së të vëllait të zhdukur jo thjesht prej një shkelmi barbar të Bedri Spahiut, por prej palogjikës së një sistemi të tërë shoqëror, kishte qenë shok shkolle me Enver Hoxhën në Liceun e Korçës. Madje qenë aq shumë shokë saqë një ditë u arratisën prej saj dhe nga Korça shkuan në Starovë, Pogradec, tek i jati i Feritit, Jashari. Rilindasi i njohur që nuk e pëlqeu fare këtë aventurë të nipit dhe të shokut të tij, nuk i la as të merrnin frymë. I urdhëroi të riktheheshin në shkollë, për të gjithë natën. E të mos i hipnin asnjë automobili, por të shkonin në Korçë me po atë mënyrë kokëkrisur siç kishin ardhur: në këmbë.

Kjo histori për trupin e zhdukur të një bashkëkombësi nuk mund të ketë një  “happy end”. Gjithsesi tashmë diçka është vënë në vend, portreti i Ferit Hysenbegasit ndodhet në Muzeun Kombëtar, në pavijonin e krimeve të komunizmit. Po ashtu në kupolën e BUNKART 2, muzeut nëntokësor që ndodhet tek Ministria e Brendshme.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zenepe Toci: 24/09/2019 21:20

    Une nuk jam ne gjendje te degjoj te tilla barbarizma.O zot sa sistem i poshter ishte edhe eshte...cnjerzoreee.Sepse zotron injoranca

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin