Ishte viti 1928 kur arkeologu italian Luigi Maria Ugolini zbuloi trupin e një figure femërore në rrënojat e Butrintit. Toka ishte e mbushur me ujë, ndërsa punëtorët gërmonin mes baltës. Ugolini besonte se koka e statujës duhej të ishte aty pranë.

Pak ditë më vonë, mes dheut dhe baltës, u gjet edhe koka e saj. Fytyra ishte ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme. Ugolini e quajti “Dea e Butrintit”. Identifikimi i saj si hyjneshë apo si Apollon do të mbetej më pas pjesë e debatit arkeologjik.

 “Dea e Butrintit u zbulua në vitin 1928, gjatë gërmimeve pranë teatrit të Butrintit. Pak kohë pas zbulimit, skulptura u largua nga vendi ynë”, tha Iris Pojani, arkeologe.

Nga Butrinti, Dea u dërgua në Itali, ku qëndroi për dekada. Në vitin 1982, koka u rikthye në Shqipëri dhe u vendos në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

“Dea është një nga objektet më të rëndësishme të Muzeut Historik Kombëtar. Për breza të tërë ajo është quajtur hyjnesha e Butrintit, shtoi Elenita Roshi, drejtoresha e Muzeut Historik Kombëtar.

Tani, pas një tjetër udhëtimi, Dea kthehet aty ku u zbulua për herë të parë. Në Butrint.

“Dea e Butrintit kthehet në shtëpi. Rikthimi i saj pasuron rrëfimin e Butrintit dhe trashëgiminë tonë të përbashkët europiane”, tha Blendi Gonxhja.

Gati një shekull pas zbulimit, do të jetë sërish pranë teatrit ku doli në dritë. Këtë herë, për të qenë sërish pjesë e historisë së qytetit që e mbajti të fshehur për shekuj.