Në dy vitet e fundit raporti i numrit të të infektuarve për 100 mijë banorë, ose siç njihet ndryshe incidenca, ka kërcyer nga 4.3 në 5.3, duke bërë që vendi të jetë në nivelet e larta krahasuar jo vetëm me Ballkanin.
Për Report Tv, mjekja infeksioniste Esmeralda Meta, thekson se raste të reja shfaqen gjatë gjithë vitit
“Ajo që shohim është që ne kemi raste të reja çdo muaj, në të 12 muajt e vitit. Për sa kohë vazhdon të jetë i njëjti trend nga viti në vit, do të thotë që s'ka zvogëlim të numrit të rasteve. Janë prezent. dhe duket që do jenë prezente. Duke qënë se hidhje rrugët kryesore transmetimit e kanë ajo që mbetet prej dominante është rruga seksuale, rruga përmes transmetimit të përdorimit të drogave tek përdoruesit e drogave intraven, transmetimi përmes gjakut, transmetimi te gratë shtatzëna nga nëna te fëmija. Këto mbeten rrugët më prevalente të transmetimit dhe natyrisht janë prezente",- thotë Meta.
Testimet në vend kanë njohur një rritje progresive, pavarësisht se gjysma e tyre lidhet me dhuruesit e gjakut. Por të dhënat në fakt dëshmojnë se mbeten në kuota të pamjaftueshme, përsa kohë, shumica e rasteve kapen në një fazë të vonë.
“Në 60 përqind të rasteve diagnostikohen vonë, dhe 40 përqind e tyre në stade akoma më të avancuara”, shpjegoi Roland Bami, i Institutit të Shëndetit Publik.
Infeksioni vijon të mbetet i përhapur kryesisht meshkujt.
Me gjasë, kjo situatë mund të shpjegohet me marrëdhëniet homoseksuale, edhe pse shumë nuk deklarohen të tillë për shkak të stigmatizimit. Kryesisht, në po këtë grup, shihet një bashkëshoqërim i HIV-it me sifilizin. Rastet e bashkëinfeksionit kanë ardhur në rritje, duke dëshmuar një risk të lartë të sjelljeve seksuale të pasigurta.
Transmetimi nga nëna te fëmija është po ashtu një fenomen i konstatuar ndër vite.
“Kjo ka bërë shkas që nënat shtatzëna të depistohen në fillimet e shtatzënisë. A ka nëna të cilat janë HIV pozitiv nën terapi që ne i monitorojmë për të lindur bebe HIV negativ. Po dhe këto janë nën monitorimin dhe ne vazhdojmë sërish të theksojmë, por gjithmonë në bashkëpunim dhe me struktura të tjera që çdo grua dhe ajo që është e panjohur hiv pozitiv të mund të evidentohet që në fillimet e shtatzënisë”, deklaron mjekja infeksioniste Esmeralda Meta.
Testimi i grave shtatzëna shihet si një mundësi parandalimi, dhe është përfshirë në protokollet e kujdesit prenatal.
Por duket se një strategji e tillë nuk ka funksionuar plotësisht. Fakt është se gjatë këtij viti është identifikuar një tjetër rast i transmetuar vertikalisht, pra nga nëna te fëmija. Ndërsa vetëm gjysma e grave shtazënë i ishte nënshtruar testit.
Komente








