Hoffmann për “A1 Report”: Vizita
e Ramës në Beograd, historike

Hoffmann për “A1 Report”: Vizita<br />e Ramës në Beograd, historike
Vizita e kryeministrit Rama në Beograd në fund të tetorit është padyshim një arritje historike. Kështu shprehet ambasadori gjerman në Shqipëri Helmut Hoffmann në një intervistë për “A1 Report” ku komenton për herë të parë konferencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Berlin. Ambasadori Hoffmann komentoi edhe mbi vendimin e Këshillit Europian në qershor për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat dhe mbështetjen e Gjermanisë. Ambasadori Hoffmann komentoi edhe mbi debatet e fundit politike në Tiranë dhe mungesën e opozitës në parlament.
 
Zoti, ambasador, doja t’ju pyesja fillimisht cilat ishin reagimet në Gjermani mbi rezultatet e konferencës së Vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Berlin?
Sa i përket reagimit të përgjithshëm, do të thosha nga aq sa kam parë në media, pati një reagim mjaft pozitiv sa i takon konferencës, dhe nuk jam aspak i surprizuar, pasi aktualisht ka një debat gjithnjë e më të madh në vend, sa i përket rritjes së rolit të Gjermanisë në politikën ndërkombëtare, ndaj dhe konferenca përshtatet me këtë situatë sepse njerëzit e kuptojnë që ne kemi përgjegjësinë që të ndihmojmë në stabilizimin e mjedisit rajonal dhe vendet e Ballkanit luajnë një rol të rëndësishëm për këtë. Kjo pasi kemi parë një situatë të vështirë në Ballkan në fillim të viteve 90, dhe jemi shumë të kënaqur që gjërat janë përmirësuar ndjeshëm, dhe konferenca është një tregues i këtij përmirësimi, pra që ne duam të theksojmë progresin e arritur dhe të stabilizojmë dhe konsolidojmë këtë progres.

Po përsa i përket, politikës, cili ishte reagimi?
Pak a shumë e njëjta situatë. Mendoj se qeveria federale ishte shumë e kënaqur me konferencën dhe pjesëmarrjen, pra me liderët e ulur në të njëjtën tryezë, ashtu siç jemi të kënaqur që kryeministri Rama do të vizitojë së shpejti Beogradin pasi e konsiderojmë edhe si një rezultat pozitiv i konferencës. Pra siç e thashë, ne duam të ndihmojmë në konsolidimin e progresit që është arritur në rajon, çka është tepër e rëndësishme.
 
Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se planifikon të punojë ngushtë me këto vende për t’i afruar me BE-në, një proces që nisi pikërisht me organizimin e kësaj konference. Pse ky interes kaq I madh I Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor në këto momente?
Ka dy çështje këtu, e para roli i Gjermanisë në politikën ndërkombëtare në përgjithësi. Mjafton të shohësh përreth dhe ka shumë kriza dhe konflikte që po ndodhin, Ukraina me Rusinë, Iraku, Siria, Gaza, pra gjithë këto kriza të vështira dhe ne nuk jemi aq larg tyre. Ne e dimë që Gjermania ka një rrol të caktuar e ndaj duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona. Nga ana tjetër janë vendet e Ballkanit të cilat janë gjithashtu shumë afër nesh. Ne kemi qenë shumë të angazhuar në këtë rajon që në fillim të viteve 90. E mbaj mend shumë mirë tronditjen e publikut gjerman me ngjarjet e atyre viteve në Ballkan, me atë që ndodhi pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe ne dhamë kontributin tone për të ndërhyrë me NATO-n, misionin e BE-së dhe OSBE. Ndërsa sot shohim progres dhe konsolidim të paqes dhe stabilitetit. Ndaj e shohim si një proces të natyrshëm që të ndihmojmë në konsolidimin e këtij progresi aq më tepër duke patur parasysh rolin që Gjermania luan në Europë.
 
Ka nga ata që thonë se ka një lloj marrëdhënie disi të veçantë mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ju si mendoni?
Padyshim që ekziston një marrëdhënie shumë pozitive dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Unë isha i pranishëm kur kryeministri Rama vizitoi Berlinin në fillim të prillit dhe munda të shoh që ka një marrëdhënie mjaft pozitive mes kancelares dhe kryeministrit, ashtu siç ka dhe një marrëdhënie të tillë edhe mes ministrave të jashtëm, patëm edhe një vizitë nga ministri i ekonomisë në Berlin. Ne jemi aktiv këtu tashmë prej 25 vitesh dhe jemi një prej partnerëve më të mëdhenj sa i takon bashkëpunimit ekonomik. Veç kësaj vlerësojmë shumë ndjenjat pozitive që shqiptarët kanë për Gjermaninë dhe kemi edhe një komunitet shqiptar në Gjermani, pra gjërat janë mjaft pozitive.
 
Disa analistë argumentojnë se ishte mbështetja e fortë e Gjermanisë veçanërisht gjatë muajve të fundit, që luajti një rol kyç në vendimin pozitiv të qershorit për t'i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Ju bini dakord me këtë?
Unë vetë kam ardhur këtu rreth një vit më parë, në gusht dhe në atë kohë kishte një debat mjaft intensiv sa përket çështjes së statusit të vendit kandidat dhe në ato momente kishte një mendim që në Shqipëri kishte një ndryshim qeverish ndaj do të ishte mirë që të shihnim pak më gjatë se si do të ishin zhvillimet, pra çfarë do të bënte qeveria e re, si do ta gjente opozita rolin e saj apo zhvillime të tjera. Ndaj mendoj se ishte një vendim i mençur nga ana e këshillit europian në dhjetor të vitit të kaluar që të priste edhe pak më shumë kohë përpara se të merrej një vendim. Më pas pamë politikën e reformave këtu dhe mbërritëm në konkluzionin që ishte vendimi i duhur ti jepnim dritën jeshile gjatë takimit të qershorit. Por natyrisht ne duam të sigurohemi që Shqipëria do të vazhdojë me politikën e reformave dhe kjo periudhë na dha mundësinë për ta patur më të qartë.
 
Pra ishit më të bindur?
Bindje nga ana jonë? Po natyrisht sepse pamë shenja pozitive që po ecej në drejtimin e duhur dhe e vlerësojmë vendosmërinë e Shqipërisë, jo vetëm të qeverisë por nga të gjithë aktorët për të vazhduar me procesin e reformave. Natyrisht që mbeten ende çështje që dihen mjaft mirë si reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, modernizimi i administratës pra një sërë çështjesh por ne kishim përshtypjen se Shqipëria është në rrugën e duhur ndaj e inkurajojmë që të vazhdojë në këtë drejtim, sepse këto sfida me të cilat përballet nuk do të zhduken që nesër ndaj do të duhet të vazhdoni të punoni fort në këtë drejtim. Por ajo çka është më e rëndësishme është se drejtimi është ai i duhuri.
 
Kancelarja theksoi gjithashtu se një prej çështjeve më të rëndësishme të kësaj konference ishte edhe diskutimi mbi mënyrën se si të zgjidhen problemet politike, veçanërisht mes Kosovës e Serbisë. A e sheh Berlini Shqipërinë si një partner kyç në këtë drejtim?
Do të thosha që ishte një prej objektivave të konferencës së Berlinit që të ndihmonte në zgjidhjen e disa prej çështjeve të vështira dhe për ti inkurajuar vendet pjesëmarrëse që të zgjidhin këto çështje të vështira dhe komplekse bilaterale dhe ka një sërë çështjesh të tilla në rajon. Dhe meqë përmendet Serbinë dhe Kosovën, ne jemi shumë të kënaqur me marrëdhëniet e reja që janë zhvilluar mes tyre dhe me marrëveshjen që ato arritën vitin e kaluar. Dhe do të thosha që kjo është një prej arsyeve pse kancelarja dhe ministri i jashtëm organizuan këtë konferencë sepse duam të inkurajojmë veçanërisht këtë proces sepse kjo është shumë e rëndësishme për rajonin. Por Serbia dhe Kosova janë shtete sovrane dhe është përgjegjësia e tyre pikësëpari që të rregullojnë marrëdhënien mes tyre ndaj dhe ne shpresojmë shumë që ato të ecin në këtë drejtim të rindërtimit të një marrëdhënie konstruktive. Natyrisht që e kuptojmë që Shqipëria edhe për arsye historike ka një interes të veçantë në këtë drejtim, por kjo është një çështje më shumë mes Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë do të shtoja se ne e vlerësojmë shumë rolin pozitiv dhe të moderuar që Shqipëria ka luajtur për shumë vite në rajon dhe ka ndihmuar që edhe ky proces të ecë përpara. Ndaj siç e thashë edhe më parë e vlerësojmë shumë vizitën që do të bëjë kryeministri Rama në fund të tetorit, që mesa di do të jetë vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd që prej vitit 1946, cka është padyshim një arritje historike.
 
Sipas disa raportimeve në media, qëndrimi i Gjermanisë është që procesi i zgjerimit të vazhdojë por se do të duhet një kohë e gjatë përpara se një tjetër vend i Ballkanit Perëndimor të bëhet anëtar iBE-së. Pse e mendoni kështu?
Në fakt unë kam një këndvështrim tjetër lidhur me këtë. Pikësëpari, ne jemi shumë në favor të procesit të zgjerimit dhe e gjithë konferenca në Berlin kishte si synim përforcimin e mesazhit që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë në Bashkimin Europian, çka u theksua fort në këtë takim, veçanërisht në një kohë kur njerëzit flasin për një lodhje të procesit të zgjerimit. Dhe kur lexon atë çfarë kancelarja Angela Merkel tha gjatë konferencës për shtyp ishte, citoj-ne duam të përshpejtojmë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor por duke shtuar natyrisht që kjo gjë është në duart e vetë këtyre vendeve. Unë nuk flas kurrë për vitet dhe them që do të kërkojë aq kohë sa është e nevojshme dhe kjo varet shumë nga shpejtësia e procesit të reformave. Nuk ka pra një afat të përcaktuar kohor dhe secili vend do të përcaktojë vetë kohën e këtij procesi. Pra do të kërkojë kohën e vet çdo gjë dhe askush nuk mund të thotë sot se sa kohë do të duhet por e përsëris që do të varet nga vendosmëria e vendeve partnere. 
 
Z.Ambasador, së fundmi por jo nga rëndësia do të doja t’ju pyesja lidhur me zhvillimet e fundit politike në Tiranë. Sesioni i ri parlamentar sapo ka nisur dhe sërish opozita nuk është pjesë e jetës parlamentare.
E kam thënë dhe do të vazhdoj ta them që në një demokraci qeveria e ka për detyrë të qeverisë ndërsa opozita duhet të bëjë punën e saj opozitare dhe të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre. Në Shqipëri, dhe nuk jam unë i pari që e kam vënë re këtë, ka një shkallë të lartë polarizimi dhe shpesh thuhet se ka të bëjë me temperamentin e njerëzve, çka e pranoj deri në një shkallë të caktuar. Por do të thosha pas më shumë se një viti këtu që do të ishte mirë të mos fokusoheshim shumë tek ky polarizim sepse në të njëjtën kohë ekziston mjaft konsensus në politikën shqiptare përsa i përket politikës së jashtme apo integrimin në BE, apo për një perspektivë të qartë perëndimore dhe ndaj NATO-s. Nuk ndodh kështu kudo, ndaj edhe kjo është diçka pozitive. Por është e vërtet që në politikën e brendshme ka një polarizim dhe nuk e fsheh mendimin tim që do të dëshiroja që njerëzit të zhvillonin një kulturë të re politike. Natyrisht që ka debate intensive dhe polemika por do të duhej të ishte pak më e civilizuar mënyra e ndërveprimit. Gjithsesi kjo është demokracia dhe njerëzit duhet të thonë mendimin e tyre. Por mendoj që duhet që të vihet në radhë të parë interesi i vendit dhe jo i një partie të caktuar e mbase do të duhet pak më shumë kohë për të gjetur balancën apo ekuilibrin e duhur në këtë drejtim  
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Varri i Enverit dridhej nga demonët! Ushtarët që e ruanin përfunduan në çmendinë', Visar Zhiti: Pse Ramizi dhe Nexhmija e çuan Nënë Terezën te ish-diktatori?

'Varri i Enverit dridhej nga demonët! Ushtarët që e ruanin përfunduan në çmendinë', Visar Zhiti: Pse Ramizi dhe Nexhmija e çuan Nënë Terezën te ish-diktatori?