Në ditën e 12-të të Kupës së Botës startojnë edhe ndeshjet e treta në grupe me dy grupet e para A dhe B që do të zgjidhin enigmat. Në orën 18:00 luhen dy ndeshje ku spikat Holandë-Kili, takim që do të përcaktojë skuadrën e kualifikuar si e para e grupit me të dyja kombetaret që janë në kuotën e 6 pikëve.

Van Gal nuk do të ketë të gatshëm kapitenin Van Persi të pezulluar ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do jetë e njëjtë. Trajneri i amerikano-jugorëve mendon se ndeshja ndaj tulipanëve do jetë e vështirë pasi sipas tij Van Gal është një trajner që përgatitet për të gjitha variantet e mundshme që mund të ketë një sfidë.

Spanja do të luajë me Australinë ndeshjen e fundit në këtë Kupë Bote dhe do rikthehet në shtëpi e shkurorëzuar. Kjo është ndeshja e parë që mund të përcaktojë edhe të ardhmen e ‘Furive te Kuqe’.

Në mbrëmje në oren 22:00 luhen dy sfidat e grupit A dhe në fushë zbret Brazili i Scolarit që do përballet me Kamerunin. Seleçao duhet të bëjë mirë llogaritë dhe duhet të fitojë për tu kualifikuar si e para e grupit dhe trajneri Scolari sqaron se nuk do të bëjë asnjë ndryshim në formacion por do të hedhë në fushë 11 futbollistë që luajtën në ndeshjen e parë me Kroacinë.

Ndërsa ballkanasit do përballen me Meksikën një ndeshje që do përcaktojë skuadrën tjetër që do kalojë më tej. Skuadrës së Niko Kovac i duhet vetëm fitorja ndërsa meksikanët janë të kualifikuar edhe me një barazim.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)