Për herë të parë në Holandë, një fëmijë nën moshën 12 vjeç ka ndërruar jetë përmes vdekjes së asistuar (eutanazisë).

Vdekja e fëmijës u konfirmua nga Ministrja e Shëndetësisë, Sophie Hermans, ndërsa paraqiti të hënën në parlament raportin vjetor të komitetit që shqyrton të gjitha abortet në fazë të vonë dhe vdekjet e asistuara mjekësore të fëmijëve.

Sipas raportit, fëmija ishte nën moshën 12 vjeç dhe kishte qenë i sëmurë rëndë, por nuk u dhanë detaje të mëtejshme.

Vdekja e asistuar për fëmijët me sëmundje të rënda, të moshave nga një deri në 12 vjeç është e ligjshme prej dy vitesh në Holandë. Para ndryshimit të ligjit, vetëm të sapolindurit dhe ata mbi 12 vjeç mund t’i nënshtroheshin eutanazisë.

Sipas ligjit holandez, duhet konsultuar me prindërit, fëmija duhet të jetë duke vuajtur në tmerrësisht dhe nuk duhet të ketë asnjë mundësi shërimi.

Vdekja e fëmijës i është referuar shërbimit të prokurorisë publike, i cili do të vendosë nëse mjekët kanë respektuar rregullat që lidhen me eutanazinë. Raporti i komitetit do të bëhet publik së shpejti, tha Hermans.

Eutanazia në Holandë lejohet vetëm nëse kërkesa vjen nga pacienti dhe nëse një mjek pranon se vuajtja e tij është e padurueshme. Mjeku duhet të sigurohet që pacienti nuk po vepron nën presion dhe duhet të marrë një mendim të dytë.

Eutanazia ka mbështetje të fortë publike në Holandë, vend që u bë i pari që e legalizoi për personat me sëmundje të pashërueshme në vitin 2002.

Para ndryshimit të ligjit, nuk kishte një politikë të qartë për eutanazinë për fëmijët midis moshës një dhe 12 vjeç, pasi konsiderohej se ata nuk ishin në gjendje të merrnin vendime vetë./DailyMail