PARIS - Presidenti francez Francois Hollande, i ka bërë thirrje popullit francez që të tregojë kurajo dhe të jetë i bashkuar në luftën kundër terrorizimit. Deklaratat Presidenti francez i bëri në një dalje për mediat, pas përfundimit të dy aksioneve të policisë në dy pengmarrjet e ditës së sotme nga terroristët.

Hollande përshëneti aksionet e policisë, duke u shprehur se forcat e policisë sot, falë ndërhyrjes dhe kurajës së tyre kanë shpëtuar jetë njerëzish.

Por pavarësisht kësaj, Hollande nënvizon se lufta kundër terrorizmit nuk ka përfunduar ende, pasi Franca vijon të mbetet një objektiv për të tjera sulme. Dhe në këtë kuadër, ai ka kërkuar nga policia dhe populli francez të tregohet vigjilent, që sulme të tilla të mos përsëriten.

Gjithashtu Hollande është shprehur se Franca do të jetë e detyruar të përdorë forcën, sa herë që liria do të jetë e kërcënuar.

Presidenti i Francës, ka kërkuar nga populli i tij që të qëndrojë i bashkuar dhe të tregojë kurajo ndaj terrorizmit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet.  

“Shprehim mirënjohje për policinë në dy aksionet. Ata shpëtuan jetë, u përpoqën të negociojnë dhe të mos ketë gjakderdhje. Franca nuk ka mbaruar situata e vështirë, Franca është vënë në shënjestër, forcat e policisë të tregohen vigjilente që vendi të mos goditet më me të tilla sulme.  Ne duhet të tregojmë vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizimin. Kjo që ndodhi nuk do të ndalë dhe nuk do të na ndajë, dhe do të përdorim forcën kur të kërkohet të përdoret forcë. Solidariteti ynë duhet të tregojmë se është efiçent. Duhet të mbrojmë sa herë që liria është e kërcënuar. Populli francez duhet të tregojë kurajo kundër terrorizmit. Të qëndrojmë së bashku është përgjigja më e mirë që mund t’i japim terrorizmit. Duhet të jemi krenarë për vlerat që Europa prezanton në botë, dhe duhet të jemi të fortë.” u shpreh Hollande