Holokausti, Al Kaeda, ISIS Aleanca
e Shenjtë kundër së keqes

Holokausti, Al Kaeda, ISIS Aleanca<br />e Shenjtë kundër së keqes
Në këtë 70 vjetor të çlirimit të Kampit të Përqendrimit të Aushvicit, e vërteta thotë, se ende ka luftëtarë të verbër të së keqes, por edhe se bota di të përballet me të dhe ta mundë…

Umberto Eco, shkrimtari i njohur italian, para disa ditësh, në gazetën Corriere della Sera, u shpreh se “po ndodh një luftë, dhe ne jemi zhytur në të gjer në fyt. Me këtë lloj terrorizmi, situata është kryekëput e njëjtë me atë që kemi përjetuar gjatë luftës. Mund të thuhet me siguri se ISIS-i është një formë e re e nazizmit, me metodat e shfarosjes dhe vullnetin apokaliptik për të sunduar botën”.

Për të luftuar të keqen që i ka dalë përballë, shtetet janë bashkuar gjithnjë në aleanca. “Aleanca e Shenjtë” e vitit 1942 SHBA-BS-Angli kundër fashizmit, dhe sot, SHBA me shtetet aleatë në luftën kundër terroristëve. Historia përsëritet, por kjo e keqe që ndodh, i afron më tepër popujt dhe shtetet.

 E keqja nuk i ra vetëm Francës, por të gjithëve. Europa është një trup i vetëm, dhe kur sëmundja bie në një pjesë të tij, sëmuret i gjithi. Vlerat europiane duhen mbrojtur nga të gjithë. “Europa është e shtrenjtë për krejt njerëzimin,- shkruante këto ditë Ismail Kadare në gazetën Le Monde- ndaj ajo, jo vetëm ka të dejtë, por e ka për detyrë të mbrohet. Për vete dhe për të gjithë.”Ajo që ndodhi në Paris mund të përsëritet, sepse askush nuk është i imunizuar ndaj së keqes. Prandaj, duhen bërë reflektime të dinamikës së gjërave, duke i parë ato me sy realist, nisur, ndoshta, që nga legjislacioni.

Gjatë Holokaustit u vranë gjashtë milionë hebrenj nga nazistët. Ata torturuan dhe vranë fëmijë, gra e burra. Njeriu nuk duron dot as ta shohë në retrospektivë të keqen. Dokumentari i parë, që rrëfen atë që gjetën Forcat Aleate kur çliruan kampet naziste të përqendrimit, i regjisorit hebre të Hollywood-it, Billy Wilder, “Mullinjtë e vdekjes”, kur u shfaq në ekran në Würzburg të Gjermanisë, nisi me 500 shikues, dhe në fund të tij mbetën vetëm 75, sepse nuk e përballuan dot llahtarinë. Krimet e sotme të ISIS-it dhe Al Kaedës, të bëra publikisht, janë të ngjashme, në mos identike me ato të nazistëve.

Cili është ndryshimi? Asnjë. Madje, kokat e prera nga ISIS-itë kujtojnë Mesjetën. Këta terroristë përditë derdhin gjakun e fëmijëve, burgosin burrat, skllavërojnë seksualisht, përdhunojnë dhe detyrojnë gratë të martohen dhe të lindin fëmijë me forcë, u mohojnë ushqimin dhe mjekimin qindra mijëra njerëzve në Siri dhe Irak, bombardojnë shkolla me fëmijë të vegjël, shkatërrojnë vendet e shenjta të minoriteteve fetare, të krishterëve, shiitëve, etj.

Gjer në shtator, 2014, numërohen mbi 9 mijë civilë të vrarë, 17 mijë të plagosur, dhe 1,8 milion irakianë janë dëbuar me forcë prej shtëpive të tyre. Këto tmerre kanë nisur prej vitesh, qëkurse Al Kaeda, nga rajonale, u kthye në organizatë terroriste botërore, duke nxitur konflikte ushtarake me shtetet fqinje, dhe duke provokuar shtetet perëndimore, që kulmoi në aktin terrorist më shkatërrues: sulmi ndaj Kullave Binjake në SHBA, që rezultoi në vdekjen e rreth 3000 vetëve.

Nazistët i vranë hebrenjtë sepse ata kishin lindur “gabimisht” të tillë. Kaq mjaftonte për t’u marrë jetën, sepse nuk ishin “racë e pastër”.
Hebrenjtë e ardhur në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore u shpëtuan nga shqiptarët, madje, jemi vendi i vetëm me asnjë viktimë nga nazizmi. Që nga Holokausti, paragjykimit dhe urrejtjes i është shpallur luftë e gjithanshme, jo me armë. Janë shkruar libra, janë mbajtur konferenca, e megjithatë, bota përsëri e përsëri ka rënë në të njëjtin mëkat. Më 1999, shqiptarët e Kosovës u përjashtuan me dëbime dhe vdekje nga e drejta themelore për të jetuar në tokën e tyre.

Pas Lufte, Shqipëria u rendit e fundit: asnjë (0 me shifra) hebre i vrarë apo i dorëzuar tek autoritetet pushtuese naziste, ndërkohë që rezulton, sipas studiuesit Shaban Sinani, edhe si vendi i vetëm në përfundim të Luftës II Botërore, ku komuniteti hebre u shumëfishua në numër, në krahasim me paraluftën.”.
 
Në marshimin e 11 janarit në Paris për solidarizimin me të vrarët morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare. Ata parakaluan sëbashku në shesh, gjë që u duartrokit. Dolën në Paris për t’i kujtuar botës se shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë janë po ata që mund ta japin këtë shembull  edhe sot. Me entusiazëm u prit edhe gjesti i Kryeministrit Rama, i cili mbante në xhepin e xhaketës tri lapsa, blu, i bardhë, i kuq, me ngjyrat e flamurit të Francës, për të thënë “Je suis France”.

Por, edhe ne, shqiptarët, nuk jemi të imunizuar nga ekstremizmi. Mes nesh ka nga ata që kanë shkuar të luftojnë në Siri, prandaj na duhet të luftojmë edhe brenda vetes sonë. Në Paris, mesazhi i përcjellë nga përfaqësuesit e gjithë Europës ishte se besimet mund të jetojnë për bukuri krah njëri-tjetrit, mund të bashkëjetojnë duke e toleruar të ndryshmin. Asnjë libër i Shenjtë nuk inkurajon tmerre njerëzore.

27 Janari përkujtohet në botë si Dita Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në këtë 70 vjetor të çlirimit të Kampit të Përqendrimit të Aushvicit, e vërteta thotë, se ende ka luftëtarë të verbër të së keqes, por edhe se bota di të përballet me të dhe ta mundë. Një rabin i njohur ka thënë se kur u mohojmë jetën të tjerëve, ne kemi shkatërruar tonën. Kur urrejmë atë çka është njerëzore te fqinji ynë, ne kemi çliruar nga zinxhirët bishën dhe atë çka është barbare në zemrën tonë. Nëse ne nuk e shikojmë dot fytyrën e Zotit te tjetri, atëherë, të paktën, të shohim tek ai një fytyrë po aq njerëzore sa e jona.

Letërsia dhe arti duhet të përcjellin mesazhe humane, por edhe në një formë të lartë artistike. Kështu ka ndodhur me veprat e mëdha të letërsisë botërore. Askush nuk ankohet për Ferrin e Dante Alighierit. Në ferrin artistik të poetit është edhe vetë Papa, por kjo nuk ngjall revoltën e besimtarëve, përkundrazi, studiohet prej shekujsh në gjithë universitetet e botës.

Arti i vërtetë bashkon dhe nuk ndan. Poeti i madh hebre, Jehuda Amichai, shkruan:
...“Një bari arab po kërkon dhinë e tij në malin Zion,
Mbi kodrën përballë unë kërkoj fëmijën tim,
Një bari arab dhe një baba hebre,
Qoftë dhe si një gabim i përkohshëm,
Zërat e të dyve bashkohen atje,
Sipër Pishinës së Sulltanit, në luginën përtej.

Asnjeri nuk dëshiron që fëmija apo dhia,
Të mbesë në kurthin e rrotave,
Të makinës “Had Gadya”,
Më pas i kemi gjetur mes shkurreve,
Dhe zërat tanë kthehen brenda nesh.

E qeshura dhe e qara,
Kërkimi i një dhie e një fëmije gjithnjë kanë qenë,
Fillimi i një feje të re në këto male”
(poezia“Një bari arab po kërkon dhinë e tij në malin Zion”)

isis



































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

'I kishim vajzat në të njëjtën klasë', flet kushërira e Alma Arrazit: Nuk e kam parë kurrë të shqetësuar

'I kishim vajzat në të njëjtën klasë', flet kushërira e Alma Arrazit: Nuk e kam parë kurrë të shqetësuar