Tirane- Situata e zjarreve në vend mbetet kritike dhe pothuajse çdo orë mesatarisht raportohet një vatër, teksa sipërfaqet me pyje, kullota dhe vreshta janë të konsiderueshme në dëme materiale.
Deri tani nuk ka rrezik për popullsinë dhe banesat, por gjendja po monitorohet nga çasti në çast nëse vatrat dalin jashtë kontrollit.
Forcat Operacionale, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, njoftuan sot se po punojnë për shuarjen e zjarreve në të paktën 12 vatra, të cilat vijojnë të jenë aktive, ndërsa 14 të tjera janë shuar.
Autoritetet e Emergjencave publikuan edhe hartën e zjarreve në vend, duke thënë se janë aktivizuar forca nga toka dhe ajri për shuarjen e tyre.
Më konkretisht po monitorohet nga strukturat e bashkisë Kurbin, vatra e zjarrit në fshatin Skuraj, ku pati riaktivizim, por aktualisht intensiteti është i dobët dhe nuk paraqet asnjë rrezik për zonat e banuara.
Teksa po vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë, ku ditë më parë flakët zbritën deri në zonën bregdetare të Shëngjinit, duke shkaktuar panik edhe te pushuesit.
“Vatra e zjarrit është vënë nën kontroll, por hera herës shpërthen për shkak të erës. Për shuarjen e plotë të saj janë të angazhuara 90 forca operacionale nga FA dhe strukturat vendore”, njoftoi agjencia.
Gjithashtu është vënë nën kontroll dhe po punohet për izolimin e plotë të vatrës në Malin e Lopçit, Shkodër.
“Puna po vijon në një tjetër vatër, atë në zonën pyjore Bode, mbi fshatin Lozhan, bashkia Maliq. Në zonë po operojnë 26 efektivë nga FA dhe 50 forca nga strukturat vendore të bashkisë Maliq, të cilat e kanë vënë nën kontroll situatën dhe zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje”, theksohet më tej.
Nën kontroll janë vënë edhe zjarri në fshatin Qarrishtë, bashkia Librazhd, në një sipërfaqe pyjore në zonën e Parkut Kombëtar Shebenik, teksa vijon aksioni nga terreni, në vendin e quajtur “Mali i Qukësit”, bashkia Prrenjas.
Nën kontroll u vu edhe vatra e zjarrit në malin Lugë, fshati Kus, Bashkia Tiranë.
“Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Mallakastër, ku zjarri vazhdon me intensitet të ulët. Po punohet me 1 mjet zjarrfikës, 4 mjete të rënda tip Skrep dhe 2 mjete transporti vetëshkarkuese të tonazhit të rëndë. Në fshatin Mazhar, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të dendur në një terren të thepisur. Vatra e zjarrit nuk rrezikon të përhapet, pasi pritet nga një përrua”, thanë autoritetet.
Edhe në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me barishte dhe kullotë në një lartësi të madhe. Por për shkak të terrenit, operimi është i vështirë, kurse vatra nuk paraqet rrezik.
Më problematike ka qenë vatra e zjarrit në fshatin Ninat, bashkia Konispol, në sipërfaqe me kullota. Kjo, pasi era e fortë po favorizon flakët, që janë larg zonës së banuar.
Kurse një tjetër vatër në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, fshati Turan, bashkia Tepelenë është vënë në kontroll. Një tjetër vatër zjarri raportohet e evidentuar edhe në fshatin Karoq, njësia administrative Livadhja, bashkia Finiq, në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët.
“Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë aktivizuar 450 forca dhe 33 mjete. Në mbështetje të këtyre forcave janë të angazhuar 130 trupa nga Forcat e Armatosura. Ju lutemi qytetarëve të sinjalizojnë në kohë vatrat e zjarrit, për të ndihmuar edhe autoritetet të operojnë në kohë për shuarjen e tyre!”, apelon Ministria e Mbrojtjes.