Këto ditë është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare Aleko Pojani. Kapiteni më i ri i një nëndetëseje krahasuar me ushtarakët e flotave luftarake të të gjithë botës. Ishte vetëm 21-vjeç kur mori komandën e nëndetëses së parë të ushtrisë shqiptare, me numër taktik 241 “STUHIA”, e njohur si nëndetësja 105, pas xhirimit të filmit “Ballë për Ballë”. Vetë Aleko ishte kapiteni i letrarizuar i kryeveprës së Ismail Kadaresë “ Dimri i Vetmis së Madhe”.

Kush ishte Aleko Pojani?
Aleko Pojani ka lindur më 23 nëntor 1937 në qytetin e Tiranës, në një familje qytetare me tradita patriotike. Shkollën 7- vjeçare e kreu në qytetin e Korçës dhe më pas vazhdoi Shkollën Ushtarake “Skënderbej” nga viti 1949 deri në vitin 1953. Në këtë vit shkon për studime në Bashkimin Sovjetik për studime ne Shkollën e Lartë të Marinës në Baku. Përfundon studimet në vitin 1958 me rezultate të shkëlqyera. Prej vitit 1958 deri në vitin 1977 shërben në në brigadën e nëndetëseve me detyra të rëndësishme. Përfshirë edhe atë të Komandantit të Brigadës. Nga viti 1977 deri në vitin 1991 ka punuar si shef i degës mësimore në Akademinë e Marinës në Vlorë ku në vitin 1986 ka mbrojtur disertacionin për gradën shkencore Kandidat i Shkencave Ushtarake. Gëzoi titullin “ Doktor i Shkencave”.

Pas ndarjes nga jeta personalitete dhe miq janë shprehur: Zv/Ministri i Mbrojtjes Petro Koçi ka shkruar në rrjetet sociale se “U nda nga jeta njëri nga komandantët e parë të nënëdetëseve shqiptare Dr. Aleko Pojani. Aleko Pojani kreu shkollën ushtarake "Skënderbej" dhe më pas Akademinë e Marinës në Baku të ish Bashkimit Sovjetik në vitet 50. Aleko Pojani ishte njëri nga komandantet e parë të nënëdetëseve shqiptare, i cili me nënëdetësen e tij 105 kreu misione shëmbullore dhe misterioze në detin Mesdhe.

Aleko Pojani ka qenë edhe komandant i Brigadës së Nëndetëseve në Bazën Ushtarako-Detare të Pashalimanit dhe pedagog në Akademinë e Marinës në Vlorë. Aleko Pojani është autor i librit historik "Nëndetësja 105, kujtimet e një komandanti" botuar në vitin 2013 dhe mbante gradën Doktor i Shkencave. Me vdekjen e Aleko Pojanit Flota Ushtarako-Detare shqiptare humbi një nga komandantët më të zot, Pashalimani njërin nga nënujësit më brilant dhe marina shqiptare Delfinin syshqiponjë.

Gazmir Tahiri: Ka lënë memorje të pashyeshme mes ne studentëve që na edukoi. Veti drejtuese dhe menaxhuese të papara, sa autoritar aq dhe njerëzor!

Armando Ulqinaku: Ngushëllime familjes. Detar me shpirt detari sa një oqean.