Historian i madh, polemist i madh, Rilindasi i fundit i derës së Frashërllinjve, këto qenë vlerësimet me të cilat u përcoll në banesën e fundit akademik Kristo Frashëri. Kurora dhe tufa Lulesh kishin ardhur nga përfaqësues të partive të gjitha ngjyrave të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Gjithë kjo pjesëmarrje zbulon edhe njëherë rolin që ka pasur Kristo Frashëri, jo vetëm në historiografinë shqiptare, por edhe ne jetën politike të vendit. 

 “Pa dyshim është një humbje e madhe. Kristo Frashëri ka qenë një nga kolonat e histografisë shqiptare dhe ka përfshirë në rrezen e analizës së tij historike të gjitha periudhat. Është një historian i rrallë të cilin nuk mund ta vendosësh në një periudhë të caktuar është gjithëpërfshirës dhe ka qenë një historian i avanguardës dhe në kuptimin që për ato që shkruante kishte përbërë studime fondamentale,”  tha historiani Pëllumb Xhufi.
 
Besnik Mustafaj e cilësoi Kristi Frashërin si një nga burrat më të ndritur të shekullit 20.
 
“Kristo Frashëri për mua dhe besoj jo vetëm për mua është një nga burrat më të ndritur që ka nxjerrë shekulli 20 shqiptarë. Njeri me një ndjenjë të fuqishme, me një ndërgjegje të fuqishme profesionale për të thënë të vërtetën historike,” u shpreh Besnik Mustafaj.
 
Për Shpëtim Idrizin, akademiku Frashëri ishte memoria historike e kombit shqiptar.
 
“Njeri i cili ka qenë memoria historike e kombit shqiptar sidomos në 100 vitet e fundit, vite të trazuara për historinë shqiptare. Unë do ta quaja një njeri që na kujton gjithmonë që historia përsëritet,” tha kreu i PDIU-së.

“Unë e para njëherë jam nga ato historiane që jam vërtet shumë e hidhëruar sepse profesorin nuk e kam pasur vetëm koleg, një koleg për vite shumë të gjata rreth 15 vite, por e kam pasur për nder sepse profesor Kristo Frashërin e kam pasur dhe udhëheqës të doktoratës time,” tregoi historiania Valentina Duka.

Ne nder te akademikut Frasheri, ne homazhe moren pjese, Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD-se Lulzim Bssha.

nishani homazhet frasheri

edi rama homazhet

edi rama homazhet

basha te homazhet

homazhe kristo frasheri

meta te homazhet

meta te homazhet
 Foto të tjera..

Ditën e diel, më 31 janar 2016 në mbrëmje  u nda nga bota intelektuale e mediatike një nga eruditët dhe polemistët më të mëdhenj të kohës, nga një vdekje natyrale. Kristo Frashëri e përjetoi historinë e shkruar në librat e tij, që nisin që nga etnogjeneza ilire deri në historinë e ditëve të sotme. Pinjoll i një familjeje të njohur patriotike dhe intelektuale të Frashëllinjve, ai u shqua si patriot dhe antifashist në vitet e okupacionit italian dhe gjerman, gjatë Luftës II Botërore.

Shkroi e krijoi për gati pesë dekada në diktaturën komuniste. Më pas mendimet e tij të guximshme kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë thithur vëmendjen mediatike e institucionale në rrugën drejt demokracisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta: “Kristo Frashëri na kujtoi se s'kemi ardhur nga hiçi dhe se historinë duhet ta bëjmë me punë çdo ditë! Prehje në paqe!”.

Kështu shkroi Veliaj në rrjetin social Twitter. Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka përcjellë një mesazh të ndjerë ngushëllimi për akademikun Kristo Frashëri. "Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Kristo Frashërit, Profesorit dhe Mësuesit, Historianit të madh dhe Njeriut modest që ka bërë histori… Pinjoll i mençur me një mbiemër të merituar që i ka dhënë aq shumë vendit, intelektual i klasit të parë dhe Akademik i të njëjtit klas. Prof. Frashëri është pjesëtar i një brezi të jashtëzakonshëm shqiptarësh të rrallë e të mëdhenj, shkruan ndër të tjera Meta.