TIRANE-Me 6 vota pro dhe asnjë kundër, Komisioni Hetimor për Ilir Metën i ka dorëzuar Kuvendit raportin përfundimtar për Presidentin duke i kërkuar që të mos shkarkohet, pasi shkeljet nuk janë domosdoshmërisht aq të rënda sa të justifikojnë lirimin nga detyra. Në votim morën pjesë Ulsi Manja, Vasilika Hysi, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Krenar Ryci dhe Bashkim Fino që e dha votën pro raportit, por me një rezervë që të mos përfshihen rekomandimet për Kuvendin.

Fino fillimisht u shpreh kundër raportit, pasi sipas tij, nëse gjatë gjithë kohës flasim për shkelje të Kushtetutës atëherë Ilir Meta duhet të shkarkohet, por në fund pranoi që të votonte pro raportin e hartuar nga relatorja socialiste Bushka me rezerva. Alket Hyseni tha se me këtë raport Presidentit iu tërhoq veshi fortë, ndërsa për Ulsi Manjën komisioni hetimor ishte sukses. 

Sa i përket opozitës në këtë komision, Ulsi Manja tha se në raport do të përfshihen mendimet e relatorit Halit Valteri. Opozita ka qenë e përçarë, pasi ndryshe nga pjesa tjetër, Adriatik Alimadhi ka qenë kundër shkarkimit të Ilir Metës. Tashmë raporti i Komisionit Hetimor për kreun e shtetit që e falën  për dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit të kaluar, por edhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese i shkon Kuvendit për votim brenda sesionit parlamentar, pra 30 korrikut për të mbyllur historinë njëvjeçare.

Diskutimet në Komisionin Hetimor
Bashkim Fino: Më shumë i vini vërdallë cështjes sikur po japim një opinion për një projektligj të zakonshëm. Përfytyroni si do të ishte Shqipëria nëse vendi nuk do të kishte zhvilluar zgjedhje lokale, shikoni Shkodrën, një kryetar bashkie votohet për 4 vite dhe sot ne kemi kryetarë bashkie që vijojnë mandatin për shkak të mosdekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti. Nuk e di sa do të vazhdojë, këtë e dini ju, që thoni se shkelja nuk është aq e rëndë për ta shkarkuar.

Ju më thoni se duhet bërë një ligj organik për Presidentin. Jo për presidentin emër mbiemër, por institucionin. Presidenti na tha grup kriminal. Sot nuk mund të përgjigjemi si grup kriminal i marrë peng nga presidenti. Prandaj ju ftoj që të reflektojmë përpara se cështja të votohet në seancë. Ne kemi dy opsione ose pro ose kundër, por jo rezoluta. Me gjithë këto që janë bërë këtu besoj që njollosim veten tonë.

Alket Hyseni: Ka pasur shkelje, por nuk ndamë dot thellësinë e shkeljes dhe këtë e ndajmë këtej e tutje. Synimi ka qenë të sqarojmë sovranin dhe që të mos ndodhin më. U ftoj ta miratojmë raportin e paraqitur nga relatorja, që është formuluar me kujdes profesional.

Ka edhe qëndrimin politik të shumicës. Shumica nuk mund të shkelë kushtetutën për të penalizuar shkelësit e kushtetutës, kaq ishte hapësira e mundshme ligjore dhe politike, evidentoi shkeljet dhe jep rekomandimet. Mund të ndodhë që në seancë të mos miratohet ky raport dhe të gjykojë seanca, që ka më tepër apo më shumë se kaq.

Bashkim Fino: Këtu nuk ka dëshirë personale të shkarkimit të presidentit. Distaninim duhet ta bëjë edhe vetë zoti Hyseni nga këto fjalë.

Alket Hyseni: Që të sqaroj zotin Fino, nuk iu referova dëshirës së tij, por ndonjë kolegu. Nuk iu referova Finos personalisht. Parlamenti i tërheq edhe veshin presidentit,që çke me të, dhe me këtë rast i është tërhequr cke me të, fort dhe nuk është cështja nga ana e etikës apo disiplinës.

Ulsi Manja: Raporti është i shkëlqyer. Komisioni vendosi një standard si duhet të trajtohen në të ardhmen objektet e komisioneve hetimore. Veprimtaria e komisionit është e suksesshme. Duhet të ndihemi krenar. 

Bashkim Fino: Jam pro duke hequr pjesët që ne i vendosim detyra Kuvendit, ato nuk ka nevojë të vendosen në raport, unë nuk jam për të bërë relacione apo rezoluta që janë në funksion të punës sonë të përditshme. Ka dy qëndrime, nëse nuk ka shkelje të rënda, edhe pse keni thënë ka shkelje, dakord jam që të paraqitet ky raport që të mos shkarkohet, por sugjerimet e fundit janë ofenduese dhe fyese.

Votimi në Komisionin e Posaçëm hetimor
Ulsi Manja pro
Vasilika Hysi pro
Alket Hyseni pro
Klotilda Bushka pro
Bashkim Fino pro me rezerva
Krenar Ryci pro