Prej ditësh, rreth 28,000 familje në jugperëndim të Berlinit janë pa energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa vendi përballet me motin e keq dhe temperatura të ulëta. Mungesa e energjisë erdhi si pasojë e një zjarrvënie të qëllimshmë në infrastrukturën elektrike nga një grup aktivistësh të majtë. Për pasojë, autoritetet në kryeqytetin gjerman kanë vendosur tu ofrojnë banorëve të prekur akomodim falas në hotele. 

Masa emergjente u shpall të martën dhe u drejtohet personave, banesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme për shkak të temperaturave të ulëta, dhe që nuk mund ose nuk dëshirojnë të qëndrojnë në qendra emergjente apo tek të afërmit.

Në këtë skemë janë përfshirë mbi 150 hotele në qytet ndërsa kostot do të rimbursohen plotësisht nga bashkia, me kusht që qytetarët të paraqesin dokumente identifikimi, dëshmi regjistrimi dhe dokumentacion që vërteton situatën e tyre të vështirë.

Vendimi u konfirmua publikisht nga kryebashkiaku qeverisës i Berlinit, Kai Wegner, i cili deklaroi se shpenzimet për qëndrimin në hotel do të mbulohen tërësisht nga autoritetet lokale.

Sipas Senatit për Ekonominë, hotelet pjesëmarrëse janë partnere të VisitBerlin, agjencisë zyrtare të turizmit të qytetit. Një listë e publikuar u lejon banorëve të rezervojnë drejtpërdrejt dhomat, ndryshe nga ditët e para të krizës, kur akomodimi ofrohej vetëm me tarifa të reduktuara.

Shoqata e Hotelierisë dhe Restoranteve në Berlin-Brandenburg, përmes drejtorit të saj Gerrit Buchhorn, bëri të ditur se sektori hotelier ka kapacitet për të përballuar kërkesën, pasi janari konsiderohet një muaj i qetë për turizmin.

Sulmi në infrastrukturën kritike të energjisë në qytet ndodhi të shtunën në mëngjes, duke lënë pa drita dhe ngrohje mbi 45,000 banesa dhe 2,200 biznese.

Kabllo elektrike që furnizojnë centralin elektrik të Lichterfeldes u dëmtuan rëndë. Pavarësisht riparimeve që vijojnë, mijëra familje mbeten sërish pa energji.