Hoxhaj: Ja përse nuk e takoj
homologun tim serb Mrkiç

Hoxhaj: Ja përse nuk e takoj <br />homologun tim serb Mrkiç
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë ekskluzive për televizionin A1Report tregon se pas janarit Shqipëria dhe Kosova do të kenë një marrëveshje të re tregtare që parashikon heqjen e çdo takse për të gjitha produktet e import-eksportit.  Ndërsa duke folur për opsionin e shkëmbimit të territoreve, Hoxhaj nënvizon se nuk ka asnjë shans për kompromis për kufij të rinj. Në këtë intervistë Ministri kosovar tregon edhe arsye pse nuk e ka takuar kurrë homolgun e tij serb.

NDIQNI INTERVISTEN E  PLOTE


Do të flasim për Kosovën. Kosova është vazhdimisht në vëmendjen e Tiranës zyrtare. Rihapja e negociatave e bisedimeve me Serbinë sigurisht është shoqëruar me dy shtrëngime duarsh, vërtet interesante dhe që kanë pasur jehonë, por edhe protesta në Prishtinë nga Vetëvendosje. Dy takimet e zhvilluara mes Ivica Daçiç dhe kryeministrit Hashim Thaçi duket sikur po hapin një erë të re, ndoshta më të butë në bisedimet me Serbinë. Çfarë do të sjellin këto bisedime kur kemi një Serbi e cila vazhdimisht thotë përmes zërit të Presidentit, por edhe të aktorëve të tjerë politikë atje se nuk do ta njohin kurrë Kosovën. Shpeshherë Kosova duket sikur marrëdhëniet e saj diplomatike i ka në një fije peri, e cila bëhet e fortë falë një aleateje të madhe siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E duke kujtuar këtu vizitën e fundit të Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila i dha një mbështetje të hapur, të forte, gati agresive ndaj Serbisë, duke i thënë se nuk bëhet më fjalë për shkëmbim territoresh dhe se Kosova tashmë është një shtet i mirëfilltë. Ka shumë për të diskutuar për Kosovën, ndaj studio e A1Report është zhvendosur në ambasadën e Kosovës. Pasi ka kaluar një ditë të mbushur me takime, një axhendë të ngjeshur, jemi me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Zoti Hoxhaj, faleminderit që pranuar ftesën e A1Report. Është kënaqësi tju kemi sonte në Tiranë.
Ju faleminderit për ftesën.

Si ju duk Tirana, jeni duke jetuar ditët e muajit të Pavarësisë, si e gjetët atmosferën?
Për mua vizita në nëntorin e vitit 2012 është padyshim edhe një nder i madh si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Mirëpo si qytetar i Kosovës ky nëntor është një mundësi e mirë që ne realisht ta nxjerrim një bilanc se ku kemi qenë para 100 vitesh, sesa rrugë të gjatë kemi bërë në këto 100 vitet e fundit dhe se si Kosova dhe Shqipëria kanë bërë mjerisht rrugë të ndara. Shqipëria një shtet i pavaruar, por përderisa Kosova ka qenë nën robërinë, nën pushtimin e egër serb dhe si ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës ky nëntor dhe ky 100-vjetor me pavarësinë e Kosovës , me pavarësinë e Shqipërisë e bën kuptimplotë edhe festën të cilën e festojnë qytetarët në Tiranë. Padyshim ishte një atmosferë feste dhe unë pata nderin dhe kënaqësinë që iu bashkova kësaj feste së madhe të të gjithë shqiptarëve në rajon.

Zoti ministër, ku do të jetë kryeministri Thaçi më 28 nëntor, mos vallë do të zgjedhë Tiranën ose Vlorën, Shqipërinë?
Unë mendoj që në ditët e ardhshme të dy kryeministrat e të dy vendeve tona, edhe kryeministri Thaçi edhe Berisha do të kenë aktivitete të përbashkëta, qoftë në Shkup, qoftë në Kosovë, por qoftë edhe në Shqipëri. Padyshim që 28 nëntori do t’i gjej të gjithë liderët e Kosovës në Shqipëri. Unë personalisht mund të mos marr pjesë, meqë me datë 26-27 nëntor duhet të jem në Nju Jork dhe nuk besoj që do të mbërrij që ta festoj me gjithë shqiptarët këtë jubile të madh.

Për çfarë do të jeni në Nju Jork?
Do të mbahet seance e rregullt e Këshillit të Sigurimit dhe unë si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës duhet të jem patjetër atje.

Meqë mbërritëm tek Këshilli i Sigurimit, çfarë vlere ka përpjekja e madhe e diplomacisë së Kosovës, por edhe aktorëve të tjerë, në përpjekjet për të marrë sa më shumë njohje të reja, kur njohja nga Këshilli i Sigurimit varet nga vetoja e Rusisë?
Këto 5 vitet e fundit ne si shtet i pavarur dhe sovran kemi pasur një proces të pandalshëm të njohjeve. Kosova është njohur tani pothuajse nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe ka një gjeografi globale, ka shtete nga çdo kënd i botës, nga çdo pjesë e botës që e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ky proces ka qenë i pandalshëm. Çdo muaj ne kemi njohje të reja. Vetëm këto javët e fundit kishim njohjen nga Papa Guinea e Re, mandej nga Burundi, së fundi dhe nga Timori Lindor. Jam mëse i sigurt që gjatë ditëve në vijim do të ketë edhe dy shtete të cilat do ta bëjnë publik vendimin që kanë marrë formalisht dhe zyrtarisht të njohin Republikën e Kosovës. Njohjet janë të rëndëishme meqë e fuqizojnë, forcojnë pozitën tonë ndërkombëtare. Përderisa anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara padyshim që varet edhe nga qëndrimi që do të mbajnë shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe këtu është fjala për shtetet të cilët janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Gjatë kësaj kohe ne kemi punuar intensivisht me kundërshtuesit e pavarësisë së Kosovës që ta kenë një qëndrim më të zbutur karshi Kosovës sovrane. Një gjë qëndron, që do të thotë se Kosova është një realitet dhe një fakt gjeopolitik në Ballkan edhe në Evropë dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe procesi i njohjeve është i pandalshëm.

Megjithatë ka një perceptim në Tiranë që disi po humbet energji Kosova, Prishtina zyrtare në përpjekjen e saj për të pasur sa më shumë njohje të reja, kur disa probleme që vërtet janë të mëdha dhe kërkojnë shumë energji, duket sikur janë lënë pak në hije, pas dore…?
Mendoj që energjia që përdoret në fushën e njohjeve është kryesish energji dhe fokus i punës së ministrit të Punëve të Jashtme dhe ministri i Punëve të Jashmte nuk merret me sektorët brenda për brenda shtetit të tij. Përkundra asaj që politika e jashtme është një zgjatje e politikës së brendshme, që do të thotë se ne nuk bëjmë vetëm përfaqësimin politik, diplomatik të Kosovës, mirëpo bëjmë përpjekje maksimale që të ketë edhe më shumë investime të huaja në Republikën e Kosovës, që të kem shkëmbime të fuqishme tregtare, që të kem bashkëpunim të mirëfilltë kulturor, arsimor me shumë shtete që ta forcojmë axhendën e integrimeve evropiane. Do të thotë se politika e jashtme e Kosovës nuk është e reduktuar në njohjet, mirëpo njohjet janë një prioritet i joni, meqë njohjet e forcojnë pozitën tonë ndërkombëtare, tregojnë se sa shtete e pranojnë realitetin e këtij vendi (Kosovës) edhe në dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i cili ka për qëllim normalizimin e relacioneve. Çdo njohje që vjen e forcon pozitën.

Zoti Hoxhaj, do doja të ndaleshim tek rinisja e negociatave, e bisedimeve me Serbinë. Janë zhvilluar dy takime mes homologëve Thaçi dhe Daçiç. Çfarë do të sjellin këto shtrëngime duarsh kur ndoshta mund të jenë krejt për etikë dhe në vetvete kam gjithmonë parasysh atë qëndrimin e fortë, të ashpër të Serbisë se “nuk do ta njohim kurrë Kosovën”…? Çfarë mund të sjellin konkretisht bisedimet?
Është një fakt i pamohueshëm historik, që do të thotë se Kosova dhe Serbia ndajnë një të kaluar të rëndë dhe mendoj se kjo është e njohur jo vetëm për qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe të rajonit, por kudo që unë leviz, në çdo shtet të botës e dinë të kaluarën e rëndë të popullit të Kosovës, krimet dhe genocidin që ushtroi Serbia në Kosovë. Përkundër kësaj, është një gadishmëri dhe një vendosmëri e elitës politike në Prishtinë, e kryeministrit Thaçi, por edhe e të gjithëve ne, që me çdo kusht ta përmbyllim këtë kapitull të errët të relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova kufizohet gjeografikisht me Serbinë, prandaj meqë kemi një fqinj direkt është mëse e rëndësishme që njëherë e përgjithmonë realisht të ndërtojmë një relacion normal. Këtu nuk po bisedojmë për relacione fqinjësore të mira, sikurse ne i kemi me vende të tjera të rajonit apo për ndonjë bashkëpunim të mirëfilltë, të ngushtë mes Kosovës dhe Serbisë, këtu po flasim për një fazë të hershme se si të ndërtohet një relacion i funksionimit të dy shteteve tona të pavaruara. Përveç kësaj, normalizimi i relacioneve është edhe një kriter evropian. Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e pranuar fillimisht realitetin e Kosovës së pavarur, pa e njohur pavarësinë e Kosovës zyrtarisht. Mirëpo ky do të jetë një proces i cili do ndodhë pas një kohe të gjatë, nuk po flas për një njohje e cila mund të pritet gjatë këtyre muajve. Fillimi i normalizimit të relacioneve mes të Kosovës dhe Serbisë për ne është vital meqë përmes këtij procesi ne synojmë që t’i largojmë strukturat ilegale të policisë dhe të sigurisë, të cilat janë të pranishme në veri të Kosovës, synojmë të zgjidhim disa çështje të ndjeshme bilaterale mes dy vendeve dhe më tutje, ka rreth 1.800 njerëz të cilët mungojnë në Kosovë, janë të pagjetur, kemi çështje të tjera të hapura në mes dy shteteve tona si dhe një proces i tillë mendohet që do të avanconte fuqishëm pozitën edhe të Kosovës edhe të Serbisë në rrugën e axhendës evropiane. Asnjë vend nuk mund të ketë përparim në axhendën evropiane pa pasur fqinjësi të mirë me fqinjin e tij direkt.

Qeveria e Kosovës, ka një plan të qartë, një strategji se çfarë do të kërkojë në këto bisedime, pak a shumë përmendët disa çështje. Ju jeni të orientuar, e dini çfarë do të kërkoni në këto bisedime?
Padyshim, meqë temat të cilat janë pjesë përmbajtësore e këtyre takimeve janë tema të cilat janë pjesë e realitetit tonë politik. Unë e përmenda çështjen e largimit përfundimtar të strukturave ilegale të policisë dhe të sigurisë në tre komunat e veriut të Kosovës. Mandej për ne është shumë kyç që Kosova të mos bllokohet në procesin e anëtarësimit të saj në organizata dhe institucione ndërkombëtare, qoftë në Evropë, qoftë edhe jashtë Evropës. Ka edhe një mori temash bilaterale të cilat diskutohet. Ne kemi program shumë të qartë se cili është qëndrimi jonë për çdo çështje të ngritur në këtë takim dhe pikënisja jonë për një dialog të tillë është Kushtetuta e Kosovës dhe një rezolutë që miratoi Kuvendi i Kosovës para disa javësh, rezolutë e cila mandatoi qeverinë e Kosovës që të hyjë në një process të tillë.

Përmendët pak më parë që Serbia nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian nëse nuk do të njihte Kosovën. Nuk e kemi dëgjuar, të paktën publikisht dhe zyrtarisht që Brukseli t’i ketë vënë një kusht të tillë Serbisë. Madje kur Serbia fitoi statusin, në Tiranë u çuditën disi…
Nëse ju i keni parasysh qëndrimet që shumë shtete të rëndësishme anëtare të Bashkimit Evropian i kanë prezantuar vitin e kaluar dhe i kanë prezantuar edhe këtë vit në Serbi, dhe unë nuk dua të flas në emër të shteteve të tjera. Nëse ju e keni parasysh atë se çfarë thuhet në strategjinë për zgjerim të Komisionit Evropian për Serbinë, të cilën në mënyrë direkte kërkohet që Serbia të fillojë një dialog me republikën e Kosovës për normalizimin e relacioneve mes tyre duke respektuar integritetin territorial të republikës së Kosovës. Do të thotë që në gjithë këtë proces Serbia nuk mund të lëvizë përpara, nuk mund të marrë datën e saj që të hapë negociatat për anëtarësim dhe nuk mund të anëtarësohet përfundimisht pa e njohur direkt dhe zyrtarisht Kosovën e pavaruar dhe mendoj se deklarata të tilla janë bërë kohët e fundit në mënyrë sistematike nga politikanë të ndryshëm edhe në Bruksel, mirëpo edhe nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Protestat e Vetëvendosje të cilat kishin një kulminacion në pikat doganore të Bërnjakës, Jarinjës dhe në fakt do të doja të ndaleshim pak tek statusi, tek imazhi i
shteti që është në kufirin verior. E prekët disi më herët zoti ministër, megjithatë pavarësisht asaj që kërkon diplomacia, pavarësisht gjuhës së drunjtë shpeshherë me arra, a nuk mendoni se thellë-thellë Vetëvendosje ka të drejtë në disa çështje?
Cilat çështje?

Tek autonomia e Kosovës, tek protestat që ka zhvilluar në Bërnjakë për kontrabandën që zhvillohej atje, tek historia e Fusnotës, tek skenari që ata pretendojnë që kanë disa takime të kryeministrit Thaçi...?
Nuk ma merr mendja që është detyrë e çdokujt që është në politikë, i cili të prezantojë situata të cilat nuk ekzistojnë në jetën reale. Kosova në këto pesë vitet e fundit ka bërë një progres shumë të madh dhe ju e keni dëgjuar edhe fjalinë e parë të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton e cila tha që nuk mund ta paramendojë një vend tjetër i cili për 13 vite ka bërë një progres aq të madh sikurse ka bërë Kosova dhe një konstatim i tillë vjen nga një personalitet sikurse zonja Hillary Clinton. Do të thotë se progresi që ka arritur Republika e Kosovës është një progres i cili është i pamohueshëm. Mund të ketë prespektiva të ndryshme, mund të ketë opinione të ndryshme, mund të ketë edhe kritika nëse kemi pasur ngecje në atë apo këtë sektor të caktuar, por një gjë qëndron, që do të thotë përfundimisht Kosova është konsoliduar si shtet. Në të njëjtën kohë, dialogu teknik, i cili u zhvillua në mes të marsit të vitit 2011 deri në mars të vitit 2012 krijoi një mundësi që Kosova ta fillojë procesin e bërjes së studimit të fizibilitetit dhe kur në këtë tetor u prezantua studimi i fizibilitetit në mënyrë tekstuale, në mënyrë direkte u përmend e drejta e Kosovës që të nënshkruajë marrëveshje të stabilizim-asocimit. Më lejoni tju them që kur unë vitin e kaluar në 34 vizita bilaterale që kam pas në shtetet evropiane që e kanë njohur Republikën e Kosovës, kam kërkuar nga ministrat e Punëve të Jashtme ta mbështesin bërjen e studimit të fizibilitetit për Kosovën, që të fillojë procesi i negocimit për nënshkrimin e marrëveshjes së stabizilim-asociimit. Gjëra të tilla kanë qenë pothuajse jashtë çdo imagjinate të çdo ministri të Punëve të Jashtme evropiane, dhe shpeshherë përgjigjet e tyre kanë qenë direkte “është e pamundur”. Sot në këtë nëntor ne kemi studimin e përfunduar dhe kemi të drejtën që të aplikojmë çdo kriter dhe unë jam shumë i sigurtë që në pranverën e vitit 2013 Kosova do të mund të nënshkruajë marrëveshjen e stabizilim-asocimit. Ky ka qenë dhe rezultati i marrëveshjeve të një dialogu teknik që kemi arritur, prandaj unë me dëshirë jap përgjigje në çështje konkrete, por nuk ma merr mendja që është detyrë e ministrit të Punëve të Jashme që të japë vlerësime moralizuaese për atë se kush ka të drejtë apo kush nuk ka të drejtë.

Në fund të fundit opozita është e lirë në çdo vend edhe gabimet janë të justifikueshme. Në Tiranë kemi 100 vite shtet edhe kemi shumë gabime edhe në pluralizëm
Padyshim.

Do doja të flisnim pak edhe për një deklaratë të bërë nga akadamiku Rexhep Qosja që pati shumë jehonë në Tiranë, nuk e di nëse jeni në dijeni për jehonën që pati tek ne. Ndër rreshta shprehej se Kosova mund të ishte gati edhe për një kompromis për një shkembim territoresh ndoshta për të lënë Mitrovicën e veriut dhe për të marrë Luginën e Preshevës. Idea e shkëmbimit të territoreve u refuzua në mënyrë kategorike edhe nga zonja Clinton, por kam parasysh kryeministrin Thaçi i cili vazhdimisht ka thënë që territoret e Kosovës, kufijtë janë të palëvizshëm. Në fakt mund të detyrojë e ardhmja, e largët apo e afërt, shkëmbime territoresh dhe çfarë mund të sjellin ato?
Absolut jo. Do të thotë se akademik Qosja në pozitat e tij akademike mund të japë reflektime të cilat janë të natyrës profesionale të tij, por Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Kosova është njohur në këta kufi ndërkombëtarisht pothuajse nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe ky konsolidim i shtetësisë së brendshme, forcimi i pozitës sonë së jashtme ndërkombëtare është argumenti më i mirë që do të thotë se nuk ka nevojë të operohet apo të mendohet me opsione të tilla të shkëmbimit të territoreve. Prandaj propozime të tilla për ne janë të papranueshme. Ajo që ne synojmë dhe dëshirojmë të ndodh me çdo kusht në veri të Kosovës, është integrimi i tre komunave në veriun e Kosovës me Kosovën e tërë, integrimi i tyre duhtet të ndodhë edhe në rrafshin politik, edhe në rrafshin institucionale, por mbi të gjitha edhe në rrafshin ekonomik dhe social dhe shpeshherë kjo pjesa e integrimit ekonomik dhe social është larg debateve tona ditore, mirëpo në asnjë formë nuk duhet të ketë ndonjë mundësi e cila do të krijonte më shumë precedent për dhunë, do të krijonte jo stabilitet, pasiguri në tërë rajonin dhe padyshim që do të krijonte edhe jostabilitet edhe në vetë territorin e Kosovës. Qëllimi jonë dhe misioni jonë si shtet i ri është që të mbështesim integrimin e të gjithë shqiptarëve në të gjitha vendet përreth Republikës së Kosovës dhe ta forcojmë pozitën e tyre në institucionin në shtetet në të cilat jetojnë, edhe në Maqedoni edhe në luginënë e Preshevës edhe në Mal të Zi, mirëpo lëvizja e territoreve janë ide të cilat i takojnë të kaluarës.

A mendoni që do të jetë e afërt e ardhmja kur Serbia, edhe pse thotë që s’do ta njohë Kosovën, do të mund ta respektojë siç kërkoi edhe zonja Clinton?
Serbia në të kaluarën gjithmonë ka thënë që kurrë nuk do ta njohë Kosovën, që pavarësia e Kosovës është vetëm një ide e trilluar, ndërsa sot në vitin 2012 Kosova është në 5-vjetorin e Pavarësisë së saj dhe paraqet një shtet jashtëzakonisht të konsoliduar mirë dhe një shtet i cili merret në arenën ndërkombëtare, Në të njëtjën kohë ky shtet i pavarur sot kontribuon fuqishëm edhe për paqen edhe për sigurinë rajonale. Sikurse nuk ka qenë në gjendje që ta ndalojë pavarësinë e Kosovës, Serbia në një të ardhme do ta njohë edhe Kosovën e pavarur. Ne kemi plot shembuj të historisë në Evropë dhe jashtë saj, që armiq të dikurshëm, shtete të cilat kanë pasur qëndrime armiqësore ndaj ndonjë kombi apo ndonjë populli të caktuar kanë mundur që realisht t’i tejkalojnë problem të cilat i kanë mbartur nga e kaluara dhe realisht të vendosin edhe marrëdhënie dipklomatike po të kenë edhe bashkëpunim të mirëfilltë politik. Unë kam qenë para disa muajsh në vizitë në Timorin Lindor dhe nëse kam parasysh që Timori Lindor dhe Indonezia për 24 vite kanë qenë në luftë, jo në konflikt por në luftë direkte me njëra-tjetrën, sot Indonezia e njeh Timorin Lindor, Dhe jo vetëm kaq. Timori Lindor dhe Indonezia kanë nje pajtim bilateral si shtete dhe si kombe të cilat kanë qenë në luftë. Unë besoj që një gjë e tillë është e mundur edhe midis Kosovës edhe Serbisë.

Së fundmi, e zhvendosim bisedën në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, e Prishtinës me Tiranën sepse e dimë që bisedimet janë të përqëndruara në një normalitet me Serbinë, megjithatë si po shkon bashkëpunimi me Shqipërinë jo vetëm në aspektin politik dhe atë teorik, duhemi shumë në teori, me siguri dhe në praktik, por në aspektin ekonomik kemi pasur, “disa incidente të vogla”. Historia e çimentos e cila u zgjidh, apo për eksportin dhe importin e patates. Di që nga stafi i ministrit Panaritit ka një përpjekje për të hequr të gjitha çmimet e referencës. Çfarë po ndodh në planin ekonomik?
Përderisa qytetarët në të dy vendet tona mund t’i ndajnë emocionet dhe mund ta kenë përshtypjen, që do të thotë ne kemi vetëm një të përbashkët në kuptimin e historisë të kulturës edhe të kombit, unë dua të them që qeveritë të dy vendeve tona kanë një bashkëpunim të shkëlqyer. Marrëdhëniet tona janë shembull jo vetëm në relacionet Kosovë-Shqipëri, por janë marrëdhënie shembull edhe për vende të tjera të rajonit. Unë e kam filluar këtë vit me vizitën time të parë në Tiranë, dhe tani jam përsëri në nëntor në një muaj historik për Tiranën. Përderisa gjatë këtij viti kam mundur të kem vizita bilaterale në çdo pjesë tjetër të globit, nga Amerika Latine dhe Qendrorte deri tek Australia, Japonia apo edhe vendet e Oqeanisë dhe Lindja e Mesme, Afrika. Mirëpo ne kemi një përkushtim të madh që të ketë një bashkëpunim sa më të ngushtë. Edhe me ministrin Panariti kemi biseduar për të nënshkruar nga janari i vitit të ardhshëm një protokoll të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, i cili do të jetë një kornizë e fuqishme për bashkëpunim ekonomik, tregtar, arsimor, shkencor dhe kulturor dri tek turizmi. Kështu që këto marrëdhënie nuk janë emocionale, virtuale, nostalgjike, janë marrëdhënie të bashkëpunimit konkret në mes të dy shteteve, mes sektorëve dhe ministrive të ndryshme, në mes të pushteteve vendore dhe në mes të dy shoqërive tona.

Do ta mbyll me një pyetje ndoshta pak personale. Një perceptim tuajin personal. Çfarë ndjesie keni kur në Nju Jork, Bruksel, takoni me politikanë serbë, jo si ministër por edhe si një qytetar Kosovar.
Unë nuk e kam pasur mundësinë, që do të thotë që pas negociatave në Vjenë nga viti 2007 që vërtet të takohem me politikanë serbë, përderisa mes të vitit 2005-2007 kam qenë anëtar i delegacionit për përcaktimin e statusit final të kosovës, i cili rezultoi me shpalljen e pavarësisë në Vjenë dhe në atë kohë kemi pasur takim edhe me delegacionin serb. Gjatë kohës si ministër i Punëve të Jashtme nuk e kam pasur asnjë takim të vetëm me homologun tim serb, mirëpo edhe nëse ndodh do të ishte një takim i zakonshëm në mes të dy ministrave të dy shteteve të pavarura dhe sovrane dhe pa ndonjë ndjenë të veçantë.

E keni kurajon që ta ftoni dhe të bëni një takim? Në fund të fundit ta shihni në sy homologun tuaj serb dhe t’i thoni ato gjëra që do donte populli juaj…?


Gjërat në politikën e jashtme nuk ndodhin aty për aty.

Diplomacia me ftesa funskionon.
Padyshim, por diplomacia nuk funskionon pa axhendë. Diplomacia nuk është gjë tjetër veçse një instrument i zgjatur i interesit të shtetit dhe unë si ministër i Punëve të Jashme i përfaqësoj interesat e asaj se çfarë ndodh në politikën e brendshme. Kështu që meqenëse nuk ka ndodnjë domosdoshmëri të brendshme që patjetër të takohem me homologun tim në Beograd, padyshim që nuk kam marrë ndonjë inciativë. Mirëpo një gjë qëndron për ne si Republikë e Kosovës, që ne nuk i ikim takimeve, nuk i kemi frikë dialogut. Sot jemi një shtet i pavarur dhe si përfaqësues i një shteti të tillë nuk kemi frikë. Por takimet pa ndonjë motiv, dhe ndonjë qartësi se çfarë presim nga një takim i tillë nuk mund të ndodhin.

Faleminderit!

Faleminderit Ju!

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament