Hoxhaj: Kosova do ta shtrijë
autoritetin e saj ligjor në veri

Hoxhaj: Kosova do ta shtrijë<br />autoritetin e saj ligjor në veri
PRISHTINE- Në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Ivica Daçiç, të arrihet pajtimi për planin zbatues sa i përket marrëveshjen së arritur më 19 prill në Bruksel. Nëse kjo nuk ndodh, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, paralajmëron se Kosova do të shtrijë autoritetin ligjor dhe kushtetues në veri të vendit.

“Nëse Serbia e bllokon hartimin dhe zbatimin e një plani të tillë, ne në çdo formë, në çdo mënyrë do ta shtrijmë sovranitetin tonë në veri. Prandaj, është më se e rëndësishme që Serbia të kuptojë që pajtimi rreth planit zbatues dhe mbi të gjitha zbatimi i tij është në interes të saj dhe të rajonit”, ka thënë kryediplomati Hoxhaj.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje para tri javësh për të ndryshuar gjendjen në veri, por deri më tani nuk ka pasur asnjë hap drejt zbatimit të saj. Qytetarët në Veri të Kosovës nuk kanë rënë dakord për zbatimin e marrëveshjes, ndërkohë liderët në Beograd kanë dhënë vetëm deklarata se pajtimi i arritur në Bruksel do të shkojë deri në fund.

Sidoqoftë, Ministri i Jashtëm i Kosovës thotë se “pa zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë, rruga e Beogradit drejt BE-së do të mbetet e bllokuar”.

Sipas kryediplomatit të Kosovës “Serbia nuk ka alternativë tjetër përveçse ta pranojë planin e implementimit në takimin e radhës, që do të zhvillohet mes dy Kryeministrave. Mbi të gjitha duhet të lëvizë në implementim të këtij plani, përndryshe do ta humbë njëherë e përgjithmonë shansin që ta marrë datën për anëtarësim në BE. Është mëse vendimtare, jo vetëm pajtimi i planit për implementim, por edhe zbatimi i tij në terren në një gjendje të matshme, para se në fund të qershorit vendet anëtare të BE-së të vendosin pro datës të Serbisë”.

Sipas tij, vendimtare në hartimin, dhe më pas zbatimin e marrëveshjes do të jetë presioni i BE-së dhe SHBA-së.

“Koha po kalon dhe ka shumë pak kohë. Jam shumë i sigurt se në ditët e ardhshme do të ketë hapa konkretë në takimet e radhës, dhe Serbia do të detyrohet ta pranojë një plan implementues për marrëveshjen. Mendoj se Brukseli dhe Ëashingtoni, si garantues të marrëveshjes, do të përdorin të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion, në mënyrë që sa më parë të kemi një plan implementues dhe kushte për zbatimin e marrëveshjes”, ka shtuar ai.

Gjatë këtij muaji pritet të takohen përsëri Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç për të folur për planin për zbatimin e marrëveshjes. Para disa ditësh dështuan bisedimet e delegacionit të Prishtinës dhe Beogradit, për dakordimin mbi planin implementues të marrëveshjes.

Ministri Hoxhaj pret që takimi i radhës të jetë vendimtar për sa i përket zbatimit të planit, të propozuar nga BE-ja për jetësimin e marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.

“Besoj se gjatë takimit që do të ndodhë në nivel të Kryeministrave Thaçi dhe Daçiç të pajtohen për një plan implementues dhe pastaj u mbetet institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare siç është KFOR-i që ta zbatojnë një plan të tillë”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka treguar edhe për vizitën e delegacionit të Kosovës në Beograd në përpjekje për t’i qartësuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me hapjen e Zyrave Ndërlidhëse.

Ai ka thënë se shumica e problemeve mes dy vendeve janë sqaruar sa i përket hapjes së këtyre zyrave, derisa pret që në raundin e njëmbëdhjetë të dialogut mes dy Kryeministrave të sqarohet gjithçka.

“Deri më tani, një delegacion i MPJ-së ka qenë disa herë në disa takime në Bruksel. Sot ka qenë për herë të parë në një vizitë të parë zyrtare në Beograd. Shumë çështje që kanë të bëjnë me atë se si duhet të themelohet Zyra jonë Ndërlidhëse në Beograd, çështjet që kanë të bëjnë me imunitetin, me lirinë e lëvizjes, me sigurinë, me tabelat dhe një mori e çështjeve, pothuajse janë zgjidhur. Kanë mbetur edhe disa detaje dhe unë besoj se kjo temë mund të diskutohet, po ashtu, në takimin e radhës mes dy Kryeministrave”, ka thënë Hoxhaj.

Marrë nga "Express"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te \Çadra e Kujdesit’ për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te \Çadra e Kujdesit’ për ujë dhe për të matur tensionin