Hoxhaj: Ndërhyni në Siri, si NATO
në Kosovën e vitit 1999

Hoxhaj: Ndërhyni në Siri, si NATO<br />në Kosovën e vitit 1999
PRISHTINË -  Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një artikull të botuar në revistën prestigjioze amerikane për politikë ndërkombëtare “Foreign Policy”, i ka bërë thirrje vendeve perëndimore dhe atyre arabe që të ndërhyjnë në Siri, ashtu siç bëri NATO në Kosovë në vitin 1999, për të ndalur vrasjen dhe dëbimin kolektiv të shqiptarëve të Kosovës.

“Lajmet dhe imazhet e dhimbshme që vijnë nga Siria, me civilë të vrarë, duke ikur nga shtëpitë e tyre dhe të cilët e shohin jetën e tyre të shkatërruar në duart e regjimit të Bashar al-Asad, kanë ringjallur kujtime pikëllues për ne që kemi përjetuar fushatën e spastrimit etnik në Kosovë në vitet 1990 nga Sllobodan Milosheviçi”, shkruan Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të përmbushë mandatin e vet për të mbrojtur civilët e pafajshëm, ndërsa drejtësia ndërkombëtare të angazhohet për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij krimi të tmerrshëm.

Sipas Hoxhajt, ndërhyrja në Kosovë afirmoi se edhe pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendet duhet të veprojnë për të parandaluar abuzimin me të drejtat e njeriut nga regjimet.

“Atëherë, ndërhyrja humanitare nga bashkësia ndërkombëtare jo vetëm që i dha fund pastrimit etnik, por gjithashtu tregoi se ideja klasike e sovranitetit shtetëror nuk mund të përdoret si një mburojë për të justifikuar politikat shtypëse dhe krimet kundër njerëzimit”.

Qeveria e Kosovës, siç shprehet ai, që nga fillimi ka përkrahur vullnetin e popullit sirian për liri e demokraci, si dhe ka mbështetur përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t'i dhënë fund vuajtjeve të popullit të Sirisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024