Presidenti Bujar Nishani zhvilloi sot një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ku vlerësoi hapat e shtetit të ri në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës.
Më tej, Nishani rikonfirmoi angazhimin e tij institucional dhe personal në mbështetje të procesit të njohjes, të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë, si dhe të integrimit të saj euroatlantik.
Në planin e bashkëpunimit dypalësh, Kreu i Shtetit u shpreh se institucionet e të dyja vendeve duhet të shohin mundësitë e zgjerimit të bazës ligjore, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe të koordinimit të nismave me karakter rajonal e më gjerë.
Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj pasi e falenderoi Presidentin Nishani për angazhimin e tij në mbështetje të shtetit të Kosovës vuri në dukje se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka zgjeruar pavarësinë dhe sovranitetin mbi vendin dhe ka rritur përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.
Bashkëbiseduesit gjithashtu rikonfirmuan domosdoshmërinë e dialogut Prishtinë-Beograd, zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme dhe vendosmërinë e shteteve të tyre kundër ndryshimit të kufijve aktualë në rajon.
KRYEMINISTRI TAKON MINISTRIN HOXHA
Në takimin e zhvilluar sot me ministrin Enver Hoxhaj, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin e tij për zhvillimet pozitive në konsolidimin e pozicionit të shtetit të Kosovës në rajon dhe në botë, si rezultat i politikave dhe reformave që po ndërmerren në të gjitha fushat.
“Populli i Kosovës dhe lidershipi i saj po dëshmojnë para botës shembullin më të mirë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të lirë, shembull paqeje dhe stabiliteti në rajon” u shpreh, në Berisha.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Hoxhaj falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe i shprehu atij mirënjohjen e qeverisë së Kosovës dhe të gjithë popullit të saj për rolin dhe kontributin e madh që qeveria shqiptare ka luajtur në procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, si dhe për ndihmesën dhe mbështetjen e rëndësishme në konsolidimin e institucioneve të këtij shteti dhe integrimit të tij rajonal e më gjerë.
RAMA NE TAKIM ME HOXHAJN
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në takimin e zhvilluar sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka përshëndetur progresin e arritur nga shteti i Kosovës në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike, shtetit ligjor, si dhe avancimin lidhur me njohjet e reja ndërkombëtare.
Rama shprehu vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të intensifikuar marrëdhëniet midis të dy vendeve në të gjitha fushat. Kreu i PS-së e siguroi ministrin Hoxhaj që PS-ja do të vazhdojë përpjekjet intensive në kanalet e saj diplomatike për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Gjithashtu Rama garantoi se Partia Socialiste mbështet progresin e arritur nga populli dhe qeveria e Kosovës në drejtim të përmbushjes së standardeve për avancimin e axhendës së saj euro-atlantike.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj përcolli përshëndetjet e Kryeministrit të Kosovës dhe falenderoi Partinë Socialiste për angazhimin e saj në drejtim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.
BASHA: KOSOVA, ÇELSI I EUROPIANIZMIT TE BALLKANIT
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka pritur në një takim të veçantë, Ministrin e Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj. Në këtë takim, Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e tij personale, të qeverisë dhe popullit të Kosovës, për kontributin që Basha ka dhënë për Kosovën. Ministri Hoxhaj nënvizoi faktin që numri më i madh i shteteve që kanë njohur Kosoven, ka qenë në kohën kur Ministria e Jashtme drejtohej nga z. Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vlerësuar punën e madhe që po bën Ministria e Jashtme dhe qeveria e Kosovës, për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe vijimin e njohjes ndërkombëtare të tij.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e njohu z. Hoxhaj me bashkëpunimin e vendosur me një sërë komunash nga Kosova dhe iniciativën e Bashkisë së Tiranës, për t’iu bashkuar nismës së komunës së Mitrovicës, “Ndihmo dhe ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.
(eç/shqiptarja.com)