PRISHTINE- Pas arritjes së pajtueshmërisë parimore për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, në ditët në vijim priten lëvizjet konkrete drejt hapave për zbatim të marrëveshjes. Shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj, thotë se “plani i propozuar për zbatim është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, që do të thotë është një fitore për Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiç pritet që nesër të dorëzojnë në Bruksel, propozimet konkrete mbi planin e zbatimit të marrëveshjes. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, duke folur për hapat e mëtejshme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministri Hoxhaj tha se “plani që është ofruar në Bruksel është në përputhje me marrëveshjen e 19 prillit dhe nuk ka devijim të marrëveshjes”.

”Në interpretimin tim, marrëveshja dhe plani, pa domosdoshmëri dhe nevojë konkrete që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës është një fitore e Kosovës, të them të drejtën unë kam pas më shumë shqetësime”, tha Hoxhaj.

Arrija e një marrëveshje në parim nga njohësit e së drejtës ndërkombëtare do të thotë shprehje e vullnetit të dyanshëm për çështje te përgjithshme.

Marrë nga "RTK"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)