Humbi kontaktet 5 vite më parë duke lënë vajzën e mitur, motra në 'Pa Gjurmë': Presim kthimin me zemër të ngrirë

Anita Tafani që nga prilli i vitit 2015 ka humbur çdo kontakt me familjarët, duke lënë edhe vajzën që asokohe ishte vetëm 5 vjeç, të rritet pa nënën. Në vitin 2012 bashkë me bashkëshortin e saj dhe me vajzën emigruan drejt shtetit gjerman për një jetë më të mirë. Në fillim të dhjetorit të vitit 2013 Anita kthehet në Shqipëri dhe shkon tek motra e saj, Anila pasi vëllai dhe nëna ishin në Francë.

Kur u kthye Anita që sot është 32 vjeç, i dha lajmin motrës së saj se ishte ndarë nga bashkëshorti me mirëkuptim, por arsyen e kësaj ndarje familjarët asnjëherë nuk e morën vesh. Familja u mundua që ta mbante afër dhe ta mbështesnin pas këtij vendimi. Anila, motra e saj u mundua edhe që t’i fliste për vajzën e vogël që mos ta braktiste, por Anita nuk e dëgjonte. Dëshira më e madhe që kjo 32-vjeçare kishte, ishte që të ishte e pavarur dhe gjithmonë familjarëve u thoshte se kishte jetën e saj dhe se do të ecte vetë para në jetë. Më 21 dhjetor të po këtij viti, ajo largohet drejt shtetit grek, konkretisht në qytetin e Athinës.

Kontaktet i kishte të rregullta gjithmonë i telefononte familjarët dhe fliste rregullisht me to. Ajo i tha atyre se jetonte me një shoqe emrin e së cilës nuk e tregonte dhe se e ndanin bashkë qiranë. Sipas Anitës, ajo punonte duke pastruar nëpër shtëpi dhe kursimet e mbledhura do t'i shpenzonte për të gjetur një avokat që të bënte divorcin dhe të merrte vajzën. Në muajin prill të vitit 2015 Anilës i vjen një telefonatë nga motra e saj e vogël Anita. Ajo i tha se i kishte humbur numri i telefonit të së motrës por fatmirësisht e kishte shenuar tek rripi i pantallonave. Pas kësaj telefonate Anita nuk u bë më e gjallë dhe për të kjo ishte hera e parë që largohej pa lënë asnjë gjurmë.

Familjarët e saj kanë pritur me shpresë se mos një ditë një telefonatë do të vinte dhe do të dëgjonin zërin e saj por jo, vitet kaluan dhe kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Në maj të vitit 2018 familjarët vendosën që të bënin një denoncim në policinë e Tiranës. I vetmi informacion që arritën të merrnin ishte data kur Anita kishte kaluar kufirin dhe kishte hyrë në shtetin grek, një informacion që dihej nga ana e tyre. Sipas uniformave blu vajza është në moshë madhore dhe është larguar me dëshirën e saj.

Vajza e Anitës sot është 9 vjeç dhe nuk i kujtohet nëna e saj pasi ajo ishte vetëm 3 vjeç kur e ka parë për herë të fundit atë. Sot jeton në Tiranë me babanë e saj me të cilin Anita ende nuk është divorcuar me dokumente. Anita është rreth 1.55 metra e gjatë dhe si shenjë dalluese ka një të djegur mjaft të dallueshme në dorën e majtë. Një vajzë impulsive, dëshira e së cilës ishte liria, të ishte e pavarur,  ka sjellë familjarët në studion e emisionit "Pa Gjurmë" për të mësuar diçka rreth fatit të saj, pasi kanë plot 5 vite që presin kthimin me zemër të ngrirë.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin