Enea Mekolli, efektivi 34-vjeçar i Policisë së Shtetit, rënë në krye të detyrës, u përcoll për në banesën e fundit mes lotëve, dhimbjes dhe revoltës së familjarëve...
Homazhet u zhvilluan pranë Qendrës Kulturore "Lasgush Poradeci", ku morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, drejtues të lartë të policisë, autoritete vendore, kolegë dhe qindra qytetarë.
Ceremonia mortore u shoqërua me akuza të forta ndaj institucioneve. Në prani të Presidentit Bajram Begaj, xhaxhai i efektivit të vrarë shpërtheu në lot dhe kërkoi përgjegjësi për mënyrën si ishte organizuar operacioni.
“Po na vriten djemtë. Na mbyllën derën. Mos i lini kriminelët. Merrni masa se po na vrisni rininë. Bëjuni të zot të vendit se e latë këtë vend në duar të kriminelëve. Po sundojnë kriminelët në çdo cep. Nuk po sundon policia, por po sundon krimi”, shprehet Hazbi Mekolli.
Duke kundërshtuar Kreun e Policisë së Shtetit, xhaxhai theksoi se ne operacion ishin vetëm 6 efektive të pambrojtur, jo 40-të.
“Pa asnjë lloj mbrojtjeje. Personi që e ka urdhëruar duhet të përgjigjet para ligjit. Në operacion kanë qenë gjashtë veta. Më vonë kanë vajtur forca të tjera nga policia”, tha xhaxhai.
Në homazhe ranë në sy dhjetëra efektivë të cilët qëndronin të rreshtuar në heshtje... shumë prej tyre nuk i mbanin lotët për kolegun e vrarë në detyrë.
Të afërmit e përshkruajnë Enea Mekollin si djalë të përkushtuar ndaj familjes, besimtar, korrekt në detyrë. Fillimisht kishte shërbyer në Policinë Rrugore, ndërsa prej rreth dy vitesh ishte pjesë e forcës së posaçme "Shqiponja".
Enea Mekolli la pas prindërit, motrën, gruan dhe një foshnjë vetëm 9 muajshe. Tragjedia për familjen rëndohet nga fakti se pak kohë më parë ka ndërruar jetë nga luecemia dhe vëllai i tij. Për këtë arsye, familjarët kërkuan që efektivi të prehet në vendlindjen e tij, në Blacë të Pogradecit.
Megjithëse protokolli parashikonte të prehej në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, dëshira e familjes ishte që dy vëllezërit të qëndronin pranë njëri-tjetrit edhe pas vdekjes....



Foto: Skënder Hita
Drejtues Madhor Skënder Hita gjatë fjalës së tij në ceremoninë mortore për Enea Mekolli, tha se efektivi që u vra në krye të detyrës nuk ishte thjesht një efektiv policie, ai ishte një punonjës shembullor në çdo strukturë ku shërbeu, duke lënë pas gjurmët e një profesionisti të palodhur dhe të një njeriu me integritet të lartë.
"Sot, Policia e Shtetit, Korça, Maliqi dhe mbarë Shqipëria përulen me respektin më të thellë përpara Dëshmorit të Policisë, Inspektor Enea Mekollit. Një djalë i ri, vetëm 34 vjeç, babai i një fëmije të shtrenjtë që sot mbeti pa krahun e tij më të fortë, një bashkëshort, një bir dhe një koleg i jashtëzakonshëm. Enea nuk ishte thjesht një efektiv policie, ai ishte një punonjës shembullor në çdo strukturë ku shërbeu, duke lënë pas gjurmët e një profesionisti të palodhur dhe të një njeriu me integritet të lartë. Dje, ai ra heroikisht në krye të detyrës, gjatë një operacioni për kapjen e një personi të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai u flijua në përmbushje të misionit tonë të shenjtë, mbrojtjen e ligjit, të jetës së qytetarëve, të rendit dhe sigurisë publike.
Çdo punonjës policie, në çdo cep të vendit, e ka ndjerë këtë humbje si një plagë të vetën", tha Hita, teksa theksoi se kjo valë solidariteti tregoi se ne nuk jemi thjesht një institucion shtetëror, ne jemi një familje e madhe, e lidhur nga misioni, sakrifica dhe ideali i përbashkët, ti shërbejmë Shqipërisë. Në Malin Bode, aty ku ligji dhe krimi u përballën egërsisht, Enea nuk bëri asnjë hap pas.
Teksa shprehu ngushëllimet familjarëve Hita tha se kjo ngjarje është edhe një thirrje për qytetarët në mbarë vendin që duan ligjin, rendin dhe sigurinë, dhe që çmojnë vlerën e uniformës e të detyrës që kryejnë punonjësit e Policisë.
"Jam i tronditur nga kjo që ndodhi dhe e di mirë se nuk ka fjalë që mund t’jua lehtësojnë dhimbjen apo t’ju ndalin lotët sot. Kurajo, forcë dhe krenari për humbjen e Eneas, sepse ju nuk jeni vetëm. Siç e dëshmoi reagimi i sinqertë i mijëra kolegëve në mbarë Shqipërinë, Policia e Shtetit do të jetë pranë jush në çdo kohë. Fëmija i Eneas dhe e gjithë familja e tij do të kenë përherë mbështetjen tonë të pakursyer. Ju rritët një bir të denjë të këtij vendi, një njeri që e deshi uniformën dhe detyrën deri në sakrificën më të madhe. Për këtë, ne do t’ju jemi mirënjohës përjetë.
Nga ana tjetër kjo ngjarje është edhe një thirrje për qytetarët në mbarë vendin që duan ligjin, rendin dhe sigurinë, dhe që çmojnë vlerën e uniformës e të detyrës që kryejnë punonjësit e Policisë. Ata burra dhe gra, djem dhe vajza që shihni çdo ditë në rrugë, janë ata që në momentet e rrezikut nuk largohen, por ecin drejt tij për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.
Enea tashmë radhitet mes më të mirëve të këtij kombi, mes atyre që flijuan jetën për të mirën e vendit dhe zbatimin e ligjit. I dashur Enea, koleg, vëlla dhe nga sot, Dëshmor i Atdheut!
Ti e përfundove misionin tënd tokësor në mënyrën më heroike, por misioni ynë vazhdon. Modeli yt si një punonjës i shkëlqyer në çdo detyrë që mbajte, dhe uniteti që dëshmuan sot kolegët e tu, do të mbeten frymëzim për ne që të mos ndalemi kurrë në luftën kundër krimit dhe në shërbim të qytetarëve, sepse uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përkulet kurrë para krimit.
Sakrifica jote nuk do të harrohet kurrë. Kujtimi yt do të jetojë në zemrat tona dhe do të shërbejë si dritë udhëheqëse për çdo efektiv që vesh uniformën e Policisë së Shtetit.
Lamtumirë, Heroi ynë!", tha Hita.

Me nderime, është përcjellë drejt banesës së fundit efektivi Enea Mekolli, i vrarë në detyrë.
Në shenjë nderimi, Policia e Shtetit ka shtënë me armë në ajër. Gjithashtu familjarëve u është dorëzuar flamuri kombëtar, kapela e efektivit dhe certifikata e nderimit.

Një numër i madh njerëzish po merr pjesë në përcjelljen e efektivit Enea Mekolli për në banesën e fundit.
Të pranishëm janë edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe kryepolici Hita.

Xhaxhai i efektivit të vrarë, Enea Mekollit, i kërkoi presidentit Bajram Begaj që shteti të merrte masa për ngjarjen e rëndë. Me lot në sy, ai i tha Begajt se u është mbyllur dera e shtëpisë dhe se krimi po sundon vendin. Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë mortore për Enea Mekollin, homazhe që po mbahen në Pogradec.
“Po na vriten djemtë. Na mbyllën derën. Mos i lini kriminelët. Merrni masa se po na vrisni rininë. Bëjuni të zot të vendit se e latë këtë vend në duar të kriminelëve. Po sundojnë kriminelët në çdo cep. Po sundon dot policia, por po sundon krimi. Bëni detyrën se na fundosët. Jetojmë kot, na mbytët. Si e dërgoni pa masa mbrojtëse, po vriten me mijëra në krye të detyrës e s’po bëni gjë”, tha xhaxhai i Enea Mekollit.

Presidenti Bajram Begaj ka mbërritur në homazhet që po mbahen për Enea Mekollin, policin që humbi jetën në krye të detyrës në operacionin e së enjtes në Maliq.
Ai iu drejtua familjarëve për t’iu shprehur ngushëllimet.
Komente












Po pisi Rama???! Ika me vrap nga samiti zvicres, tha, se me priste Ivanka ne Vlore. Dhe djali yne ne lule te moshes vritet per faj te degjenerimit profesional policor, Rama zagaris nga Mali Zi e gjetke por jo te ngushelloje! Pis I lig por fare
PërgjigjuShum keq qe cdo komisariat nuk ka paisje per tu dhen policve kur shkojn per operacione…nje helmet dhe nje antiplumb. Ca kushton te ket 20 pal pajime te tilla ne cdo komisariat.
PërgjigjuNgushëllime famijes. Një akt i rëndë. Nji shtet inekzistent.
Përgjigju