Report Tv zbardh detaje të reja nga aksidenti që ndodhi mbrëmë në tunelin e Elbasanit, që i mori jetën Elton Macollit, vëllait të deputetes socialiste Blerina Gjylameti.

Gazetari i Report Tv në Elbasan, Aldo Kozarja mëson se Elton Macolli ishte duke lëvizur me shpejtësi 145 km/ h. Në tunel në drejtimin nga Tirana në Elbasan shpejtësia e lejuar është 80 km/h, pra 37-vjeçari po lëvizte me 65 km/ h mbi shpejtësinë e lejuar.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën po lëvizte, makina e modifikuar nga benzinë në impiant gazi që po drejtonte Macolli humbi kontrollin dhe më pas goditi maunen e cila po ecte në korsinë e saj.

Pas goditjes mjeti tip 'Seat' është përfshirë nga flakët, ndërsa të parët që kanë ndërhyrë kanë qenë zjarrfikësit e tunelit. Ditën e sotme, 37-vjeçari u përcoll për në banesën e fundit.