Falë mjaft informacioneve, që mbërritën në studion e emisionit ‘Pa Gjurmë’ gjendet 17-vjeçari Lorenc Hysenaj, i cili humbi gjurmët nga Tirana, në zonën e "Ali Demit", që prej datës 13 qershor të këtij viti.
I riu u gjet në qytetin e Durrësit, aty ku edhe u përqendrua pista e kërkimeve, pasi gjatë rrëfimit të nënës në transmetimin live në emisionin ‘Pa Gjurmë’ vërshuan me dhjetëra telefonata, që zhvendosën vendndodhjen e Lorencit në qytetin bregdetar. Nëna dhe vetë Lorenci mbërritën në studion e emisionit për të dhënë lajmin e mirë të gjetjes, por edhe duke rrëfyer arsyet e vërteta pse i riu vendosi të largohej pasi la në gjumë familjarët.
‘Jam shumë e gëzuar që djalin e kemi gjetur shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve. Stafi ‘Pa Gjurmë’ na dha të gjitha numrat e telefonatave, që erdhën në studio dhe ne u nisëm në Durrës. Burri merr më telefon qytetaren që e kishte parë dhe takohet me të. Ajo e shpie tek i njëjti vend ku ishte parë djali. Të shtunën pasdite vjen im shoq bashkë me djalin. Sa erdhën në shtëpi i doli djali i vogël dhe e përqafoi fort. I tha lali mos u ik më. Tani nuk e pyes më për largimin, ia kam fal. Them që është penduar se më kërkoi falje dhe premtoi se nuk do të largohej më. Ai nuk shprehet, rri i mbyllur’, tha nëna
Kur ndjeu dorën e të atit që ia hodhi në qafë, Lorenci kuptoi sa rëndë kishte gabuar. I penduar dhe kokëulur, Lorenci mbërriti në studion e emisioni për t’i kërkuar ndjesë publike prindërve. Ai tregon si u gjend në një situatë rruge, prej dy javësh dhe pse kishte frikë të trokiste në derën e shtëpisë, kur familja e kërkonte dhe ai qëndronte pak metra larg shkallës së pallatit.
'Morëm një motor dhe sa po ndizja motorin vjen babi dhe më hedh dorën në qafë. I takova çunat dhe i dhashë piaxhon, pastaj ika me babain. Atë natë erdhën dhe ata dy çunat pastaj e mësova se kërkohesha në ’Pa gjurmë’. Unë kam qëndruar tre ditë në Tiranë por nuk kisha mundësi dhe kisha frikë të trokisja në derë. Vija në Tiranë dhe në mëngjes shkoja në Durrës. Edhe në lagje kam qenë, poshtë lokalit të lagjes kam qëndruar deri më katër të mëngjesit’, rrëfen Lorenci
Sipas dëshmisë së të 17-vjecarit ai donte të punonte për t’i kthyer nënës paratë, që i kishte marrë fshehurazi nga portofoli pak kohë më parë.
‘Doja të gjeja një punë që lekët 100 mijë lekë, që i mora familjes herën e parë t'ja ktheja familjes. Unë e bëra më të madh gabimin. Në familje s'kam asnjë konflikt, por më pëlqente të dilja vonë. Kur isha në Durrës pashë një burrë që goditi djalin e vogël, aty mu kujtua vëllai. Çfarë kisha vete lekë ia bleva akullore djalit te vogël. Atë natë mund të ishim vrarë. Dy vajzat i mora atë ditë me lejen e prindërve për plazh. Ndjehem keq. Kam bërë gabimin më të madh. Unë nuk jam përdorues i lëndëve narkotike. Nuk merrem me këto gjëra. Premtoj se nuk do ta përsëris më këtë gjë. Në zonën e Kombinatit ku kam jetuar kam patur një shoqëri të keqe. Babai më largoi nga ajo shoqëri. Kur u largova nga shtëpia shkova në bulevard dhe takova dy çuna që kanë moshën time. Ata më thanë se so ikim në Durrës, të bëjmë punë. Ikëm me triçikël. Kur mbërritëm, ata shitën triçiklin dhe mbetëm pa lekë. Erdhi babai i një prej cunave dhe u zunë. Pastaj u kthyem në Tiranë të nesërmen. Fjetëm një natë tek shtëpia një shoqes. Pastaj të nesërmen morëm edhe dy goca dhe ikëm prapë në Durrës. Kemi fjetur tek ura e Dajlanit, tre cuna dhe dy goca. Gjeta 100 mijë lekë borxh dhe nisa gocat në shtëpi. Vetë ndenja në Durrës. Nuk njoftova, se kisha frikë mos më bërtisnin në shtëpi. Donim të punonim të blenim triçiklin prapë, sepse pati një sherr të madh mes babait të një prej çunave dhe djemtë që u shitëm motorin, që përdorej për punë. Ne mund të ishim vrarë atë ditë. 60 mijë lekshin që morëm pasi e shitëm i prishëm duke bërë xhiro me varkë. Nuk më pëlqente kjo jetë që bëja, por kisha bërë gabime në familje’, tha Lorenci, djali që u gjet dy javë pasi kishte humbur gjurmët.
Për familjarët kjo është e disata herë që i riu largohet nga shtëpia. Më datë 11 qershor, pasi mori një shumë parash prej 100 mijë lekë të vjetra, nga portofoli i nënës qëndroi për dy ditë jashtë ai u largua, por që fatmirësisht policia arriti në gjurmët e të riut dhe e ktheu në shtëpi shëndoshë e mirë brenda 24 orëve. Një ditë më pas, të shtunën e 13 qershorit ai u largua duke humbur gjurmët sërish, për dy javë me radhë. Ndaj mungesa prej kaq ditësh detyroi familjarët të bëjnë edhe një denoncim live në studion e ’Pa Gjurmë’, pasi, nga ai moment nuk kishin asnjë informacion për fatin e të riut. Falë mjaft informacioneve që erdhën gjatë transmetimit live mjaft qytetarë durrsak ndihmuan në gjetjen e 17-vjecarit.