Se humbja e 14 majit ishte rezultat edhe i ndëshkimit të opozitës nga qytetarët, thuhej vetëm nën zë në oborrin e korridoret e ish selisë së PD, ku sot ushtron aktivitetin e tij politik Sali Berisha dhe Rithemelimi.

I pari që artikuloi se edhe opozita ka faj, ishte kandidati i Tiranës, Belind Këlliçi, në nisje të mbledhjes së kryesisë së “Rithemelimit” foli për nevojën e një reflektimi të thellë brenda opozitës, e ndryshe nga Berisha, edhe për lënien mënjanë të hatërmbetjeve brenda dy palëve në PD. Por megjithatë Këlliçi, nuk e sheh të nevojshme dorëheqjen e kreut të Rithemelimit

Më e ashpër në qëndrim, u tregua Jozefina Topalli, e cila tha se “Rithemelimi” po vijon të jetë I njëjti model si atëherë kur PD drejtohej nga Lulzim Basha.

Reformim total të “Rithemelimit” kërkoi anëtari i kryesisë Tomorr Alizoti, I vetmi zë që kërkon publikisht ndryshimin e lidershipit të këtij grupimi.

Vetë Berisha në mbledhjen e kryesisë, të thirrur për herë të parë pas humbjes së thellë në bashki, nuk artikuloi as edhe një fjalë për problemet e brendshme, por fajin e vuri te maskarada zgjedhore, ku krahas votave, akuzoi se Rama ka arritur të blejë edhe mediat.

Se e kanë përvetësuar këtë qëndrim të liderit të tyre, anëtarët e kryesisë u përpoqën ta tregonin edhe para mediave, duke u sugjeruar atyre të merren me shkeljet e Ramës dhe jo me opozitën.

Edhe brenda mbledhjes së kryesisë, të zhvilluar me dyer të mbyllura, thanë burime për Report Tv, u fol vetëm për shkeljet, ku iu kërkua anëtarëve të kryesisë të dokumentojnë parregullsitë për t’ I denoncuar zyrtarisht ato.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:59
‘Lufta’ në PD, Topalli: Opozita s’bëhet me modelin e ish-kryetarit

 

Ish-kryparlamentarja Jozefina Topalli duke ju përgjigjur pyetjes së gazetares së Report Tv Danjela Maloku në lidhje me situatën në PD thotë se opozita nuk mund të bëhet me modelin e ish-kryetarit.

E pyetur nëse Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen, Topalli u shpreh se ai duhet të japë dorëheqjen në zgjedhjet parlamentare dhe jo lokale.

Jozefina Topalli: E para këto nuk ishin zgjedhje. E dyta pushteti nuk do të ndalet dhe e treta opozita nuk bëhet me modelin e ish-kryetarit.

Gazetarja: A duhet të ketë dorëheqje?

Topalli: Në zgjedhjet politike po!

Ora 12:02
Berisha mbledh kryesinë e Rithemelimit/ Këlliçi: Duhet të kapërcejmë hatërmbetjet! Spahia: Humbëm prej krimit të organizuar e të mbështetur nga Rama

Sali Berisha ka thirrur kryesinë e Rithemelimit në selinë blu. Para takimit. Belind Këlliçi, i cili humbi përballë Erion Veliajt në garën për bashkinë Tiranë tha për mediat se në fokus të diskutimit do të jenë zgjedhjet. Ai u shpreh se do të mundohen të kapërcejnë hatërmbetjet për t’u bashkuar ndërsa lidershipi nuk do të ndryshojë. Me këtë dha mesazhin e qartë se Sali Berisha nuk do të largohet.

“Duhet të vëmë gishtin në plagë e të flasim për zgjedhjet. Zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka. Duhet të kapërcejmë çdo hatërmbetje e pakënaqësi që t’i përgjigjemi më mirë shoqërisë. Nuk e di si lidhet reflektimi me dorëheqjen, do shohim çfarë s’ka shkuar mirë. Me lidershipin mjafton të shihni statutin, ka ikur koha e dëshirave personale”, tha Këllici.

Ndërsa Bardh Spahia, i cili humbi bashkinë e Shkodrës përballë Benet Becit thotë se fajtor është Rama që pretendon se i ka vjedhur votat. Spahia shprehet se nuk ndjen humbje dhe shton se votat e demokratëve ishin aty.

“Do bëjmë një analizë tani. Krimi i organizuar dhe i mbështetur e i orientuar nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Votat e anëtarësisë aty janë. Ka rritje dhe përfshirje të institucioneve të shtetit me të gjitha forcave. Po t’i lexoni shifrat, votat e demokratëve janë aty”, tha Spahia.