Migen Memelli nuk do jetë më trajner i Skënderbeut në Kategorinë e Parë. Humbja 2-1 me Korabin në Peshkopi dhe vendi i shtatë në klasifikim kanë bërë që drejtuesit korçarë të marrin vendimin drastik për 42 vjeçarin. Largimi i Memellit u konfirmua edhe nga presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj për Panorama Sport.
Këtë sezon në të Parën, Skënderbeu ka zhvilluar nëntë ndeshje, duke marrë tre fitore, katër barazime dhe dy humbje. Me vetëm 13 pikë në renditje, durimi i presidencës duket së është sosur.
Me objektivin për ngjitjen në Superligë, situata e korçarëve nuk është ajo që pritej, duke sjellë edhe këtë lëvizje. Kujtojmë që prej shkurtit 2021 Memelli drejtoi Skënderbeun në Superligë, teksa pas një shkëputje disa javore këtë verë u ritkhye në stolin e korçarëve në qershorin e 2022. Mungesa e rezultateve ka sjellë largimin e Memellit nga Skënderbeu. Tanimë pritet emri i trajnerit të ri.