Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi ka marrë një vendim drastik pas humbjes së sotme, duke përjashtuar përfundimisht nga ekipi kapitenin Lorenc Trashi.
Sipas njoftimit, vendimi vjen pas një veprimi të konsideruar me dashje nga ana e Trashit, i cili ka shkaktuar një penallti në ndeshjen mes Bylisit të Ballshit dhe Flamurtari FC të Vlorës.
Flamurtari u mposht në sekondat e fundit të takimit, një humbje që ka rënduar ndjeshëm situatën e skuadrës në renditje, duke e çuar ekipin drejt fundit të tabelës.

Tifogrupi i Flamurtarit, “Flota Kuqezi”, ka reaguar ashpër pas ndeshjes së sotme në Ballsh, duke mbështetur plotësisht vendimin e klubit për përjashtimin e ish-kapitenit Lorenc Trashi.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, “Flota Kuqezi” e cilëson këtë vendim të drejtë dhe të merituar, duke akuzuar rëndë lojtarin për sjellje të papranueshme dhe duke e etiketuar atë si “kumarxhi”. Sipas tifozëve, rastet e dyshimta të përsëritura kanë çuar në këtë vendim ekstrem, i cili, sipas tyre, ishte i pashmangshëm.
“TURPI E KA EMRIN TRASHI. Flota Kuqezi mbështet plotësisht vendimin e klubit për përjashtimin e Lorenc Trashit. Fanella e Flamurtarit është më e rëndësishme se çdo individ”, thuhet në deklaratë.
Më tej, tifogrupi thekson se në skuadër duhet të jenë vetëm ata lojtarë që e ndjejnë dhe e respektojnë fanellën, duke refuzuar kategorikisht, sipas tyre, “ata që e shesin apo nuk japin maksimumin për ekipin”.
Reagimi i “Flota Kuqezi” vjen në një moment të vështirë për Flamurtarin, pas humbjes dramatike në sekondat e fundit në përballjen e sotme.
Komente











