“Aflatoksina është një toksinë shumë e rrezikshme që prek fillimisht kafshët përmes ushqimit të mykur (misër, drithëra, foragjere) dhe më pas kalon te njerëzit kryesisht përmes qumështit, mishit ose produkteve të kontaminuara”, shpjegon për Report TV, ish ministri i Bujqësisë dhe një ekspert i fushës, profesor Edmond Panariti.
Rasti i qumështit me aflatoksinë i konstatuar të shumë fermerë të zonës së Levanit në Fier dhe të disa fshatrave të Myzeqesë, të cilin fabrikat e grumbullimit kanë refuzuar ta marrin, ngre një shqetësim serioz për sigurinë ushqimore dhe mungesën e kontrollit nga ana e autoriteteve, në shumë hallka të zinxhirit, që nga ushqimi i përdorur për kafshët, te destinacioni i produkteve të kontaminuara, qumështi apo dhe mishi.
Pasojat te konsumatorët janë të larta: “Aflatoksina kalon në qumësht si metabolit (aflatoksina M1), në mish ose vezë. Konsumimi afatgjatë lidhet me kancer të mëlçisë, dëmtime të sistemit imunitar dhe rritje të rrezikut për sëmundje kronike”, tregon profesor Panariti
Vetëm në 6 muajt e fundit në vend janë konstatuar disa qindra tonelata me misër blegtoral me aflatoksinë, i ardhur nga Serbia. Rasti më i fundit ai i disa ditëve më parë në Shkodër ishte flagrant, pasi mbi 100 ton të bllokuar, rezultoi se ishte lëvizur nga magazine ku kishin mbetur vetëm 9.5 ton. Pjesa tjetër me gjasë është rihedhur në treg, si ushqim për kafshët.
Situata me qumështin duket e ngjashme. Ndonëse fabrikat kanë sinjalizuar konstatimin e produktit të kontaminuar, mbetet e paqartë nëse autoritetet kanë ndërmarrë ose jo ndonjë veprim. AKU refuzoi të jepte sqarime mbi rastin.
Një nga fermerët e dëmtuar thotë se e ka hedhur qumështin e refuzuar nga fabrika, ndërsa ka shitur 25 lopë, të cilat ose vazhdojnë të prodhojnë qumësht diku tjetër, ose kanë përfunduar në thertore për tregtimin e mishit.
“Edhe pse fabrikat kanë bllokuar grumbullimin e qumështit të ndotur, rreziku mbetet nëse produktet kalojnë pa kontroll ose përdoren në mënyrë informale. Rreziku real për konsumatorët është i ulët, nëse do zbatohen masat e bllokimit, por mbetet i pranishëm në tregjet joformale ose në rastet kur fermerët nuk raportojnë”, vë në dukje profesor Panariti.
Ai shpjegon se “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është institucioni përgjegjës për kontrollin e ushqimeve dhe bllokimin e partive të kontaminuara. Ministria e Bujqësisë ka detyrë të monitorojë zinxhirin e furnizimit dhe të mbështesë fermerët”.
Këta të fundit, mund të kërkojnë dhe dëmshpërblim në rastet kur ndalimi i produktit vjen nga kontaminimi i ushqimit të importuar ose i shpërndarë nga ndërmjetës.









