Opozita filoeuropiane fiton zgjiedhjet në Hungari duke mundur pas 16 vitesh në pushtet Viktor Orban, i mbështetur fort nga Vladimir Putin dhe Donald Trump. Vetë Orban ka pranuar disfatën duke uruar rivalin për fitoren historike.  Me afro 85% të votave të numëruara, partia kryesore opozitare Tisza ka marrë 53.60% të votave. Ndërkohë, kryeministri Viktor Orbán dhe partia e tij Fidesz ndodhen shumë prapa, me vetëm 37.78%.

Zgjedhësit votuan për të rinovuar Parlamentin me 199 anëtarë. Partia Tisza aktualisht projektohet të marrë 138 mandate – nga 133 që nevojiten për shumicën prej dy të tretash – kundrejt 54 mandateve të Fidesz dhe 7 të Mi Hazank.

Hungaria shënoi pjesëmarrje historike në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Nga mediat hungareze rezulton se të paktën deri në orën 18:30, drejt kutive të votimit u drejtuan 77.8% e shtetasve me të drejtë vote. E përkthyer në shifra konkrete, pjesëmarrja regjistron rreth 5.8 milionë votues, duke arritur një nivel historik. Zgjedhësit votuan për të rinovuar Parlamentin me 199 anëtarë.

Gulyás, shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Orbán, deklaron se pjesëmarrja e lartë në votime është rezultat i mobilizimit të Fidesz. Nga ana tjetër, lideri i opozitës hungareze, Péter Magyar, thotë : «Regjimi po jeton orët e tij të fundit, jemi në prag të një ndryshimi sistemi. Le ta kalojmë së bashku! Të qëndrojmë të gjithë të qetë dhe me humor të mirë: koha është në anën tonë! Zoti e bekoftë Hungarinë!»

Zyrtarisht, votimi që u hap në orën 06:00 të kësaj të diele, duhej të kishte përfunduar në orën 19:00, por për shkak të radhëve të gjata me votues që presin të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, procesi vijon ende në disa qendra votimi të Hungarisë.. 

Afro 7.5 milionë hungarezë dhe 500 mijë të tjerë që jetojnë jashtë vendit, u thirrën të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që mund t'i japin fund mbretërimit 16-vjeçar të kryeministrit Viktor Orban në pushtet dhe të shënojnë një pikë kthese politike, me efekte në Evropë dhe në marrëdhëniet me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi nacionalist euroskeptik Orban, 62 vjeç, ka udhëhequr vendin që nga viti 2010 dhe ka ndërtuar një model të "demokracisë joliberale" - sipas përkufizimit të tij - që është parë me interes nga qarqet konservatore perëndimore, përfshirë ato pranë Donald Trump.

Pasi hodhi votën pak pas orës 08:00 të mëngjesit, Orbán u ndal për të folur me gazetarët. I pyetur për pjesëmarrjen e lartë, ai u shpreh se “është një gjë shumë e mirë; sa më shumë të jemi, aq më mirë”. Në lidhje me rivalin e tij, ai shtoi se “nuk nënvlerësojmë askënd”, ndërsa për një mesazh për kundërshtarin deklaroi shkurt: “Mesazhin tim ua kam dhënë tashmë votuesve”. I pyetur gjithashtu për marrëdhëniet me Rusinë dhe nëse e konsideron veten mik të Vladimir Putinit, ai u përgjigj se “Hungaria përpiqet të mbajë marrëdhënie miqësore me liderët e të gjitha vendeve të mëdha dhe, fatmirësisht, ka shumë miq në botë”.

Në vitet e fundit, ai është dashur të përballet me pakënaqësi të brendshme në rritje për shkak të stagnimit ekonomik, rritjes së kostove të jetesës dhe akuzave për korrupsion të lidhura me oligarkët pranë qeverisë.

Përballë tij, sfidanti Péter Magyar, 45 vjeç, një ish-aleat i Orban dhe tani udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë Tisza, i cili ka përfituar nga pakënaqësia publike, veçanërisht midis të rinjve dhe votuesve urbanë.

Magyar hodhi votën në Budapest rreth orës 08:30 dhe më pas zhvilloi një deklaratë të shkurtër për mediat, ku parashikoi një pjesëmarrje rekord dhe theksoi se në disa qendra votimi “edhe një apo dy vota mund të bëjnë diferencën”. Ai deklaroi se partia e tij kishte marrë dhjetëra raportime për parregullsi të mundshme zgjedhore dhe u bëri thirrje autoriteteve të veprojnë “me gjithë forcën e ligjit” nëse konstatojnë shkelje. “Askush nuk duhet të përfundojë në burg në vend të mafies së Fidesz,” tha ai. Në të njëjtën kohë, ai u shpreh i bindur për rezultatin: “Askush nuk mund ta besojë seriozisht që Tisza — dhe Hungaria — nuk do t’i fitojë këto zgjedhje”, duke shtuar se rezultati do të pranohet vetëm nëse nuk ka manipulime që ndikojnë ndjeshëm në votim.

lajm në përditësim,,,

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:20
Lideri i opozitës në Hungari: Sekretari i NATO-s Rutte më uroi për fitoren në zgjedhjet parlamenetare

1776023930_petermagyar.ëebp

“Edhe kancelari gjerman dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s na kanë uruar me telefon për fitoren tonë”, bën të ditur në rrjetet sociale Péter Magyar, fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Hungari.

Ora 21:49
Kancelari gjerman uron rivalin e Orban për fitoren: Hungaria vendosi, mezi pres bashkëpunimin për një Evropë të bashkuar

1776016189_petermagyar.jpg

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka uruar liderin e opozitës hungareze Péter Magyar, për fitoren në zgjedhjet parlamentare, që sollën rrëzimin nga pushteti 16-vjeçar të Viktor Orban.

“Hungaria ka vendosur. Urime për fitoren në zgjedhje, i dashur Péter Magyar. Mezi pres bashkëpunimin për një Evropë të fortë, të sigurt dhe mbi të gjitha të bashkuar”,- shkruan Merz.

Ora 21:46
Macron uron rivalin e Orban për fitoren në zgjedhjet parlamentare! Von der Leyen: Zemra e Evropës sonte rreh më fort në Hungari

1775651270_emmanuelmacron.jpg

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ishte ndër liderët e parë evropianë që uroi Péter Magyar për fitoren në zgjedhjet në Hungari. Në një postim në rrjetin X, Macron bëri të ditur se kishte zhvilluar edhe një bisedë telefonike me liderin e opozitës.

“Sapo zhvillova një bisedë me Péter Magyar për ta uruar për fitoren e tij në Hungari. Franca përshëndet triumfin e pjesëmarrjes demokratike dhe përkushtimin e popullit hungarez ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe rolit të Hungarisë në Evropë”, shkroi ai.

Macron theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në të ardhmen: “Së bashku, të çojmë përpara një Evropë më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, konkurrueshmërinë dhe demokracinë”.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi menjëherë pas shpalljes së rezultateve, duke e cilësuar këtë moment si historik.

“Zemra e Evropës sonte rreh më fort në Hungari”, shkroi ajo në një mesazh në anglisht dhe hungarisht, duke iu referuar fitores së thellë të Péter Magyar, e cila shënon fundin e një epoke 16-vjeçare të qeverisjes së Viktor Orbán.

Ora 21:38
Hungari/ Humbi zgjedhjet pas 16 vitesh në pushtet, Orbán: Nuk do të dorëzohemi, do t’i shërbejmë kombit nga opozita

1776016151_victororban.avif

“Nuk do të dorëzohemi, do t’i shërbejmë kombit nga opozita”, deklaroi kryeministri në largim Viktor Orbán pasi pranoi humbjen. “Detyra jonë është e qartë: të forcojmë komunitetin tonë.”

Orban humbi zgjedhjet elektorale parlamentare pas 16 vitesh në pushtet.

Ora 21:33
Hungari/ Humbi zgjedhjet parlamentare pas 16 vitesh në pushtet, Orbán: Rezultatet janë të qarta, është e dhimbshme për ne

1776016116_victororban.jpg

“Rezultatet janë të qarta, është e dhimbshme për ne”, deklaroi kryeministri në largim hungarez Viktor Orbán, i cili më pas konfirmoi se ka uruar për fitoren partinë e Péter Magyar.

Orban humbi zgjedhjet elektorale parlamentare pas 16 vitesh në pushtet.

Ora 21:22
Hungari/ Orban uron liderin e opozitës për fitoren në zgjedhjet parlamentare

1775486866_viktororban.webp

Kryeministri në largim, Viktor Orbán, ka uruar Péter Magyar për fitoren. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Magyar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ora 20:39
Numërohen mbi 20% e votave në Hungari, opozita kryeson me mbi 49%, Orban afro 42%

1776016189_petermagyar.jpg

Rezultatet e para nga zgjedhjet në Hungari tregojnë një epërsi të fortë të opozitës. Me 21.5% të votave të numëruara, partia Tisza ka marrë 49.43% të votave.

Ndërkohë, kryeministri Viktor Orbán dhe partia e tij Fidesz ndodhen shumë prapa, me vetëm 41,99%.

Ora 20:03
Sondazhet e nxjerrin në avantazh, lideri i opozitës në Hungari u bën thirrje mbështetësve: Mos bini pre e provokimeve

1776016258_petermagyar.jpg

Lideri i opozitës dhe sfiduesi i kryeministrit Viktor Orbán, Péter Magyar, deklaroi se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë shumë e lartë dhe se mbi 6 milionë qytetarë kanë votuar

“Edhe një herë, hungarezët bënë histori”, ishin fjalët e para të Magyar pas votimit. “Mbi 6 milionë kanë votuar. Jemi optimistë për rezultatin”.

Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo provokim: “Të qëndrojmë paqësorë, të mos i nënshtrohemi asnjë provokimi”.

Ndërkohë, në Budapest, në sheshin Batthyány, ka nisur pritja e rezultateve në qendrën e Tisza-s. Sipas Magyar, të gjithë janë të mirëpritur: “I bëj thirrje të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e asnjë provokimi nga partia në pushtet apo propaganda. Zoti e bekoftë Hungarinë!”, shkroi ai në rrjetin X.

Ai pritet që së shpejti të marrë pjesë në tubimin e mbështetësve të tij në brigjet e Danubit, në kryeqytet.

Ora 19:37
Lideri i opozitës në Hungari: Orët e fundit të regjimit të Orbánit

1776015719_20260131EUP507.jpg

Pas mbylljes së procesit të votimit në zgjedhjet parlamentare, ku pjesëmarrja arriti shifrën rekord 77.8%, lideri i opozitës hungareze, Péter Magyar, shprehet hapur: «Regjimi po jeton orët e tij të fundit, jemi në prag të një ndryshimi sistemi. Le ta kalojmë së bashku! Të qëndrojmë të gjithë të qetë dhe me humor të mirë: koha është në anën tonë! Zoti e bekoftë Hungarinë!»

Ora 19:32
Përfundojnë votimet parlamentare në Hungari, sondazhi parazgjedhor: Opozita 55%, partia e Orbanit vetëm 38%

1776015435_1776015082templcrg737eqrtvfhgholocikktorzsxl.webp

Pas mbylljes së qendrave të votimit janë publikuar sondazhet e kryera para zgjedhjeve. Sipas tyre, opozita e udhëhequr nga Tisza parashikohet të marrë 55% të votave, ndërsa Fidesz, partia e Orbánit, rreth 38%.

Sondazhi është realizuar nga 212 Research Centre. Sipas këtij instituti, Tisza mund të fitojë deri në 132 vende nga gjithsej 199 në Parlament.

Ora 19:26
Zgjedhjet parlamentare në Hungari, Zyrtari i Orban: Pjesëmarrja e lartë ishte rezultat i mobilizimit të partisë tonë

1776014952_Schepplephotoscaled.jpg

Gulyás, shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Orbán, deklaron se pjesëmarrja e lartë në votime është rezultat i mobilizimit të Fidesz.

Pjesëmarrje në votimet e këtyre zgjedhjeve parlamentare në Hungari arriti në 77.8%, një rekord historik i paregjistruar më parë. 

Ora 19:02
Pjesëmarrje e paprecedentë në Hungari para mbylljes së votimit, afro 78% deri në orën 18:30

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Hungari ka arritur në 77.8% deri në orën 18:30, duke thyer rekorde historike.

Sipas të dhënave të fundit nga Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve, rreth 5.85 milionë qytetarë kanë hedhur votën deri në këtë orë.

Rekordi historik i vitit 2002 është tejkaluar që para mbylljes së votimit, ndërsa vetëm dy orë më herët pjesëmarrja kishte kaluar tashmë 74%.

Për krahasim, në zgjedhjet e vitit 2022 pjesëmarrja në të njëjtën orë ishte 67.8%, çka tregon një rritje të ndjeshme të mobilizimit të votuesve këtë vit.

Ndërkohë, janë raportuar edhe probleme që kanë ndikuar në pjesëmarrje. Në një rast, një tren nga Budapesti drejt Szeged-it pësoi defekt dhe u vonua për më shumë se një orë e gjysmë, duke bërë që disa qytetarë të mos arrijnë në kohë për të votuar.

Në disa zona të vendit janë regjistruar gjithashtu nivele shumë të larta pjesëmarrjeje. Në një qark me qendër në Sopron, pjesëmarrja kishte arritur rreth 80% që në orën 17:00, shumë më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme.

Ora 18:48
Zgjedhjet në Hungari, analistët: Sistemi politik mund të ndryshojë, partitë e vogla në rrezik

Analistët në Hungari vlerësojnë se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje mund të sjellë një ndryshim të madh në përbërjen e Parlamentit të ardhshëm hungarez, duke i vënë nën presion partitë e vogla dhe duke e shtyrë vendin drejt një gare gjithnjë e më të qartë mes dy forcave kryesore.

Sipas analistit dhe politikanit Gábor Fodor, dinamika e votimit tregon se vendi po lëviz me shpejtësi drejt një skene politike të dominuar nga dy kampe, ndërsa partitë e vogla po hyjnë në një zonë rreziku. Në vlerësimin e tij, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më shumë rritet mundësia që Parlamenti i ri të ketë një konfigurim dukshëm më të polarizuar.

Fodor thekson se mobilizimi i lartë nuk mund t’i atribuohet automatikisht vetëm njërës palë. Sipas tij, si partia në pushtet ashtu edhe opozita kanë arritur të nxjerrin votuesit në qendrat e votimit, ndërsa një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe zhvillimet emocionale dhe përplasjet e forta të ditëve të fundit të fushatës.

Në këtë kuptim, sipas tij, zgjedhjet nuk po prodhojnë vetëm një rezultat, por mund të shënojnë edhe një riformatim të vetë sistemit politik hungarez.

 

Ora 18:10
Kryebashkiaku i Budapestit parashikon humbjen historike të Viktor Orbanit, Karacsony: Një ndryshim i madh po vjen

Kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karácsony, pret një fitore të thellë të opozitës në zgjedhjet parlamentare në Hungari.

Në një intervistë për mediat vendase ai tha se 'një ndryshim i madh po vjen' dhe se pret një humbje historike për partinë në pushtet të Viktor Orban, duke e lidhur këtë me pjesëmarrjen rekord në votime.

“Skenarë të tillë janë gjithmonë të pafavorshëm për një parti që ka qenë në pushtet për 16 vite dhe që paraqitet si zgjedhja e sigurt,” u shpreh ai.

Sipas Karácsony, zgjedhjet janë tashmë të vendosura në një aspekt kyç: opozita e udhëhequr nga Péter Magyar pritet të sigurojë shumicën në Parlament, jo vetëm në vota.

Megjithatë, ai theksoi se mbetet ende e paqartë nëse kjo shumicë do të arrijë nivelin e dy të tretave, që do t’i lejonte opozitës të ndryshonte ligjet kryesore.

Karácsony shtoi se pret një fitore shumë të fortë të opozitës në Budapest dhe tha se ka marrë garanci se në rast fitoreje do të trajtohen problemet e kryeqytetit.

Ora 18:04
Zgjedhjet në Hungari, numërimi nis pas orës 20:00, rezultatet çdo 10 minuta

Rezultatet e para të zgjedhjeve parlamentare në Hungari pritet të publikohen pas orës 20:00.

Sipas autoriteteve zgjedhore, Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve do të nisë publikimin e rezultateve në varësi të ritmit të numërimit të votave.

Komisionet e votimit do të fillojnë fillimisht me numërimin e votave për kandidatët në zonat elektorale.

Rezultatet paraprake do të publikohen në faqen zyrtare të zgjedhjeve, e cila do të përditësohet çdo 10 minuta.

Ora 17:52
Zgjedhjet në Hungari, qendrat e votimit drejt mbylljes por radhët e votuesve s'kanë fund në Budapest (VIDEO)

Në orët e fundit para mbylljes së votimeve, qytetarët në Budapest vijojnë të presin në radhë për të hedhur votën, në një shenjë të pjesëmarrjes së lartë në zgjedhjet parlamentare.

Pamjet vijnë nga një qendër votimi në zonën Gazdagrét, ku radhët e votuesve janë ende të gjata, ndërsa procesi po i afrohet fundit.

Pjesëmarrja e lartë gjatë gjithë ditës ka çuar në një mobilizim të fortë të qytetarëve, me shumë prej tyre që zgjedhin të votojnë edhe në minutat e fundit. 

Sipas mediave, pjesëmarrja e regjistruar në orën 17:00 është më e larta e regjistruar ndonjëherë në vend. 

 

Ora 17:37
Hungaria drejt një rezultati historik, pjesëmarrja kalon 74%, mbi 5.5 milionë votues deri në orën 17:00

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Hungari vijon të rritet me ritme të larta, ndërsa deri në orën 17:00 ka arritur në 74.23%.

Sipas të dhënave të fundit, në votime kanë marrë pjesë 5,587,935 qytetarë nga gjithsej 7,527,742 me të drejtë vote.

Kjo përfaqëson një rritje të ndjeshme prej +11.31% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022 në të njëjtën orë, duke konfirmuar një nga pjesëmarrjet më të larta të viteve të fundit.

Ritmi i lartë i votimit gjatë gjithë ditës po e çon procesin drejt një rekordi historik, ndërsa pritet që pjesëmarrja të rritet edhe më tej deri në mbylljen e qendrave të votimit.

Ora 17:16
Kampi i Orban paralajmëron skenarë dhune pas zgjedhjeve në Hungari, Magyar: Pallavra ruse, rezultati i sotëm do të hyjë në histori

Lideri i opozitës hungareze Péter Magyar e ka cilësuar ditën e votimit si “festë të një referendumi për ndryshim regjimi”.

Në një postim në Facebook, ai tha se mbështetësit e tij po presin mbylljen e votimit “me qetësi, besim dhe siguri”, duke shtuar se pjesëmarrja gjatë ditës konfirmon pritshmëritë e tyre.

“Sot është festa e referendumit për ndryshim regjimi, që do të hyjë në librat e historisë hungareze,” shkroi ai.

Mediat pranë kryeministrit Viktor Orban po publikojnë skenarë alarmues, duke paralajmëruar se në rast të një konfirmimi të tij në pushtet, mund të ketë edhe një përpjekje për grusht shteti për të përmbysur rezultatin.

Por Magyar i hodhi poshtë ato duke i cilësuar si “gënjeshtra dhe propagandë” nga partia në pushtet.

Sipas tij, akuzat për protesta të dhunshme apo pushtime institucionesh janë pallavra të pabazuara dhe, siç u shpreh ai, “vijnë nga mendësia e këshilltarëve rusë”.

 

Ora 17:14
Akuza për blerje votash në Hungari, organizata pranë qeverisë sulmon opozitën

Qendra 'Demokracia', një organizatë e afërt me partinë në pushtet në Hungari ka akuzuar opozitën për blerje votash gjatë zgjedhjeve.

Sipas kësaj organizate, që mbështet partinë e kryeministrit Viktor Orban, ekziston një audio që pretendon se njerëz të lidhur me partinë opozitare Tisza kanë organizuar blerje votash në disa zona të vendit.

Ata thonë gjithashtu se kanë marrë denoncime për raste ku votuesve u janë ofruar para për të votuar për opozitën, si dhe për transport të organizuar të votuesve drejt qendrave të votimit.

Në një tjetër rast, pretendohet se në një zonë janë shpërndarë edhe ushqime për të ndikuar votën e qytetarëve.

Akuzat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga mediat vendase.

Ora 17:02
Votimet drejt fundit në Hungari, para Parlamentit në Budapest nis festa techno (VIDEO)

Ndërsa Hungaria i afrohet mbylljes së votimeve, përballë Parlamentit në Budapest ka nisur muzika tekno.

Në sheshin Kossuth Lajos  Qindra të rinj dhe pjesëmarrës janë mbledhur në shesh për një aktivitet që është njëkohësisht festë techno, protestë simbolike dhe pritje e rezultateve zgjedhore.

I promovuar si një “afterparty” i zgjedhjeve, eventi “Më shumë techno në Parlament” pritet të zhvendoset më pas në Qendrën Kulturore Turbina, ku festa do të vijojë gjatë mbrëmjes.

Ora 16:46
Zgjedhjet në Hungari, Bashkimi Europian mes dy skenarëve: Tensione me Orban ose ndryshim kursi me Magyar

Bashkimi Europian po përgatitet për çdo skenar pas zgjedhjeve në Hungari, nga një përplasje e vazhdueshme me Viktor Orban deri te një rifillim i kujdesshëm i marrëdhënieve në rast të fitores së Péter Magyar.

Zyrtarët në Bruksel presin që, nëse Orban qëndron në pushtet, tensionet me BE-në të thellohen, duke pasur parasysh përdorimin e shpeshtë të vetos për të bllokuar vendime të rëndësishme, përfshirë edhe paketën prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Sipas diplomatëve, një fitore e tij mund të sjellë edhe një radikalizim të mëtejshëm të qëndrimeve, ndërsa një fitore e ngushtë mund ta dobësojë politikisht dhe të sjellë një qasje më të moderuar në raport me BE-në.

Në të kundërt, një fitore e Peter Magyar shihet në Bruksel me optimizëm të kujdesshëm. Ai ka premtuar të përmirësojë marrëdhëniet me BE-në dhe të ulë tensionet, por zyrtarët evropianë nuk presin një ndryshim të menjëhershëm, pasi edhe ai ka qëndrime të rezervuara për çështje si migracioni dhe anëtarësimi i Ukrainës.

Një nga çështjet më të rëndësishme për çdo qeveri të re do të jetë zhbllokimi i fondeve evropiane. Aktualisht, rreth 17 miliardë euro mbeten të ngrira për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit dhe korrupsionin, ndërsa Hungaria rrezikon të humbasë deri në 10 miliardë euro në muajt e ardhshëm nëse nuk ndërmerren hapa konkretë.

Ora 16:25
Zgjedhjet në Hungari, analistët: Budapesti është zgjuar, pjesëmarrja në votime po thyen çdo parashikim

Analistët në Budapest po e cilësojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare si “të jashtëzakonshme”, duke theksuar se ritmi i votimit po tejkalon çdo parashikim.

Sipas analistit Mátyás Bódi, deri në mesditë pjesëmarrja kishte arritur në 54%, me 4,075,272 votues, një nivel që e vendos procesin në të njëjtin pikë me fundin e zgjedhjeve të vitit 2014. “Është tronditëse, absolutisht e jashtëzakonshme,” u shpreh ai.

Rritja ka qenë e ndjeshme krahasuar me orët e mëparshme: në orën 11:00 pjesëmarrja ishte 37.98%, ndërsa tashmë ka kaluar ndjeshëm këtë nivel duke arrirë në mbi 66% në orëm 15:00

Sipas Bódit, mobilizimi më i madh po vjen nga qytetet e mëdha dhe nga Budapesti. “Budapesti është zgjuar,” tha ai, duke theksuar rritjen e fortë të votuesve në kryeqytet gjatë orëve të para të ditës.

Edhe pse pjesëmarrja është në rritje në të gjitha zonat, diferenca mbetet e dukshme: në qytetet me mbi 20 mijë banorë rritja është më e fortë, ndërsa në vendbanimet e vogla — veçanërisht ato me më pak se 1,000 banorë — mobilizimi mbetet dukshëm më i ulët.

Kjo prirje konsiderohet domethënëse, pasi tradicionalisht zonat e vogla kanë qenë bastione të forta të partisë në pushtet. Sipas analistit, fakti që pjesëmarrja aty po rritet më pak mund të jetë një sinjal për balancat elektorale.

Bódi parashikon se pjesëmarrja në fund të ditës mund të arrijë mes 75% dhe 85%, me një nivel mbi 80% që po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.

Ora 15:44
Zgjedhjet në Hungari, pjesëmarrja në votime arrin 66% deri në orën 15:00, ja si ndahen votat sipas qarqeve

Pjesëmarrja në zgjedhjet në Hungari ka thyer rekordet, me mbi 66% të votuesve që kanë votuar deri në orën 15:00, ndërsa nga terreni mediat lokale raportojnë për probleme dhe incidente gjatë procesit.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja ka arritur në 66.01%, që përfaqëson një nivel historik për këtë fazë të ditës, me afro pesë milionë qytetarë që kanë hedhur votën. Pjesëmarrja është veçanërisht e lartë në qytete, ku mobilizimi i votuesve ka qenë më i madh.

Në nivel rajonal, shifrat tregojnë diferenca të dukshme mes qarqeve. Rekordin e mban qarku Pest me 69.67% dhe mbi 731 mijë votues, i ndjekur nga Győr-Moson-Sopron me 68.38% dhe Veszprém me 67.63%. Nivele të larta janë regjistruar edhe në qarqet Fejér (67.59%) dhe Vas (67.17%).

Ndërkohë, pjesëmarrja më e ulët është shënuar në qarqet Borsod-Abaúj-Zemplén me 60.08% dhe Szabolcs-Szatmár-Bereg me 60.33%, megjithëse edhe këto mbeten shifra të larta në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Procesi zgjedhor është shoqëruar edhe me raportime për parregullsi në disa zona të vendit. Sipas Koalicionit për Votim të Pastër, janë evidentuar raste të transportit të organizuar të votuesve dhe shoqërimit të tyre drejt qendrave të votimit.

Në Dunaújváros, votuesit kanë marrë fletë votimi ku nuk ishte hequr emri i një kandidati të tërhequr, ndërsa në zona si Hajdúhadház dhe Hajdúsámson janë raportuar raste të shoqërimit të votuesve, përfshirë edhe të moshuar.

Raportime të tjera flasin për automjete që lëvizin gjatë gjithë ditës për të transportuar votues, si dhe për të shpërndarë pako të ndryshme për votuesit në qytete si Miskolc dhe Kazincbarcika. Në këtë të fundit është fotografuar edhe një kandidat i Fidesz duke i dhënë një pako një votuesi.

Shpërndarja e pjesëmarrjes deri në orën 15:00 sipas qarqeve:

• Qarku Baranya – 63.67% (180,094 votues)
• Qarku Bács-Kiskun – 64.15% (251,282 votues)
• Qarku Békés – 65.17% (167,266 votues)
• Qarku Borsod-Abaúj-Zemplén – 60.08% (288,163 votues)
• Qarku Csongrád-Csanád – 66.31% (206,198 votues)
• Qarku Fejér – 67.59% (225,495 votues)
• Qarku Győr-Moson-Sopron – 68.38% (246,340 votues)
• Qarku Hajdú-Bihar – 63.33% (257,980 votues)
• Qarku Heves – 65.15% (147,626 votues)
• Qarku Jász-Nagykun-Szolnok – 63.3% (177,512 votues)
• Qarku Komárom-Esztergom – 66.09% (156,652 votues)
• Qarku Nógrád – 62.21% (90,251 votues)
• Qarku Pest – 69.67% (731,952 votues)
• Qarku Somogy – 64.17% (150,455 votues)
• Qarku Szabolcs-Szatmár-Bereg – 60.33% (251,080 votues)
• Qarku Tolna – 63.8% (106,005 votues)
• Qarku Vas – 67.17% (132,171 votues)
• Qarku Veszprém – 67.63% (182,599 votues)
• Qarku Zala – 66.43% (139,419 votues)