Afro 17.5 milionë hungarezë dhe 500 mijë të tjerë që jetojnë jashtë vendit, janë thirrur të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që mund t'i japin fund mbretërimit 16-vjeçar të kryeministrit Viktor Orban në pushtet dhe të shënojnë një pikë kthese politike, me efekte në Evropë dhe në marrëdhëniet me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Qendrat e votimit u hapën në orën 6:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 7:00 të mbrëmjes. Zgjedhësit po votojnë për të rinovuar Parlamentin me 199 anëtarë.

Pjesëmarrja është në nivelin më të lartë historik: deri në orën 15:00 kishin votuar mbi 66 përqind e votuesve, ose 4.968.713 votues. Kjo shifër, sipas mediave vendase, është 13.26% më e lartë se pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2022. 

Udhëheqësi nacionalist euroskeptik Orban, 62 vjeç, ka udhëhequr vendin që nga viti 2010 dhe ka ndërtuar një model të "demokracisë joliberale" - sipas përkufizimit të tij - që është parë me interes nga qarqet konservatore perëndimore, përfshirë ato pranë Donald Trump.

Pasi hodhi votën pak pas orës 08:00 të mëngjesit, Orbán u ndal për të folur me gazetarët. I pyetur për pjesëmarrjen e lartë, ai u shpreh se “është një gjë shumë e mirë; sa më shumë të jemi, aq më mirë”. Në lidhje me rivalin e tij, ai shtoi se “nuk nënvlerësojmë askënd”, ndërsa për një mesazh për kundërshtarin deklaroi shkurt: “Mesazhin tim ua kam dhënë tashmë votuesve”. I pyetur gjithashtu për marrëdhëniet me Rusinë dhe nëse e konsideron veten mik të Vladimir Putinit, ai u përgjigj se “Hungaria përpiqet të mbajë marrëdhënie miqësore me liderët e të gjitha vendeve të mëdha dhe, fatmirësisht, ka shumë miq në botë”.

Në vitet e fundit, ai është dashur të përballet me pakënaqësi të brendshme në rritje për shkak të stagnimit ekonomik, rritjes së kostove të jetesës dhe akuzave për korrupsion të lidhura me oligarkët pranë qeverisë.

Përballë tij, sfidanti Péter Magyar, 45 vjeç, një ish-aleat i Orban dhe tani udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë Tisza, i cili ka përfituar nga pakënaqësia publike, veçanërisht midis të rinjve dhe votuesve urbanë.

Magyar hodhi votën në Budapest rreth orës 08:30 dhe më pas zhvilloi një deklaratë të shkurtër për mediat, ku parashikoi një pjesëmarrje rekord dhe theksoi se në disa qendra votimi “edhe një apo dy vota mund të bëjnë diferencën”. Ai deklaroi se partia e tij kishte marrë dhjetëra raportime për parregullsi të mundshme zgjedhore dhe u bëri thirrje autoriteteve të veprojnë “me gjithë forcën e ligjit” nëse konstatojnë shkelje. “Askush nuk duhet të përfundojë në burg në vend të mafies së Fidesz,” tha ai. Në të njëjtën kohë, ai u shpreh i bindur për rezultatin: “Askush nuk mund ta besojë seriozisht që Tisza — dhe Hungaria — nuk do t’i fitojë këto zgjedhje”, duke shtuar se rezultati do të pranohet vetëm nëse nuk ka manipulime që ndikojnë ndjeshëm në votim.

Çfarë thonë sondazhet?

Sondazhet gjatë dy javëve të fundit tregojnë se Tisza ka një epërsi midis 38% dhe 41%. Partia Fidesz, e udhëhequr nga kryeministri aktual hungarez, thuhet se është prapa me 7-9 pikë përqindjeje. Por rezultatet ndryshojnë, duke lënë disa skenarë të hapur, përfshirë një garë të mundshme kokë më kokë.

Votimi po ndiqet nga afër në Bruksel, ku disa vende të Bashkimit Evropian e akuzojnë Orbanin për dobësimin e sundimit të ligjit, shtypjen e lirisë së medias dhe minimin e të drejtave të pakicave.

Një humbje e tij mund të zhbllokojë një paketë ndihme të BE-së me vlerë afërsisht 90 miliardë euro për Ukrainën dhe të zvogëlojë ndikimin rus brenda Unionit, duke pasur parasysh marrëdhënien e ngushtë të Orbanit me Presidentin rus Vladimir Putin.

Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri hungarez e portretizoi votimin si një zgjedhje midis "luftës dhe paqes", duke argumentuar se një fitore e opozitës do ta tërhiqte Hungarinë në konfliktin në Ukrainë, një akuzë e mohuar fuqimisht nga hungarezët. Udhëheqësi i opozitës është përqendruar në një axhendë kundër korrupsionit dhe rimëkëmbje ekonomike.

Rezultati i votimit mund të ripërcaktojë jo vetëm ekuilibrin e brendshëm të pushtetit të vendit, por edhe ekuilibrin politik në Evropë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:44
Zgjedhjet në Hungari, pjesëmarrja në votime arrin në 66% deri në mesditë, ja si ndahen votat sipas qarqeve

Pjesëmarrja në zgjedhjet në Hungari ka thyer rekordet, me mbi 66% të votuesve që kanë votuar deri në orën 15:00, ndërsa nga terreni mediat lokale raportojnë për probleme dhe incidente gjatë procesit.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja ka arritur në 66.01%, që përfaqëson një nivel historik për këtë fazë të ditës, me afro pesë milionë qytetarë që kanë hedhur votën. Pjesëmarrja është veçanërisht e lartë në qytete, ku mobilizimi i votuesve ka qenë më i madh.

Në nivel rajonal, shifrat tregojnë diferenca të dukshme mes qarqeve. Rekordin e mban qarku Pest me 69.67% dhe mbi 731 mijë votues, i ndjekur nga Győr-Moson-Sopron me 68.38% dhe Veszprém me 67.63%. Nivele të larta janë regjistruar edhe në qarqet Fejér (67.59%) dhe Vas (67.17%).

Ndërkohë, pjesëmarrja më e ulët është shënuar në qarqet Borsod-Abaúj-Zemplén me 60.08% dhe Szabolcs-Szatmár-Bereg me 60.33%, megjithëse edhe këto mbeten shifra të larta në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Procesi zgjedhor është shoqëruar edhe me raportime për parregullsi në disa zona të vendit. Sipas Koalicionit për Votim të Pastër, janë evidentuar raste të transportit të organizuar të votuesve dhe shoqërimit të tyre drejt qendrave të votimit.

Në Dunaújváros, votuesit kanë marrë fletë votimi ku nuk ishte hequr emri i një kandidati të tërhequr, ndërsa në zona si Hajdúhadház dhe Hajdúsámson janë raportuar raste të shoqërimit të votuesve, përfshirë edhe të moshuar.

Raportime të tjera flasin për automjete që lëvizin gjatë gjithë ditës për të transportuar votues, si dhe për të shpërndarë pako të ndryshme për votuesit në qytete si Miskolc dhe Kazincbarcika. Në këtë të fundit është fotografuar edhe një kandidat i Fidesz duke i dhënë një pako një votuesi.

Shpërndarja e pjesëmarrjes deri në orën 15:00 sipas qarqeve:

• Qarku Baranya – 63.67% (180,094 votues)
• Qarku Bács-Kiskun – 64.15% (251,282 votues)
• Qarku Békés – 65.17% (167,266 votues)
• Qarku Borsod-Abaúj-Zemplén – 60.08% (288,163 votues)
• Qarku Csongrád-Csanád – 66.31% (206,198 votues)
• Qarku Fejér – 67.59% (225,495 votues)
• Qarku Győr-Moson-Sopron – 68.38% (246,340 votues)
• Qarku Hajdú-Bihar – 63.33% (257,980 votues)
• Qarku Heves – 65.15% (147,626 votues)
• Qarku Jász-Nagykun-Szolnok – 63.3% (177,512 votues)
• Qarku Komárom-Esztergom – 66.09% (156,652 votues)
• Qarku Nógrád – 62.21% (90,251 votues)
• Qarku Pest – 69.67% (731,952 votues)
• Qarku Somogy – 64.17% (150,455 votues)
• Qarku Szabolcs-Szatmár-Bereg – 60.33% (251,080 votues)
• Qarku Tolna – 63.8% (106,005 votues)
• Qarku Vas – 67.17% (132,171 votues)
• Qarku Veszprém – 67.63% (182,599 votues)
• Qarku Zala – 66.43% (139,419 votues)