Hungaria do të vendosë veton ndaj nisjes së bisedimeve të BE-së me Ukrainën

Hungaria do të vendosë veton ndaj nisjes së bisedimeve të BE-së me Ukrainën

Në Bruksel ka filluar të enjten një takim dyditor i nivelit të lartë ku udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme, çështjet e sigurisë, buxhetin afatgjatë të BE-së dhe çështje të tjera.

Tema që pritet të nxisë debat të ashpër do të jetë ajo mbi vendimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën pasi Hungaria ka thënë se do t’i vendosë veton kësaj çështjeje. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, në këtë takim Hungaria po kërcënon se do të bllokojë edhe një ndihmë prej 50 miliardë dollarësh për Kievin.

Ukraina po planifikon një të ardhme evropiane pas luftës së saj kundër agresionit rus dhe kjo javë mund të jetë vendimtare në realizimin e këtij qëllimi. Bashkimi Evropian miratoi statusin e kandidatit të Ukrainës në vitin 2022, pothuajse menjëherë pas nisjes së agresionit të Moskës.

Në takimin dyditor në Bruksel që filloi të enjten, krerët e shteteve të BE do të vendosin nëse do të nisin bisedimet zyrtare të anëtarësimit me Kievin. Zyrtarët ukrainas thonë se ata kanë realizuar tashmë shumë nga reformat e kërkuara nga blloku.

“Në frymën e partneritetit, interesave të ndërsjella dhe reciprocitetit, ne presim gjithashtu që Bashkimi Evropian të marrë një vendim që do të vlerësojë përpjekjet e bëra nga Ukraina dhe do të hapë bisedimet për anëtarësimin e vendit tonë”, thotë ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.


Kërcënimi ndaj këtij angazhimi nuk vjen nga jashtë, por nga brenda, nga Hungaria, anëtare që gjithnjë e më shumë del kundër anëtarëve të tjerë të BE-së. Imazhet e kryeministrit të saj, Viktor Orban, duke shtrënguar duart me presidentin rus Vladimir Putin dy muaj më parë, nuk janë harruar nga udhëheqësit e tjerë të BE-së.

Zyrtarisht Budapesti thotë se Kievi nuk është gati për anëtarësim dhe se një vend në luftë nuk duhet të fillojë bisedimet e pranimit me bllokun. Ministrat hungarezë gjithashtu kanë kërcënuar të vënë veton ndaj ndihmës të propozuar prej 50 miliardë eurosh të BE-së për Kievin, si pjesë e buxhetit vjetor të bllokut.

“Është e qartë se ata po përpiqen të na bëjnë të pranojmë një vendim që është padyshim i papranueshëm për ne. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga interesat tona kombëtare. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga fuqitë tona sovrane vendimmarrëse”, iu tha mediave lokale ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Nëse BE dështon të fillojë bisedimet e pranimit me Ukrainën, kjo do të kishte pasoja më të gjera, thotë analisti Ian Bond.

“Ndikimi psikologjik do të ishte i madh, sepse do t'i japë një shtysë presidentit Putin i cili do të mendojë se në fakt Perëndimi nuk e ka pranuar plotësisht që Ukraina të jetë pjesë e kampit perëndimor. Kjo do të jetë e dëmshme psikologjikisht edhe brenda Ukrainës, sepse njerëzit kanë krijuar bindjen se ata janë pranuar si pjesë e familjes evropiane”, thotë analisti Ian Bon nga qendra për Reformën Evropiane.

Ndërkohë, në këtë takim BE do të mirëpresë një figurë miqësore. Ish-presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, u zgjodh kryeministër i Polonisë të hënën dhe u zotua të riparojë marrëdhëniet me Brukselin. 

“Detyra e Polonisë, detyra e qeverisë së re, por edhe detyra e të gjithë neve, është të kërkojmë me zë të lartë dhe me vendosmëri nga i gjithë komuniteti perëndimor që të ndihmojmë Ukrainën të fitojë këtë luftë. Unë do ta bëj këtë që nga dita e parë”, thotë Kryeministri i Polonisë, Tusk.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë gjithashtu një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë ndalimin e diamantëve rusë. Një nga vendimet e para ishte sanksionimi i 6 personave dhe 5 entiteteve të Iranit për shkak të mbështetjes ushtarake ofruar agresionit rus në Ukrainë.

Lufta Izrael-Hamas do të jetë gjithashtu në krye të axhendës, me bllokun që do të diskutojë vendosjen e sanksioneve kundër kolonëve izraelitë që kryejnë akte dhune kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. /VOA/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Veliaj: Marrëdhënia me SPAK-un pro-aktive, në ditët në vijim do të dorëzoj vetë dosjen me informacione për të gjitha çështjet

Veliaj: Marrëdhënia me SPAK-un pro-aktive, në ditët në vijim do të dorëzoj vetë dosjen me informacione për të gjitha çështjet