Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin e saj Lindje-Perëndim të naftës, pasi kjo arterie jetike u sulmua gjatë përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme.

Eksportuesi më i madh në botë i naftës bruto e mbylli përkohësisht tubacionin pas një sulmi me dron, për të cilin si Bagdadi ashtu edhe Riadi thanë se kishte origjinën në Irak, ku veprojnë milici të mbështetura nga Irani. Iraku shkarkoi nga detyra një komandant ushtarak të shtunën si përgjigje ndaj sulmit.

Tubacioni, me gjatësi 1,200 kilometra, që përshkon Gadishullin Arabik, ka ndihmuar Arabinë Saudite të anashkalojë bllokimin e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, ku trafiku i cisternave është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të luftës mes SHBA-ve dhe Iranit.

Ministria saudite e Energjisë tha se e kishte mbyllur tubacionin si masë paraprake. Sipas kompanive të gjurmimit të anijeve dhe analistëve, tubacioni ka transportuar gjatë muajve të fundit 4 deri në 5 milionë fuçi naftë në ditë, që përbën rreth 4% deri në 5% të furnizimit global.

Sulmi vjen në një kohë kur rebelët Huthi të lidhur me Iranin në Jemen kanë forcuar kontrollin e tyre në Detin e Kuq. Kjo, së bashku me ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit, ka shkaktuar presion të madh mbi furnizimin me energji në të dyja anët e Gadishullit Arabik dhe ka çuar çmimet globale të naftës sërish mbi 100 dollarë për fuçi.

Katër burime nga qeveria jemenase thanë për Reuters se Huthit kishin marrë të premten kontrollin e ishullit strategjik Perim, në hyrje të Detit të Kuq, në Ngushticën Bab el-Mandeb.

Dy sulmet e raportuara të premten ndaj tubacionit dhe ishullit Perim mund të përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës kanë ngecur.

Lajm në përditësim…