Tarifat e reja të shërbimit Roaming në Ballkanin Perëndimor kanë hyrë zyrtarisht në fuqi.  Duke nisur nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB roaming në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, nuk duhet t’i kalojë 18 euro, duke e bërë kështu udhëtimin dhe komunikimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më ekonomik.

Në shumë raste, kufiri i çmimit prej 18 euro brenda ofertave dhe paketave speciale shkon edhe shumë më i ulët, deri në 1.6 euro për 1 GB.

Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal shkruan se prej sot do të flasim më lirë me Bashkimin Europian. Ajo thotë se qytetarët e vendit tonë do të përfitojnë ulje deri në 95%.

“Është koha që premtuam se do të flasim më lirë me Europën. Ose më Lirshëm dhe kur çmimet  e telefonatave tona në roaming Bashkimi Evropian(BE) -Ballkani Perëndimor(BP) do të fillonin të binin, bashkë me gjethet e vjeshtës. Prej sot, flasim më lirë e lirshëm me Europën. Siç premtuam, bashkë me gjethet e vjeshtës, do të bien edhe çmimet e Roaming mes Europës ???????? dhe Ballkanit. Nga 30% -99% ulje. Deri në 95% ulje në Shqipëri dhe deri 99% në Kosovë”, shkruan Bregu.

Marrëveshja për uljen e tarifave roaming u nënshkrua në samitin e BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt më 6 dhjetor 2022 në Tiranë.