Një konflikt mes një çifti në Lezhë, ka çuar në një akt të çuditshëm dy netë më parë. Ndërsa gruaja nga ushtrimi i dhunës nga bashkëshorti i saj, ka vendosur të shkojë tek e ëma e saj për të shpëtuar, ky i fundit, është nisur natën, ka shkuar në shtëpinë e vjehrrës së tij ku gjendej edhe gruaja, ka hyrë fshehurazi në banesë dhe ka ushtruar dhunë mbi të dy gratë.

Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen disa orë më vonë, ndërsa gjithçka është mësuar pas rrëfimit të dy grave të dhunuara nga agresori. Dhëndëri është shpallur në kërkim, ndërsa policia e Lezhës ka lëshuar edhe urdhër-mbrojtje për gruan, derisa të bëhet sqarimi i ngjarjes dhe arrestimi i burrit dhunues. Sipas të dhënave zyrtare saktësohet se policia e Lezhës ka shpallur në kërkim shtetasin Marjan Bardhin, 36 vjeç, pasi ka dhunuar bashkëshorten dhe vjehrrën e tij në banesën e vjehrrës së tij.

Bardhi rreth orës 23:30 të ditës së djeshme ka hyrë në katin e dytë të banesës së shtetases K.B banuese në Pllanë, Lezhë, nëpërmjet një palë shkallëve të drurit dhe më pas ka goditur me shkelma e grushte duke u shkaktuar dëmtime të lehta vjehrrës K.B dhe bashkëshortes së tij M.B. Pas kësaj policia e ka shpallur 36-vjeçarin në kërkim, ndërkohë materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Dhunim banese”.

Po ashtu policia ka plotësuar edhe një kërkesë-padi për lëshimin e një urdhri mbrojtjeje për bashkëshorten e Bardhit.


Ky shkrim u botua në gazeten Shqiptarja.com


Redaksia Online
(f.i/Shqiptarja.com)