Hyn në fuqi ligji për KLD dhe
Shkollën e Magjistraturës

Hyn në fuqi ligji për KLD dhe<br />Shkollën e Magjistraturës
Ligji për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës kanë hyrë në fuqi një ditë më parë, duke hapur kështu rrugë reformimit të KLD-së, si dhe emërimeve të gjykatësve të rinjë nëpër gjykata.
Në relacionin që shoqëron ligjin, i cili është botuar në fletoren zyrtare më 1 Shtator dhe që ka hyrë në fuqi më 16 shtator (ditën e marë) vlerësohet se reformimi i sistemit gjyqësor është një nga prioritet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në drejtim të konsolidimit të parimeve bazë të shtetit të së drejtës.

Problematikat që kanë shoqëruar veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë(KLD) gjatë viteve të fundit kanë nxitur një grup deputetësh të mazhorancës të propozojnë disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”.
Projektligji, i përmbledhur në nëntë nene, ndër të tjera përcakton se “anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare nuk mund të transferohen apo të ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Edhe në rast se anëtari KLD-së, i zgjedhur nga KGJK-ja jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5 vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë deri në përfundim të periudhës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni”.

Një shtesë në ligj është ajo për nenin 7, i cili parashikon që anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. “Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit”, thuhet në draft. Ndryshim pëson dhe neni 10 i ligjit aktual që flet për vlerësimin profesional. “Për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga KLD. Brenda tremujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës.

Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, citohet drafti i ri për KLD-në. Neni 21 i ligjit për KLD-në, riformulohet si më poshtë. “Në rastet e arrestit, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, së gjyqtarit, Këshilli i Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori”.
Me interes është shtesa që lidhet me procedimin penal ndaj një gjyqtari. Në këtë rast KLD vendos pezullimin e tij nga detyra, derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë. “Në rastet kur fajësia nuk provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë të gjykatës, gjyqtari ka të drejtë të kthehet në punën e tij të mëparshme dhe të marrë pagën e plotë që nga koha e pezullimi”, përcaktohet në draft.

Një tjetër shtesë në ligj parashikon që “nëse KLD rrëzon masën disiplinore të propozuar nga Ministri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë një masë disiplinore më të lehtë.” Ligji organik për KLD-në ndryshon dhe në kushtet dhe rregullat e përgjithshme për emërimin e kryetarëve të gjykatave. Propozimi i shtimit të një neni, që trajton këtë situatë, lidhet pikërisht me faktin e plotësimit të vakumit ligjor, si edhe të problematikave të evidentuara deri tani në këtë drejtim.
Ky propozim jo vetëm forcon normën ekzistuese, por përcjell edhe një qëllim madhor, atë të luftës kundër korrupsionit në rradhët e gjyqësorit dhe të përmirësimit të performancës së kryetarëve të gjykatave në gjithë vendin. Po ashtu, ai synon dhe rritjen e përgjegjshmërisë së personave, të cilët do të duan të promovohen në këto detyra, por dhe rritjen e përgjegjshmërisë për të zbatuar ligjin të vetë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Konkretisht parashikohet që:
“1.Vendi vakant për pozicionin e kryetarit të gjykatës, shpallet si i tillë, 3 (tre) muaj përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar të kryetarit të gjykatës. Afati tre mujor shërben për evidentimin e kandidaturave që konkurrojnë në pozicionin e kryetarit të gjykatës dhe mbledhjen e materialeve dhe të dhënave mbi bazë të të cilave do të bëhet përzgjedhja.
2.Emërimi i kryetarit të ri nuk mund të bëhet përpara deklarimit të mbarimit të mandatit të plotë të kryetarit ekzistues dhe në çdo rast jo më vonë se një muaj nga mbarimi i mandatit të tij.
3.Në rastet kur vendi i kryetarit në një gjykatë mbetet vakant për një nga situatat e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, delegon një nga gjyqtarët e kësaj gjykate për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit të gjykatës. Vendi vakant në këtë rast, duhet të plotësohet brenda tre muajve nga krijimi i tij.
4.Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një herë në dy vjet ose kur kërkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, paraqet përpara Këshillit një raport për punën e kryer nga kryetari i gjykatës. Raporti i Kryeinspektorit bazohet edhe në: a)raportin e të deleguarit pjesëmarrës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në analizat vjetore të gjykatës, e veçanërisht për punën e kryetarit;
b)vizitat e Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në gjykata gjatë mandatit të kryetarit;
c)materiale që vijnë nga Ministri i Drejtësisë;
ç) materiale të tjera që rezultojnë nga verifikimet apo kontrollet gjatë periudhës që ai ka qenë në detyrën e kryetarit të gjykatës.
5.Shqyrtimi i kandidaturave bëhet nga një komision i posaçëm i cili kryesohet nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
6.Përbërja, rregullat e funksionimit të komisionit të shqyrtimit të kandidatëve dhe procedurat e verifikimit dhe të testimit të tyre caktohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.”


Këtë ligj, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka refuzuar, pasi vlerëson se cënon pavarsinë e saj, prandaj dhe ka vendosur në mbledhjen e fundit të saj të ankimojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Sakaq, mediat vendase kanë bërë të ditur se me hyrjen në fuqi të këtij ligji anëtari i Këshillit të Lartë të Dretjësisë, mundeson Kuvendin, qe me iterpretim, mund të pezullojeë1-3 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi ndryshimet e reja e parashikojnë një opsion të tillë kur ndaj tyre regjistrohen kallëzim penal. Kallëzime penale janë regjistruar për Gjin Gjonin, Elvis Çefën dhe Astrit Haxhialushin. Gjin Gjoni akuzohet për fshehje pasurie, ndërsa Çefa për falsifikim dokumentesh, për interesa të Haxhialushit.

-Hyn në fuqi dhe ligji për Shkollën e Magjistraturës-

Veç ligjit për organzimin KLD-së, ka hyrë në fuqi që prej ditës së djeshme dhe ligji për Shkollën e Magjistratursë, i cili përcakton kritere më të forta në emërimet e pedagogëve dhe Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, i cili rrezikon largimin nga detyra.
Ligji i propozuar nga dhjetë deputetë të maxhorancës, synon të reformojë funksionimin dhe organizimin e Shkollës së Magjistraturës, si institucioni i vetëm, i ngarkuar me formimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Funksionimi i këtij institucioni, që ka nisur 18 vjet më parë me miratimin e ligjit “Për shkollën e Magjistraturës” në vitin 1996, ka pësuar ndryshime me ligjin organik të vitit 2005. Megjithë ndikimin pozitiv që kjo Shkollë ka pasur në furnizimin e sistemit gjyqësor me prurje të reja, profesionalisht të përgatitur, vetë sistemi gjyqësor mbetet një ndër hallkat e shtetit të së drejtës që çalon dhe ka nevojë për një reformim thelbësor.
Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë ndër të tjera reformim në përbërjen e Këshillit Drejtues të Shkollës, duke i dhënë një rol të rëndësishëm personelit akademik. Kështu, sipas ligjit numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues nga 2 që është aktualisht, të shkojë në 4, duke synuar rritjen e cilësisë së organizimit të kësaj strukture.
Një tjetër amendim në ligj lidhet me mënyrën e caktimit të përfaqësuesve të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë në Këshillin Drejtues të Shkollës, duke synuar rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në procedurat përzgjedhëse.
Një tjetër risi e ligjit lidhet me rritjen e transparencës në përzgjedhjen e përfaqësuesve të trupës gjyqësore në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Kjo e drejtë, që aktualisht i njihet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me ligjin e ri do t’i transferohet Konferencës Kombëtare Gjyqësore.

Reformim pësojnë në kushtet dhe kriteret ligjorë që do të gëzojë drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, si dhe zgjedhja e tij. Me ligjin aktual përzgjedhja e drejtuesit të këtij institucioni bëhet nga KLD, me propozim të Këshillit Drejtues. Me qëllim shmangien e mungesës së përfaqësimit të prokurorisë në caktimin e Drejtorit të Shkollës dhe shtimin e transparencës së procesit, ligji i ri  propozon që zgjedhja e Drejtorit të Magjistraturës të kryhet nëpërmjet votimit të hapur nga ana e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Shkollës. Ky element synon rritjen e pavarësisë në funksionimin e këtij institucioni, duke ofruar kushtet për një vetëadministrim organizativ sa më të plotë.

Ligji synon gjithashtu të përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e trupës pedagogjike dhe të padagogëve të brendshëm e të jashtëm të shkollës, duke rritur rolin e Këshillit Pedagogjik në përgatitjen dhe kontrollin e nivelit në mësimdhënie dhe të trajnimeve.
Sipas ligjit, pedagogët e brendshëm dhe të jashtëm do të emërohen nga Këshilli Drejtues, me propozim jo vetëm të drejtorit (sikurse parashikohet deri dje), por dhe me propozim të vetë Këshillit Drejtues. Ligji sqaron që pedagogët e brendshëm të zgjidhen nga radhët e juristëve më të shquar, me eksperiencë mbi 15 vjet si juristë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj.

Hyrja në fuqi e ligjit për Shkollën e Magjistraturës, largon automatikisht nga detyra,= avokat Neshat Fanën, i cili pasoi Marjana Seminin ne krye te ketij institucioni. Ligjvënësit kanë vendosur disa kritere të reja në ligjin e ri sa i takon kushteve që duhet të plotësojë Drejtori i Shkollës së Magjistraturës. Drejtori duhet të ketë  jo më pak se 10 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e gradës shkencore “Doktor”. Në rastin konkret, av. Neshat Fana ka nisur në vitin 2010 që të japë mësim në Shkollën e Magjistraturës. Po ashtu, av. Neshat Fana nuk e ka gradën doktor, siç e parashikon ligji i ri, pasi ai vijon studimet për doktoraturë.

“Konkretisht, sipas ligjit ekzistues, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës mund të emërohet kushdo që mund të ketë 10 vjet punë si gjyqtar dhe prokuror, ose çdo jurist, me mbi 15 vjet punë, pa qenë i përfshirë për asnjë moment gjate jetës së tij në procesin e mësimdhënies, dhe për më tepër pa pasur minimumin e një grade shkencore. Gjithashtu janë forcuar edhe kriteret ndaluese, jo vetëm për mospërfshirjen e kandidatit për drejtor në veprimtari politike, por gjithashtu që të mos ketë ushtruar asnjë funksion politik gjatë 10 viteve të fundit. Për këto arsye, konsiderohet e përligjur ndërhyrja që bëhet me amendamentet e propozuara”, thuhet në ligj.

Marrë nga//ATSH

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën