Hyrja e Shqipërisë në BE mund të
shpëtojë Italinë nga dominimi gjerman

Hyrja e Shqipërisë në BE mund të<br />shpëtojë Italinë nga dominimi gjerman<br /><br>
Në rast se zgjerimi i Evropës drejt Lindjes ka përforcuar qendrimin e Gjermanisë në qendër të saj, integrimi i munguar i Ballkanit Perëndimor rrezikon të bëhet një okazion i munguar për Italinë. Rajoni është një vatër tradicionale konfliktesh, ndaj të cilave (nga kriminaliteti tek imigrimi, e deri tek terrorizmi islamik) jemi fatalisht ndër më të ekspozuarit.

Edhe për këtë, Federico Niglia, profesor i historisë së kohës sonë në universitetin LUISS dhe ekspert i rajonit, mendon se një ndër përparësitë e politikës së jashtme italiane është përforcimi i boshtit me Shqipërinë e kryeministrit Edi Rama, politikanin-artist (që ka ekspozuar punimet e tij edhe në Biennalen e Venecias), të rikonfirmuar kohët e fundit në krye të qeverisë së Tiranës.

Çfarë i kërkon Shqipëria Italisë?
Shqipëria kërkon të hyjë në BE dhe kërkon tek ne një partner, që të mbështetë kauzën e saj. Për Evropën, ndryshe nga Serbia, mbi të cilën ende rëndon trashëgimia e së kaluarës, Shqipëria është një vend më pak problematik: duke qenë më e vogël, mund të “tretet” më kollaj. Por, problemi i saj është adoptimi jo vetëm formal, por thelbësor, i acquis communautaire, tërësisë së normave komunitare.

Dhe çfarë mund të marrë Italia nga Shqipëria?
Qeveritë e qendrës së majtë e kanë parë sidomos si një laborator tranzicioni: një Shqipëri që do të “normalizohej”, do të kontribuonte për të stabilizuar rajonin. Ky aspekt nuk mungon as tek qendrimi i qendrës së djathtë, por aty më i fuqishëm është vënia e theksit tek perspektiva ekonomike. Që nuk do të thotë vetëm zhvendosje e objekteve të prodhimit dhe shkëmbime tregtare, por edhe vepra të mëdha të infrastrukturës. Të kujtojmë dialogun rreth energjisë bërthamore në kohën e qeverisë Berluskoni, apo le të mendojmë pozicionin qendror që do të merrte Adriatiku në një perspektivë të dinamizimit të trafiqeve detare: një dosje strategjike për vendin tonë.

Një Evropa më adriatike a do ta bënte Italinë më periferike në BE, duke ri-ekuilibruar peshën e boshtit franko-gjerman?
Besoj se po, por nuk është vetëm një çështje e “zhvendosjes drejt Jugut” të BE-së. Do të ishte një kalim, nga një Evropë e menduar kryesisht si hapësirë ekonomike, në një Evropë politike. Shqipëria (dhe Serbia) na interesojna nga pikëpamja strategjike, pasi do të na projektonin drejt një zone, në të cilën prej kohësh luajnë lojërat e tyre Rusia dhe Turqia.

Më 11 tetor, në Romë, kryeministri shqiptar Edi Rama, duke folur një italishte të pastër, i ftoi ndërmarrjet tona të transferoheshin në Shqipëri pasi atje kostoja e punës është më e leverdisshme, pesha e taksave më e vogël dhe nuk ka sindikata që të krijojnë probleme. Një perspektivë që mund të joshë ndërmerrje të veçanta, por që nuk duket të jetë aq e dëshirueshme për ekonominë italiane në tërësinë e saj.

Duke marrë parasysh faktin që zhvendosja drejt Shqipërisë ka ndodhur në një masë të madhe, fjalët e Ramës duhen të vlerësohen edhe më tej. Po e shpjegoj: Flitet shumë për makro-rajone. Në kuadrin e partneritetit ballkanik, në zonat më pak të zhvilluara mund të vendosen prodhimet me një intensitet më të vogël teknologjik, ndërkohë që në zonat më të zhvilluara do të nxiteshin investimet në prodhime me një intensitet të lartë të kapitaleve dhe të teknologjisë. Natyrisht, për gjithë këtë duhet të ketë një politikë industrial, që në Itali është kthyer nga vitet ’90 në një term tabu’”.

Bashkimi Evropian së fundmi ka humbur një anëtar, brenda tij diskutohet për Evropën me dy shpejtësi, ndërkohë që personazhe me autoritet po kritikojnë zgjerimin në Lindje. Nuk ju duket që Ballkani e ka humbur tashmë trenin për në Evropë?
Natyrisht, Evropa optimiste e fundit të viteve ’90 nuk do të kthehet më. Por, sidoqoftë, do të mbetet një hapësirë lirie, integrimi, mirëqenieje në rritje në një konktekst të drejtash: ja, është ky model, një model politik dhe jo shumë i zhbalancuar drejt dosjes ekonomike, treni, në të cilin Ballkani Perëndimor ende mund të hipë.

A nuk ka qenë e gabuar të bëhej lidhje mes zgjerimit të BE dhe zgjerimit të NATO-s, të mbivendoseshin europeizmi dhe atlantizmi?
Në të kaluarën, kjo ishte diçka fiziologjike, por tani nuk mund të shohim më atlantizmin dhe europeizmin në unison. Nuk ndihmon as ta kesh Rusinë armike: Moska në rajon ka një ndikim, që nuk është vetëm ekonomik apo politik, por që lidhet edhe me identitetin. Kjo vlen për Serbinë, por edhe për Bullgarinë, që ka një shpirt të dyfishtë: ai atlantikas nuk e ka fshirë atë që sheh nga Lindja. Është e vërtetë që zgjerimi ka sjellë një rritje të konkurrencës mes Rusisë dhe Perëndimit, me rezultate që shpesh nuk i kanë dobi as njerit dhe as tjetrit bllok, po të shohësh se përplasja i çon disa vende të zonës të luajnë në më shumë se një tryezë. Por konflikti Rusi-Perëndim e ka epiqendrën në Evropën Qendrore e në Ukrainë dhe zhvillohet si një sprovë e përditshme në Siri. Le të themi që nëpër Ballkan kalon e çara më pak problematike e këtij dualizmi. Një strateg i mirë i politikës zgjedh fushën më pak të paqartë dhe e analizon sa më shumë që mundet për të provuar të lidhë sërisht raportet. Ja pse është e rëndësishme të flitet për Ballkanin: mund të jetë një laborator zgjidhjesh të mira për probleme më të mëdha.(Marrë nga gazeta "Libero Quottidiano")

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë